Lidhje

Mijëra kolonëve hebrenj mund t’u duhet të largohen nga Bregu Perëndimor dhe Rripi i Gazës - 2003-12-21


Zëvëndës-kryeministri izraelit Ehud Olmert, tha se dhjetra mijëra kolonëve hebrenj mund t’u duhet të largohen nga Bregu Perëndimor dhe Rripi i Gazës në se Izraeli vendos të ndërmarë hapa të njëanshëm për të ndërprerë çdo lidhje me palestinezët.

Zoti Olmert i bëri këto komente 3 ditë pasi kryeministri izraelit Ariel Sharon paraqiti të ashtuquajturin plan të mos-angazhimit, i cili do të zbatohet në se Izraeli dhe palestinezët nuk arrinin një marrëveshje paqeje.

Plani kërkon që Izraeli të tërhiqet nga disa vendbanime, por të mbajë disa të tjera që janë afër territorit izraelit, ndërkohë që do të përshpejtohej procesi i ndërtimit të një muri sigurie, i cili ndan Izraelin nga Bregu Perëndimor.

Ndërkohë, ushtarët izraelitë arrestuan një figurë të njohur politike të grupit ekstresmist islamik Hamas. Në një incident tjetër, një djalë palestinez 5 vjeçar humbi jetën nga shkëmbimi i zjarrit gjatë sulmeve në Bregun Perëndimor. Korrespondenti ynë njofton nga Jeruzalemi.

Trupat izraelite arrestuan zyrtarin e lartë të Hamasit Adnan Asfour në Nablus të Bregut Perëndimor, në kuadër të sulmeve të vazhdueshme kundër ekstremistëve të kërkuar palestinezë.

Gjatë muajve të fundit, zoti Asfour ka qënë një zëdhënës i shquar i grupit, i cili ka kryer një numër sulmesh vetëvrasëse dhe sulme të tjera terroriste.

Arrestimi u konfirmua nga vëllai i tij Saad, i cili tha se trupat izraelite kishin rrethuar bllokun e apartamentit të zotit Asfour, duke u bërë thirrje të gjithë banorëve që të evakuonin ndërtesën para se ta arrestonin atë.

Arrestimi i zotit Asfour ishte mes disa ndalimeve të palestinezëve të kërkuar nga forcat izraelite në atë zonë, përfshirë edhe kampin e refugjatëve Balata, ku dëshmitarë palestinezë thanë se një djalë i ri u plagos për vdekje kur u gjend në mes të të shtënave të armëve.

Dje, palestinezë të armatosur vranë një palestinez, të cilin e akuzuan se bashkëpunonte me forcat izraelite të sigurimit.

//ze//

XS
SM
MD
LG