Lidhje

Komuniteti ndërkombëtar bën thirje për rikthimin e demokracisë në Zimbabve - 2003-12-22


Komonuelthi, një shoqatë me pjesëmarrjen vullnetare të 53 vendeve sovrane që dikur përbënin Perandorinë britanike, votoi këtë muaj për të vazhduar pezullimin e Zimbabvesë. Ky pezullim u vendos në muajin mars të vitit 2002 në përgjigje të manipulimeve në zgjedhje, dhunës dhe shtypjes nga ana e qeverisë së presidentit Robert Mugabe. Zoti Mugabe mund ta kthejë përsëri Zimbabvenë në radhët e vendeve të Komonuelthit, thjesht duke i kthyer Zimbabvesë demokracinë. Përkundrazi, ai ka bërë të ditur tërheqjen e Zimbabvesë nga shoqata e vendeve të Komonuelthit.

Veprimi i zotit Mugabe pason një vendim të Këshillit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për të filluar proceduren e përjashtimit të Zimbabvesë, sepse nuk ka respektuar detyrimet e saj ndërkombëtare financiare dhe për ndjekjen e një politike të pa-përgjegjshme ekonomike. Duke ndjekur veprime të tilla që izolojnë edhe më tej Zimbabvenë nga komuniteti ndërkombëtar, zoti Mugabe thellon mjerimin e popullit të vet. Ekonomia e Zimbabvesë është në prag të falementimit. Inflacioni është gati 600 përqind. Ky vend ndeshet me mungesa serioze të artikujve ushqimorë dhe të karburantit dhe një nivel të lartë papunësie. Për të dytin vit me radhë, politikat shkatërrimtare të tokës dhe ato ekonomike do të detyrojnë afro 7 milion zimbabvianë të varen nga ndihmat bamirëse ndërkombëtare ushqimore.

Zimbabvianët të cilët kanë ngritur zërin kundër problemeve në qeverisje janë arrestuar. Ndaj zotit Morgan Çangirai, udhëheqës i partisë së opozitës Lëvizja për Ndryshime Demokratike vazhdojnë të rëndojnë akuzat për tradhëti. Më shumë se 200 veprimtarë të lëvizjes punëtore dhe pro-demokracisë janë arrestuar që nga tetori i këtij vitit sepse kanë tentuar të marrin pjesë në protesta paqesore publike dhe e vetmja gazetë e pavarur e vendit është detyruar të mbyllet.

Presidenti George Bush ka bërë thirrje për reforma demokratike në Zimbabve.

“Angazhimi ynë ndaj demokracisë është provuar në vende si Kuba, Birmania, Koreja e Veriut dhe Zimbabveja- qendrat e shtypjes në botën tonë. Popujt e këtyre vendeve jetojnë në robëri, frikë dhe heshtje,” tha presidenti.

Por udhëheëqsit e këtyre vendeve, shtoi presidenti Bush, “nuk mund t’ua mohojnë popujve të tyre lirinë përgjithmonë, dhe një ditë nga kampet e qelitë e burgjeve dhe nga mërgimi, do të lindin udhëqësit e demokracive të reja.”

//ad//

XS
SM
MD
LG