Lidhje

“Eksperti” i blerësve - 2003-12-21


Në këtë sezon të ngarkuar festash ka dy lloje amerikanësh: ata që pëlqejnë të blejnë artikuj në komplekse të mëdha dyqanesh dhe ata që e urrejnë një gjë të tillë.

Kevin Skyat nuk i pëlqen shumë komplekset e tilla, por megjithatë kalon në to një kohë të gjatë duke vërejtur njerëzit. Zotin Skyat i ka ndjekur nga afër amerikanët e dhënë pas blerjeve. Në prag të Krishtlindjes, të gjithë komplekset e dyqaneve kanë të njëjtën atmosferë: drita, shirita shumë-ngjyrëshe, zbukurime për Krishtlindjet, kore që këndojnë këngë festive, si dhe turma blerësish të lodhur nga përgatitjet për festën.

Tridhjetë e katër vjeçari Kevin Skyat e njeh mirë këtë atmosferë. Ai punon për një firmë arkitekture, që ka përgatitur projekte të shumta për komplekse dyqanesh në Baltimorë të shtetit Merilend, por ai ka një interes më të madh në këto komplekse. Që kur ndiqte studimet pasuniversitare, ai filloi të vëzhgonte blerësit dhe përgatiti edhe dizertacionin shkencor mbi shoqërinë e konsumit këtu në Shtetet e Bashkuara, duke arritur në përfundimin se vetkuptimi i secilit nuk e ka burimin tek gjenet, por tek xhinset që veshin: “Njerëzve u pëlqen të blejnë, të grumbullojnë gjëra. Objektet që zotërojnë shprehin esencën e personit. Për shembull nëse do të bëhesh amator golfi, duhet të luash rolin, pra të vishesh dhe të sillesh si një lojtar golfi”, - thotë Kevin.

Kevin Skyat studjoi për antropologji në universitet, por ai nuk u përqëndrua në ndonjë kulturë indigjene, por në xhunglën komerciale, ku ai thotë se është e pamundur të kalosh më shumë se dy orë pa të zënë dhimbja e kokës nga dritat, zhurma dhe turmat. Ai thotë se vitrinat e bukura, si dhe muzika që nuk pushon kurrë dhe të gjitha objektet e tjera kanë si qëllim të vetëm të tërheqin blerësin:

“Ata përpiqen të të shesin artikuj, duke paraqitur pamje grafike të një stili jetese. Pra, përpiqen të të bindin se po bleve këtë artikull, do të dukesh si këta njerëz”,- thotë Kevin.

Në vendlindjen e tij, Indonezi, Kevin Skyat thotë se statusi në shoqëri është rrjedhim i punës dhe traditës, dhe jo i rrobave që vesh. Pra, vlerësimi në shoqëri fitohet, nuk blehet me para.

Komplekset e dyqaneve nuk janë vetëm pika blerjeje, por edhe një lloj bulevardi ku njerëzit shohin çfarë kanë veshur të tjerët, vende takimi ku adoleshentët mblidhen për të kaluar pasditen. Zoti Skyat thotë se meshkujt vijnë në dyqane me pikësynim të qartë për të mbaruar punë, kurse femrat vijnë edhe për të parë vitrinat dhe për të biseduar.

Kevin Skyat thotë se në vende të tjera ku festohet Krishtlindja, atmosfera është modeste dhe ceremonitë përqëndrohen në mjedise familjare. Por askund tjetër nuk ka një paradë më ekstravagante ngjyrash dhe zbukurimesh, sesa në komplekset amerikane të dyqaneve: “Këtu kanë sjellë një kor kishtar që këndon këngët e Krishtlindjes. Njerëzit ulen të dëgjojnë. Ma thotë mendja se disa prej tyre nuk shkojnë më as në kishë, vetëm vijnë këtu e blejnë”.

Kevin Skyat vazhdon të studiojë turmat e blerësve me synimin për të shkruar një libër. Disa gjëra kanë ndryshuar që pasi ai filloi vizitat në komplekset e dyqaneve: janë shtuar masat e sigurisë. Megjithatë, thotë ai, vazhdon e njëjta orgji shpenzimesh të panevojshme.//kk//

XS
SM
MD
LG