Lidhje

Vendimi i Libisë-rezultat i përpjekjeve intensive diplomatike - 2003-12-21


Ministri i Mbrojtjes i Britanisë, Geoffrey Hoon, thotë se angazhimi i Libisë për të hequr dorë nga programi i saj i armëve bërthamore, kimike dhe biologjike ishte së paku pjesërisht rezultat i ndërhyrjes ushtarake amerikane dhe britanike në Irak.

Në një intervistë dhënë sot për Sky News, zoti Hoon tha se vendimi i Libisë tregon se politika e angazhimit dhe e dialogut, që preferohen nga kryeministri Blair, mund të japin rezultat. Por ai shtoi se për të qenë e suksesshme kjo politikë duhet të pasohet nga kërcënimi ose përdorimi i forcës.

Zoti Hoon tha se nuk mendon që vendimi i Libisë mund të shihet veçmas nga ndërhyrja e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak marsin e kaluar. Ai tha se përdorimi i forcës në Irak tregoi se Shtetet e Bashkuara dhe Britania janë serioze kur bëhet fjalë për çështjen e armëve. Ai shtoi se shpreson që ky është mësimi që ka nxjerrë Libia dhe vende të tjera.

Zyrtarët amerikanë dhe britanikë thonë se vendimi i Libisë për të hequr dorë nga programi i armëve u mor pas disa muaj përpjekjesh diplomatike në të cilat ishte përfshirë edhe vetë udhëheqësi libian Moamar Gadafi.

Një zyrtar amerikan i shërbimeve të zbulimit u tha gazetarëve se kolonel Gadafi kishte lënë të kuptohej se ishte i gatshëm të zotohej publikisht për të eliminuar programin e vendit të tij të armëve të shkatërrimit në masë.

Takimet sekrete në Tripoli u pasuan nga biseda telefonike javën e kaluar ndërmjet kryeministrit Tony Blair dhe kolonelit Gadafi. Të premten udhëheqësi libian bëri të ditur vendimin e tij për të hequr dorë nga armët e shkatërrimit në masë.

Ekspertët amerikanë dhe britanikë thonë se gjatë muajve të fundit kanë vizituar dhjetëra qendra libiane armësh, përfshirë edhe 10 objekte për armët bërthamore. Aftësia e Libisë për prodhimin e armëve bërthamore thuhet se ishte më e avancuar se sa mendohej.

//ad//

XS
SM
MD
LG