Lidhje

Zyrtarë të OKB-së paralajmërojnë Kosovën që të bëjë përparim drejt zbatimit të standardeve ndërkombëtare - 2003-12-18


Nënsekretari i Përgjithshëm për operacionet paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, Zhan-Mari Gueno, i cilësoi të mërkurën të ashtuquajturat 8 standarde të Kosovës si një hap të rëndësishëm për përcaktimin e statusit të saj përfundimtar. Standardet e përpiluara nga Kombet e Bashkuara, që u publikuan në fillim të këtij muaji, përfshijnë zgjedhjet e lira, të drejta dhe të rregullta, një shtyp të lirë dhe një sistem solid dhe të paanëshëm ligjor.

Kombet e Bashkuara e kanë administruaur Kosovën që nga viti 1999, kur sulmet ajrore të NATO-s i detyruan forcat sërbe dhe jugosllave të sigurimit të largoheshin nga zona. Por e ardhmja e saj mbetet ende e papërcaktuar.

Në deklaratat e tij në Këshillin e Sigurimit, nënsekretari i Përgjithshëm, Gueno, nuk caktoi ndojë afat për arritjen e përparimit, por theksoi se duhet të plotësohen standardet para se të merret një vendim për statusin e Kosovës: ”Si parakusht për çdo vendim për statusin e Kosovës në të ardhmen mbetet plotësini i 8 standardeve. Në të njëjtën kohë, plotësimi i këtyre standarteve do të çonte në ndryshime cilësore në Kosovë, që është një qëllim në vetvete, si dhe një parakusht esencial për përparimin e demokracisë dhe ndërtimin e një shoqërie shumë-etnike në Kosovë”.

Zoti Gueno tha se ndër dobësitë që vihen re sot në Kosovë, janë shtimi i krimeve të rënda gjatë dy muajve të fundit. Në veçanti, theksoi ai sulmet ndaj policisë, duke përfshirë edhe vrasjen e dy oficerëve në fund të muajit nëntor.

Ai u tërhoqi gjithashtu vemendjen udhëheqësve kosovarë që të punojnë për vendosjen e një dialogu me kryeqytetin e Sërbisë, Beogradin. Ai fajësoi zyrtarët në Prishtinë për mungesën e komunikimit me udhëheqësit sërbë, që nga fillimi i dialogut në Beograd.

Në fjalimin e tij para Këshillit të Sigurimit, edhe përfaqësuesi i Sërbisë në Kombet e Bashkuara, Dejan Sahoviç, tha se Beogradi përgjithësisht e mbështet konceptin e “Standardeve para Statusit”. Por ai tha se plani u jep sinjalin e alarmit udhëheqësve serbë. ”Së pari, ky dokument nuk përcakton standarde që do t’i hapnin rrugën krijimit të një shoqërie shumë-etnike në Kosovë”, tha ai.

Duke pranuar natyrën delikate që ende përbën çështja e statusit të Kosovës, ambasadori amerikan pranë Kombeve të Bashkuara John Negroponte tha se nuk duhet të flitet se cili mund të jetë ky status përfundimtar pa u bërë fillimisht përparim drejt plotësimit të standardeve.//az//

XS
SM
MD
LG