Lidhje

Bacon: kthimi i të zhvendosurve në Kosovë - shumë i ngadaltë - 2003-12-19


”Pas përfundimit të luftës në Kosovë, më 1999, Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja deklaruan se Kosova duhet të jetë një shoqëri shumë-etnike, por deri tani, jemi ende larg kësaj, edhe për faktin se kthimi i të zhvendosurve po zhvillohet shumë ngadalë.”-thotë presidenti i organizatës ”Refugees International”, Kenneth Bacon. Zoti Bacon, i cili gjatë luftës në Kosovë ka qenë zëdhënës i Pentagonit, në një intervistë që i dha Zërit të Amerikës, tha gjithashtu se serbët nuk kanë bashkëpunuar plotësisht për këtë çështje dhe ata janë përpjekur ta manipulojnë procesin e kthimit të të zhvendosurve.

Zëri i Amerikës: Zoti Bacon, ju keni qenë zëdhënës i Pentagonit gjatë konflikteve në Ballkan. Si do ta vlerësonit ecurinë e ngjarjeve në këtë rajon e veçanërisht në Kosovë?

Kenneth H. Bacon: Natyrisht, që gjendja është shumë më e mirë nga ç’ishte në vitet 1998-99, megjithatë, Kosova nuk është Zvicra. Atje vazhdon të ketë shumë tensione etnike, ka ende shumë probleme ekonomike dhe megjithëse vrasjet atje nuk janë më diçka e zakonshme, vazhdon të ketë një numrë të madh sfidash. Mendoj se e rëndësishme, si për serbët, edhe për shqiptarët është se NAT0 i dha të këtyre popujve shansin e ri për të ndërtuar një jetë dhe një vend më të mirë. Është shumë e rëndësishme, që të dy palët të bashkëpunojnë, për të arritur premtimin që kanë bërë. Lufta ka 4 vjet që ka mbaruar, mund të thuhet se progres ka, por jo ai që SHBA, OKB-ja dhe NATO-ja kishin menduar menjëherë pas përfundimit të luftës.

Zëri i Amerikës:Cilat janë disa nga problemet kryesore në fushën e të drejtave të njeriut dhe të refugjatëve në Ballkan?

Kenneth H. Bacon: Problemi kryesor që kemi në Ballkan dhe do të përqëndrohem në veçanti tek Kosova, është kthimi i personave të zhvendosur. Ka rreth 240 mijë serbë, të cilët janë larguar nga Kosova dhe pjesa më e madhe e të cilëve ndodhen në Serbi. Nuk dihet me saktësi sa sa prej tyre duan të kthehen. Sigurisht, që jo të gjithë. Sipas vlerësimeve tona, ndoshta 80 mijë serbë duan të kthehen. Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja kanë deklaruar se Kosova duhet të jetë një shoqëri shumë-etnike, por deri tani, jemi ende larg kësaj. Kthimi i të zhvendosurve po bëhet shumë ngadalë. Më pak se 3 mijë të zhvendosur u kthyen gjatë këtij viti, që do të thotë se, me këtë ritëm, do të duhen më tepër 25 vjet që 80 mijë refugjatët të kthehen në shtëpitë e tyre. Kështuqë, që procesi i kthimit duhet të përshpejtohet. Mendoj se problemi tjetër është se as serbët nuk kanë bashkëpunuar plotësisht për këtë çështje dhe ata janë përpjekur ta manipulojnë procesin e kthimit, deri në një farë mase, gjë që mendoj se është diçka jo e mirë. Serbët, gjithashtu kanë vepruar me ngadalë për përqafimin e marrëveshjes ”Standartet para statusit”. Edhe kjo është për të ardhur keq.

Zëri i Amerikës : Qeveria e Kosovës thotë se po bën përpjekje për realizimin e kushteve për kthimin e të zhvendosurve serbë në Kosovë. Çfarë mendoni se po bëhet pengesë për kthimin e serbëve në Kosovë?

Kenneth H. Bacon: Mendoj se arsyeja kryesore është mungesa e sigurisë. Në Kosovë ka patur herë pas here akte dhune, të cilat me sa duket kryhen nga shqiptarët e Kosovës, kundër serbëve që kthehen atje. Dhe kjo është diçka e papranueshme. Shqiptarët e Kosovës kanë qenë viktima të sulmeve për një kohë të gjatë. Pra, ata e kuptojnë se sa të shëmtuara janë sulmet me karakter etnik dhe ata duhet të tregojnë e e kuptojnë mirë këtë çështje, duke i pranuar serbët të kthehen në shtëpitë e tyre. Por këtu kemi të bëjmë edhe me probleme të tjera, fillimisht gjendja ekonomike. Në Kosovë ka një ritëm shumë të lartë papunësie, një pjesë e mirë e ekonomisë së Kosovës e ka burimin te bizneset familjare të shqiptarëve. Vështirë që serbët do të gjejnë punë në bizneset e shqiptarëve. Prandaj, pa forcimin e ekonomisë në përgjithësi, nuk mund të krijohen vende pune për serbët që kthehen. Faktori i tretë, është se megjithëse UNMIK-u po punon me Trupat Mbrojtëse të Kosovës, me organziatat jo-qeveritare dhe ato humanitare, procesi i kthimit të të zhvendosurve po zhvillohet jashtëzakonisht ngadalë. Nevojitet një kohë e gjatë për procesin e dokumeneteve për të drejtat e pronësisë, që do të mundësonte kthimin e refugjatëve: vizitat e tyre për të parë pronat, për të krijuar një ide lidhur me komunitetit ku do të jetojnë kur të kthehen, dhe pastaj ata do t’i ndihmojnë të ndërtojnë shtëpitë e tyre, por ky do të jetë një proces i gjatë, i cili mundet të përshpejtohet, duke krijuar kushtete për ata serbë, të cilët duan të kthehen. Dhe së fundi, një tjetër çështje: mendoj se qeveria e Serbisë duhet ta mbështesë më tepër procesion e kthimit; zyrtarët serbë duhet të punojnë për t’i inkurajuar serbët të kthehen në Kosovë, ata duhet të punojnë me OKB-së dhe shqiptarët e Kosovës, që të përmirësohet sundimi i ligjit, gjë që do ta lehtësonte mbarë procesin e kthimit.

Zëri i Amerikës: Një nga 8 standartet e caktuara për Kosovën deri në mesin e viti 2005, kur mendohet të rishqyrtohet statusi i saj, është edhe kthimi i të zhvendousrve serbë në Kosovë. A ekziston rreziku i politizimit të këtij problemi nga ana e serbëve?

Kenneth H. Bacon : Kjo do ta ngadalësonte procesin, por duhet patur parasysh se statusi nuk është përcaktuar. Shqiptarët duan një Kosovë të pavarur, serbët duan që ajo të mbetet pjesë e Serbisë, por dhe kjo ende nuk është përcaktuar dhe nuk do të përcaktohet as deri në vitin 2005, sepse në vitin 2005 do të bëhen vlerësimi i standarteve. Pra, ka një numër arësyesh që serbët duhet të bashkëpunojnë. E para është se ata duhet t’i lenë qytetarët serbë të jetojnë atje ku ata dëshirojnë, qoftë në Kosovë, apo në Serbi. Kthimi i serbëve do ta lehtësonte gjendjen e të zhvendosurve, që aktualisht jetojnë në vendbanime të caktuara, ku kushtet nuk janë të mira. Ato janë të mbipopulluara dhe me kushtet jo të mira sanitare, pra, kjo është një arsye e fortë që ata të jenë të intersuar që serbët të kthehen në shtëpitë e tyre në Kosovë. Nga ana tjetër, janë politikat frenuese serbe, të cilat pengojnë kthimine refugjatëve, kur të vijë momenti që të merret vendimi për statusin përfundimtar. Pra, serbët duhet të tregohen të arsyeshëm, ashtu sikurse edhe shqiptarët duhet të tregohen të arsyeshëm, të mos kryejnë më akte me dhunë ndaj serbëve, të kenë një sistem të mirë policor dhe të drejtësisë. E rëndësishme është të bë-he përpjekje për të tërhequr më tepër investime, në mënyrë që të zhvillohet ekonomia e Kosovës.

Shënim: Organizatën "Refugees International" mund ta kontaktoni në Internet, në adresën: http://www.refugeesinternational.org

XS
SM
MD
LG