Lidhje

Për vite me radhë, populli irakian nuk kishte përfaqësues në Kombet e Bashkuara - 2003-12-19


Për vite me radhë, të vetmit irakianë që flisnin në Kombet e Bashkuara ishin njerëzit e Sadam Huseinit. Ata shkonin në Kombet e Bashkuara jo për të përfaqësuar popullin irakian, por për të gënjyer rreth shkeljeve të ligjit ndërkombëtar, agresionit kundër vendeve të tjera dhe shkeljeve masive të të drejtave të njeriut nga ana e diktatorit irakian.

Kjo nuk po ndodh më. Më 16 dhjetor, ministri i jashtëm i Irakut, Hoshyar Zebari, foli në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ai u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara që të mos vonojnë përpjekjet për të ndihmuar vendin e tij të rimëkëmbet nga sundimi shkatërrimtar i Sadam Huseinit.

“Kombet e Bashkuara si organizatë nuk ndërmorën asnjë veprim për të shpëtuar popullin irakian nga një tirani shkatërrimtare, që zgjati për më shumë se 35 vjet. Kombet e Bashkuara nuk duhet të dështojnë përsëri për ta ndihmuar popullin irakian.”

Zoti Zebari tha se mosmarrëveshjet e vazhdueshme mes vendeve anëtare të OKB-së po ndërlikojnë përpjekjet për t’ë kthyer qeverisjen në duart e popullit irakian.

“Këto grindje rreth mosmarrëveshjeve politike bëjnë që vështirësitë e përditshme për sigurinë, krijimin e vendeve të punës, liritë bazë dhe të gjitha të drejtat që Kombet e Bashkuara kanë për detyrë t’i mbështesin, të kalojnë në plan të dytë.”

Zoti Zebari theksoi gjithashtu se irakianët duhet të luajnë rol të rëndësishëm në çdo nismë që lidhet me të ardhmen e vendit të tyre.

“Pa pjesëmarrjen e irakianëve në diskujtimet që kanë të bëjnë me interesat irakiane, si për shembull grupi i kontaktit i Kombeve të Bashkaura i krijuar kohët e fundit, vendimet e marra nuk mund të jenë të vlefshme.”

Zoti Zebari ka plotësisht të drejtë. Dhe shpresohet se vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara do t’i marrin seriozisht vlerësimet e tij.

Siç tha edhe presidenti George W. Bush në Kombet e Bashkuara në muajin shtator, objektivi kryesor i koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara është vetë-qeverisja për popullin e Irakut e arritur nëpërmjet një procesi të rregullt demokratik. Ky proces duhet të vazhdojë në bazë të nevojave të irakianëve, pa u nxituar e pa u vonuar nga dëshirat e palëve të tjera. Madje Kombet e Bashkuara, tha presidenti Bush, mund të kontribuojnë shumë në kauzën e vetë-qeverisjes irakiane.

//ze//

XS
SM
MD
LG