Lidhje

Kryeministri i Spanjës, Hose Maria Aznar viziton trupat spanjole në Irak - 2003-12-20


Gjatë një vizite të papritur, që u bëri trupave të vendit të tij në Irakun jugor, kryeministri i Spanjës, Hose Maria Aznar, tha se ata po punojnë për liri, demokraci dhe respekt për ligjin ndërkombëtar.

Zyrtarë spanjollë thanë se kryeministri Aznar e kaloi drekën me trupat e dislokuara në qytetin e Divanijas dhe më vonë u kthye në atdhe.

Spanja e ka mbështetur në mënyrë aktive operacionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak dhe ka dërguar 1 mijë e 300 ushtarë në atë vend. 10 spanjollë kanë humbur jetën gjatë operacioneve në Irak. Sulmi më i rëndë kundër forcave të Spanjës në Irak ndodhi nga fundi i muajit të kaluar kur kryengritësit zunë pritë dhe vranë 7 agjentë të zbulimit spanjoll.

Edhe ministri i jashtëm i Portugalisë kishte në plan të shkonte sot në Irak për të vizituar trupat portugeze në qytetin Naserija në Irakun jugor.

Ndërkaq, policia irakiane njoftoi se trupat amerikane hapën zjarr gabimisht dhe vranë 3 policë irakianë dhe plagosën 2 të tjerë në periferi të qyetit Kirkuk në Irakun verior.

Trupat amerikane hapën zjarr me sa duket duke menduar se irakianët ishin banditë. Thuhet se incidenti ndodhi në një postbllok në rrugën që lidh Kirkukun me Bagdadit.

Ushtria amerikane nuk ka bërë ende ndonjë koment lidhur me incidentin.

Në një zhvillim tjetër, zyrtarë amerikanë thanë se ata mirëpritën një thirrje të Sektretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, për bisedime me Këshillin Qeverisës Irakian dhe koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara rreth rolit që organizata botërore do të luajë në të ardhmen në Irak.

Një zëdhënës i departamentit amerikan të shettit tha dje se bisedime të tilla do të jenë të dobishme, por ai shtoi se administrata e presidentit Bush nuk është ende gati që të mbështesë një datë specifike. Zoti Anan bëri thirrje që një takim të zhvillohet më 15 janar.

//ze//

XS
SM
MD
LG