Lidhje

SHBA: administrata rrit nivelin e kërcënimit nga sulmet terroriste - 2003-12-22


Presidenti Bush u takua me këshilltarët e tij të lartë të sigurisë kombëtare, një ditë pasi zyrtarët amerikanë rritën nivelin e gatishmërisë në vend, si përgjigje ndaj sulmeve të mundëshme terroriste.

Shefi i departamentit të sigurisë kombëtare, Tom Ridge tha pas takimit se po merren masa për t’ju përgjigjur çdo sulmi. Megjithatë ai u bëri thirrje amerikanëve të mos i ndryshojnë planet e tyre për festat.

Sigurimi në aeroporte, stacionet e trenave dhe autobuzëve dhe tunele është shtuar pas njoftimit të djeshëm se mund të jenë planifikuar sulme gjatë sezonit të festave dhe më pas. Sekretari Ridge u tha gazetarëve se mjetet e zbulimit tregojnë se kërcënimi është më i larti që nga sulmet e 11 shtatorit.

Presidenti vendosi të djelën të rrisë nivelin e gadishmërisë ndaj kërcënimeve terroriste. Sot në mëngjes ai thirri këshilltarët e tij për sigurinë kombëtare për të diskutuar hapat që po merren në mbarë vendin.

Sekretari për sigurinë kombëtare tha se qeverive vendore dhe federale u janë dhënë udhëzime. Por Tom Ridge tha se jo të gjitha masat e marra do të bëhen publike.

"Për arsye të sigurisë kombëtare, nuk do të bëjmë të njohura të gjitha masat", tha sekretari Ridge.

Duke folur me gazetarët pas takimit me presidentin, sekretari i departamentit të sigurisë kombëtare theksoi faktin se amerikanët duhet të vazhdojnë me planet e tyre për festa.

Kjo është hera e pestë që niveli i gadishmërisë rritet në nivelin e ngjyrës portokalli që kur u vendos sistemi i kodeve me ngjyra në mars të vitit 2002.

//rd//

XS
SM
MD
LG