Lidhje

Lindja e Mesme dhe plani i paqes - 2003-12-22


Lindja e Mesme ka qenë në qendër të ngjarjeve botërore gjatë gjithë këtij viti. Megjithëse nuk ka dyshim që Iraku kishte përparësinë kryesore, një vëmendje e madhe iu kushtua edhe konfliktit izraelito-palestinez dhe perspektivave për t’i dhënë fund atij. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Sonja Pace njofton nga Jeruzalemi se në atmosferën e një plani ndërkombëtar zyrtar paqeje, disa nismave jozyrtare dhe një prirje të ndjeshme e qeverisë së djathtë izraelite drejt veprimit të njëanshëm, paqja mbetet ende e largët.

Lufta në Irak zgjoi spekulime të shumta për një ringjallje të Lindjes së Mesme me më shumë demokraci, shoqëri më të hapura dhe zhvillim më të vrullshëm demokratik.

Për një farë kohe, konflikti izraelito-palestinez kaloi në plan të dytë. Por pas ndërhyrjes në Irak, Shtetet e Bashkuara filluan të bëjnë përpjekje për një zgjidhje të mosmarrëveshjes përmes një plani paqeje.

Për herë të parë kjo nismë u bë publike dhe iu bë e njohur të dyja palëve në fund të prillit.

Më pas doli në skenë edhe vetë Presidenti Bush. Më 4 qershor ai foli duke patur përkrah Kryeministrin izraelit Ariel Sharon dhe Kryeministrin e atëhershëm palestinez, Mahmoud Abbas, në Aqaba të Jordanisë.

“Të gjithë ne këtu sot kemi një qëllim të përbashkët: një shtet palestinez dhe një shtet izraelit duhet të jetojnë së bashku në Tokën e Shenjtë, në paqe me njëri-tjetrin dhe me të gjitha vendet e tjera të Lindjes së Mesme”, tha Presidenti Bush.

I hartuar kryesisht nga Shtetet e Bashkuara me pjesëmarrjen e Rusisë, Bashkimit Evropian dhe OKB-së, plani i paqes e ka bazën në disa propozime të mëparshme që nuk ishin vënë në jetë për një marrëveshje armëpushimi. Në këtë plan paqeje bëhet thirrje që t’i jepet fund dhunës dhe të rifillohen negociatat që do t’i hapnin rrugën një marrëveshjeje përfundimtare paqeje dhe krijimit të një shteti të ri palestinez deri në fund të vitit 2005.

Në Aqaba, si Izraeli, ashtu edhe palestinezët e mbështetën planin e paqes.

Por asnjëra nga palët nuk bëri shumë përpjekje për të filluar zbatimin e tij. Dhe secila nga palët fajësoi tjetrën për dështimin.

Gjenerali izraelit në pension Shlomo Brum është bashkëpunëtor i vjetër shkencor dhe analist politik në Qendrën Jaffee për Studime Strategjike të Tel Avivit. Ai thotë se plani kishte një të metë që në koncept.//ii

XS
SM
MD
LG