Lidhje

Muze i ri i hapësirës në Shtetet e Bashkuara - 2003-12-21


Vetëm pak ditë para 100 vjetorit të fluturimit të famshëm të vëllëzërve Wright në Kitty Hawk të Karolinës së Veriut, Instituti Smithsonian hapi Muzeun të tij më të ri i cili i dedikohet historisë së aviacionit dhe arritjeve të tij në vite. Nga lartësitë e qiellit, astronauti amerikan Michael Foale dhe kosmonauti rus Aleksander Kaleri numëruan sekondat në një simulim të fluturimit të Vëllezërve Wright.

Duke dërguar përshëndetjet e tyre me anë të videos, ekipi dy-anëtarësh në bordin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës, tha se fluturimi i vëllëzërve Wright para 100 vjetësh hapi një rrugë të re të pafund.

Dhe pikërisht kësaj rruge të pafund i dedikohet muzeu më i ri i institutit Smithsonian, i quajtur qendra Udwar-Hazy. Aktori John Travolta, është pilot amator. Në fjalimin e hapjes, ai tha se ishte emocionuar duke parë përshëndetjet e ekipit nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës. “Ishte momenti kur ata po numëronin sekondat para nisjes së fluturimit të simuluar të vëllëzërve Wright kur unë nuk mbajta do lotët. Aty pamë përparimin më të madh të historisë së aviacionit të lidhur me momentin e parë të historisë së fluturimit, për mua kjo ishte shumë emocionale,” tha aktori Travolta.

Muzeu i Hapësirës së Institutit Smithsonian ka për detyrë mbledhjen dhe ruajtjen e materialeve të fluturimit që kanë një domethënie historike. Duke folur në ceremoninë e hapjes, zëvëndës presidenti Dick Cheney i cili gjithashtu është në bordin e këtij instituti tha se qendra jo vetëm përfaqëson arritjet në fushën e aviacionit por edhe mundësitë që kemi përpara.

“Kjo paraqitje këtu shënon një nga arritjet më të mëdha të eksperiencës njerëzore. Kur shikojmë disa nga këta aeroplanët të parë me dy vende apo anijen e parë kozmike, ne shohim përparimin teknologjik. Por këtu ne shohim shumë më tepër. Të gjitha këto tregojnë imagjinatën, inteligjencën dhe dëshirën e atyre të cilët i konstruktuan ato.”

Qendra Udwar- Hazy në të vërtetë tregon esencën e fluturimit siç e njohim sot. Edhe një Boeing i vitit 1938 zgjon shumë kërshëri. Ky aeroplan kishte 33 vende dhe mund të fluturonte vetëm 2400 metra mbi toka dhe është një nga aeroplanët e parë i cili ofronte një kabinë me ajër të kontrolluar. Duke shikuar këtë aeroplan, vizitori dhe piloti David Esterson thotë se kjo i sjell atij kujtime nga një fluturim i tij me një aeroplan të tillë.

“Unë fluturova me një Boeing të tillë i cili ishte gjithashtu një Boeing bombardues dhe vendi ku vendoseshin bombat ishte kthyer në një bar me pije për pasagjerët. Ai mbante rreth 82 udhëtarë. Fluturimi nga Skocia në Amerikë bëhej me një ndalesë diku në Islandë ose ndonjëherë në Newfoundland sepse aeroplani nuk mund të shkonte përtej Atlantikut pa u ndalur.”

Në mes të aeroplanëve të ekspozuar në këtë muze është edhe aeroplani supersonik Concorde. Me një hapësirë prej 15 mijë metrash katrorë, muzeu ka akoma vend për shumë mjete të tjera të eksplorimit hapësinor, siç është për shembull anija kozmike Enterprise apo aeroplanë të luftës si Enola Gay i cili hodhi bombën atomike në gusht të vitit 1945.

Edhe pse muzeu i ri ka rreth 80 aeroplanë, në të ardhmen në të mund të ekspozohen rreth 200.//kk//

XS
SM
MD
LG