Lidhje

Analistët paraqesin një tablo të zymtë të jetës politike në Shqipëri - 2003-12-17


Pas fitores në Kongres dhe konsolidimit të pushtetit brenda Partisë Socialiste, kryeministrin Nano e pret tani sfida tjetër e vështirë e zgjidhjes së krizës në qeverisje. A do të arrijë ai t’i sigurojë votat e nevojshme në parlament, ku dështoi dy herë në të kaluarën? A do të vazhdojë grupi i deputetëve opozitarë socialistë ti bëjnë përsëri sfidë kryeministrit? Për tiu përgjigjur këtyre pyetjeve Zëri i Amerikës ftoi në programin Ditari analistët, Fatos Lubonja dhe Mustafa Nano.

Zëri i Amerikës: Zoti Lubonja, në Kongresin e socialistëve zoti Nano doli me pozita të konsoliduara, ndërkohë që shumica e kundershtarëve të tij mbetën jashtë organeve drejtuese të partisë. Cila është domethënia e këtyre zhvillimeve për të ardhmen e qeverisjes socialiste?

Fatos Lubonja: Kjo ka dy domethënie sipas mendimit tim. Ka një domethënie për Partinë Socialiste dhe të ardhmen e Partisë Socialiste, e cila sipas mendimit tim është një e ardhme aspak pozitive, në kuptimin që unë shoh një histori të vjetër të ripërsëritet, domethënë historinë që një parti sa më shumë qëndron në pushtet, sa më shumë korruptohet, abuzon me ligjin, me të drejtat, aq më tepër largohen njerëzit dhe aq më tepër ka prirje për të shkelur ligjin dhe për t’u kontrolluar nga një njeri i vetëm dhe aq më tepër ka prirjen për të përjashtuar zërat kontestues. Pra kemi një autoritarizëm në parti që synon stabilitet në qeverisje nëpërmjet kësaj dore të fortë, që merr pushtetin. Unë mendoj që është e hapur çështja nëse do të kemi stabilitet, apo do të kemi përsëri destabilitet. Kjo varet nga raporti i forcave që do të zhvillohet tani mbrapa në parlament, pra sa do të ketë mbështetje Nano dhe sa jo, por në kuptimit tjetër pastaj jo të stabilitetit, por të efektivitetit të qeverisjes, mendoj se edhe niveli i Kongresit, edhe niveli i fjalimit të Nanos dhe gjithë kjo që zhvilloi, nuk do të na prodhojë politika efektive në kuptimin e avancimit të reformave, gjithçkaje të mirë që presim nga një qeverisje.

Zëri i Amerikës: Zoti Nano, në fjalimin e tij në Kongres, kryeministri iu shmang pothuajse plotësisht analizës së mangësive në qeverisjen socialiste dhe problemeve mjaft serioze me të cilat ballafaqohet vendi. A mendoni se tani me konsolidimin e pushtetit brenda partisë, do të shohim një qeverisje më të mirë të vendit nga qeveria e kryesuar nga zoti Nano?

Mustafa Nano: Në të vërtetë fjalimi i Nanos, të cilit ju iu referuat, ishte një fjalim patetik në limitet e paranojës, por ai atë fjalim e mbajti mesa duket për të prekur telat e delegatëve të Kongresit dhe mesa duket ia arriti qëllimit. Tani Nano ka arritur një objektiv dhe mendoj që ky është objektivi që arriti gjithë Kongresi në përgjithësi: Nano nga Kongresi mori një mandat shumë të fuqishëm politik. Ai këtë parti përfundimisht e kontrollon në të gjitha qoshet e saj. Unë mendoj që në funksion të habitjeve të Nanos kjo është arritur, por nga ana tjetër nuk mendoj se është një gjë pozitive për zhvillimet politike në vend dhe për të ardhmen e Partisë Socialiste. Përjashtimi që iu bë Metës dhe mbështetësve të tij, apo moszgjedhja e Edi Ramës dhe Rexhep Meidanit në kryesinë e Partisë Socialiste në ditën e sotme, unë mendoj se është hakmarrja që Partia Socialiste dhe anëtarët e saj apo përfaqësuesit e saj, u bëri atyre që guxojnë të rivalizojnë liderin. Në këtë kuptim unë mendoj që Partia Socialiste po bëhet gjithmonë e më pak demokratike. Ky ishte zhvillimi negativ i gjithë Kongresit sipas meje.

Zëri i Amerikës: Zoti Lubonja, çështja kryesore tani për kryeministrin është çështja e kabinetit. A mendoni se zoti Nano do të përpiqet që të plotesojë vetëm dy vendet bosh në kabinet apo do të perfitojë nga rasti për të rikompozuar të gjithë kabinetin?

Fatos Lubonja: Kjo është një pyetje që mbetet e hapur. Nuk mund të jap dot një përgjigje. Unë mendoj që mesa pamë Nano do të ndërtojë një qeveri, ndoshta me dy ministra, ndoshta një qeveri me më shumë ndryshime, ku do të ketë si të thuash dorën e tij të fortë. Problemi nuk është ky për mendimin tim. Problemi është a do të mundet Nano të kalojë parlamentin, apo nuk do të mundet ta kalojë parlamentin me çfarëdolloj propozimi që mund të bëjë, domethënë me dy ministra, apo me një qeveri më të gjerë. Ky do të jetë momenti më delikat dhe ende nuk kemi të sigurt. Unë kam një intuitë që do ta kalojë Nano, sepse ne harrojmë një gjë të rëndësishme: edhe pse Nano shfaqi ato paranojat dhe deliret e tija në këtë moment, ne harrojmë një moment tjetër që është mbrapa, ajo baza që mbështet politikën e Nanos, ajo që si të thuash është sistemi politik që ne kemi ngritur, që është sistemi i oligarkëve që qëndrojnë mbrapa Nanos, që e bëjnë edhe Nanon një instrument, pra gjithë njerëzve të pasur, që janë pasuruar, që nëpërmjet politikës kanë krijuar fitimet e tyre dhe që bëjnë në fakt politikë me paranë e tyre dhe përdorin edhe Nanon si instrument. Këta janë të interesuar që të ketë qeverisje të Partisë Socialiste, këta janë një shumicë dhe unë mendoj që këta do ta arrijnë suksesin e tyre për ta kapërcyer parlamentin, pavarësisht pastaj nga pasojat dhe problemet që do të ketë Shqipëria më mbrapa. Megjithatë nuk e them në mënyrë absolute një gjë të tillë. Mund të ketë edhe të papritura, por këtë kam si parandjenjë timen.

Zëri i Amerikës: Zoti Nano, duket se pozita e ish-kryeministrit Meta është dobësuar dukshëm, jo vetëm nga fakti që ai nuk është më në organet e larta të partisë por edhe nga fakti se disa nga përkrahësit e tij po e “tradhëtojnë” tani. A mendoni se grupi i zotit Meta do të jetë në gjendje ta vazhdojë luftën në parlament, apo do të detyrohet të formojë një parti të re?

Mustafa Nano: Ata me siguri do ta vazhdojnë luftën në parlament dhe do të kenë vota të qarta anti-Nano, por problemi do të spostohet gjetkë. Është e njëjta pyetja që ngriti edhe Lubonja: Cila do të jetë maxhoranca e re në parlament, për formimin e një qeverie të re, apo zëvendësimin e disa ministrave. Unë mendoj që Nano i ka mundësitë praktikisht për të gjetur një maxhorancë të re, të cilat e përjashtojnë Ilir Metën me mbështetësit e tij. Këtu një rol të veçantë mund të luajë edhe Meidani, edhe Rama si personalitete të reja politike, le të themi me lidhjet e tyre që kanë, sidomos Meidani është i lidhur shumë me Gjinushin dhe me Metën dhe duhet parë roli që do të luajnë ata. Ndërsa përsa i takon perspektivës politike dhe të ardhmes politike të Metës unë mendoj që ylli i Metës në politikën shqiptare është në perëndim e sipër. Ai do të jetë deputet edhe për pak kohë deri në zgjedhjet e ardhshme, pastaj ose do të jetë kryetar i partisë së 57-të, nuk e di sa parti janë sot dhe e cila do të katandiset në një parti me 2-3 për qind në rastin më të mirë, ose do të jetë një qytetar i zakonshëm. Në këtë kuptim une mendoj që ky ishte fundi politik i Metës në Partinë Socialiste.

Zëri i Amerikës: Ju të dy keni shfaqur mendime të ndryshme lidhur me qeverisjen e vendit në të ardhmen. Zoti Lubonja, pas krizave të fundit në gjirin e socialistëve, ju jeni shprehur se ka ardhur koha që të ketë shkëmbim vendesh në qeverisje, ndërsa ju zoti Nano jeni shprehur se Partia Socialiste megjithë të metat që ka, është prapë më e mirë për vendin se sa ardhja e opozitës në pushtet. A mund të na i sqaroni pikëpamjet tuaja. Zoti Lubonja?

Fatos Lubonja: Unë mendoj që edhe kjo ç’pamë në Kongresin e fundit, ka pakësuar iluzionet e atyre që mendojnë se Partia Socialiste mbetet gjithmonë më e mira. Unë mendoj që ka ardhur koha që si të thuash t’i japim fund idesë që duhet të zgjedhim të keqen më të vogël, sepse e keqja më e vogël nxjerr të keqen më të madhe, bëhet një e keqe më e madhe dhe sipas mendimit tim e mira e vetme që kemi këtu për të ndryshuar sado pak në pamundësi për të pasur një forcë të tretë politike të pastër që do ta skualifikojë këtë klasë politike është rotacioni, domethënë korrigjimi që mund t’i bëjnë njëra-tjetrës forcat politike në pushtet duke u alternuar dhe duke u bërë në momente të caktuara promotore të asaj që është nevoja kryesore që ka vendi. Problemi kryesor që ka vendi sot është lidhja e politikës me krimin dhe i gjithë opinioni publik këtë kërkon, këtë ndryshim. Opozita ka marrë përsipër ta bëjë këtë. Pa dyshim është një thirrje që e bën koha. Pa dyshim opozita vështirë se do mund ta bëjë të gjithën, pa dyshim që opozita mund të bjerë preh përsëri e krimit, por jo deri në këtë nivel, por megjithatë është e vetmja mënyrë për t’u bërë ... Domethënë vjen një moment i caktuar ku një forcë politike do s’do bëhet përçuesja e disa nevojave të opinionit publik dhe këtë gjë, këtë problem kryesor që ka vendi, nuk mund ta bëjë Partia Socialiste duke qëndruar në pushtet, pastrimin e saj. Për mendimin tim kjo është e pamundur, kështu që mendoj që kthimi në opozitë i Partisë Socialiste do ta pastronte këtë parti, do ta bënte një opozitë më të fortë ndoshta ndaj Partisë Demokratike në pushtet, kur kjo të fillonte të rilidhej me krimin dhe në një farë mënyrë kjo do të ishte shpresa e vetme. Ndërsa siç tregoi ky Kongres, Partia Socialiste shkon nga e keqja edhe më keq dhe do të shkojë edhe më keq, po vazhdoi kështu. Mendoj që rotacioni është gjëja më pozitive në demokraci dhe demokracia është rrisk tek e fundit, nuk është stabilitet në dëm të lëvizjes dhe dinamikës.

Zoti Nano, mendimi juaj ju lutem?

Mustafa Nano: Mua zoti Biberaj deri para dy vjetësh, ardhja e PD-së në pushtet më frikësonte të them të drejtën dhe e prisja me shqetësim. Sot, sigurisht që alternancën në pushtet e kam pranuar vazhdimisht, edhe kur PD-ja më frikësonte, sepse alternanca në pushtet është tharmi i demokracisë. Sot mua nuk më frikësojnë zgjedhjet. Ndërsa nuk kam as dëshirë, as vullnet tashmë, për të bërë një ballafaqim midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, gjë që e kam bërë vazhdimisht me zell. Sot Partinë Socialiste unë e shoh një parti të prishur, gjë që s’do të thotë se nuk vazhdoj të mendoj që Partia Demokratike për mua nuk përbën një projekt politik të caktuar, nuk përbën një alternativë sot edhe gjithë ditën. Ajo ka në krye një lider i cili ngeli ditë për ditë në televizion. Më shpesh del lideri i opozitën në televizion dhe në media, sesa spikerat e televizionit, i cili nuk ka një projekt të tijin politik. Një projekt të vërtetë politik, të mirëfilltë politik, mund të quaj atë të Edi Ramës që paraqiti në Kongres dhe të cilit i mjaftuan vetëm disa ditë për ta bërë këtë projekt, ndërsa opozita ka shtatë vjet që rri në opozitë dhe nuk ka mundur të artikulojë nevojën për zhvillim, një program zhvillimi, një projekt alternativ politik, pra nuk e shoh të përgatitur. E megjithatë kështu siç është katandisur Partia Socialiste unë nuk them se duhet të vijë Partia Demokratike në pushtet, por them se të dyja partitë duhet të shkojnë edhe një herë përpara elektoratit, në mënyrë që ky i fundit të japë një verdikt ndoshta të ri.

XS
SM
MD
LG