Lidhje

Gjenerali Myers: kapja e Sadam Huseinit ka çuar në arrestimin e disa qindra irakianëve - 2003-12-21


Shefi i shtatmadhërisë së Shteteve të Bashkuara, gjenerali Richard Myers, thotë se kapja e Sadam Huseinit javën e kaluar ka çuar në arrestimin e disa qindra irakianëve, përfshirë edhe disa udhëheqësve të kryengritjes anti-amerikane.

Në një intervistë me rrjetin televiziv Fox, gjenerali Myers tha se kapja e Sadamit u bëri të mundur forcave amerikane që të shtinin në dorë informacion, që tregon më mirë strukturën e kryengritjes. Ai shtoi se ish udhëheqësi irakian po bashkëpunon me hetuesit e tij.

Gazeta amerikane The New York Times shkruan se Sadam Huseini i shpëtoi arrestimit për muaj të tërë duke lëvizuar në 20 deri 30 shtëpi të sigurta në pjesën e Irakut të banuar nga myslimanët suni.

Ndërkaq, ministria irakiane e naftës njoftoi se kryengritësit kanë sulmuar dhe dëmtuar qendra në veri dhe në jug të Bagdadit, duke rënduar edhe më shumë mungesat tanimë të medha me naftë të Irakut.

Një zëdhënës i ministrisë së naftës tha sot se kryengritësit goditën me raketa çisterna nafte në jug të kryeqytetit dhe aktivizuan një bombë, e cila dëmtoi një naftësjellës në rajonin Mashada në veri.

Zjarri dhe rrjedhja e naftës, të shkaktuar nga sulmet, bënë që të humbisnin rreth 10 milion litra naftë.

Sulmet kundër naftësjellësve, rafinerive dhe depove të naftës kanë dëmtuar përpjekjet e zyrtarëve amerikanë dhe irakianë për të rindërtuar industrinë e naftës së Irakut. Infrastruktura e naftës e Irakut ishte rënuar para se forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara përmbusën nga pushteti Sadam Huseinin në muajin prill.

Mungesat kanë bërë që të shtohen radhët në stacionet e benzinës dhe i detyruan zyrtarët javën e kaluar që të vendosnin kufizime në blerjen e karburantit. Mendohet se Iraku është vendi i dytë në botë më i pasur me rezerva nafte, pas Arabisë Saudite.

Ndërkohë, ushtria amerikane njoftoi sot për ndalimin e 111 vetave mbrëmë në qytetin e Samaras, në kuadër të sulmeve të vazhdueshme për të shtypur kryengtritjen irakiane.

Ushtria njoftoi se 15 prej të arrestuarve dyshohet se kanë drejtuar sulmet kundër ushtarëve amerikanë.

Dje, kryeministri i Spanjës, Hose Maria Aznar, bëri një vizitë të papritur në Irak për t’u takuar me trupat spanjolle të dislokuara në atë vend. Zoti Anzar vizitoi trupa në qytetin jugor Divanijeh, ku u tha se ata po punojnë për liri, demokraci dhe respet për të drejtën ndërkombëtare.

//ze//

XS
SM
MD
LG