Lidhje

Kosovë: autoritetet më të larta të vendit uruan besimtarët katolikë dhe ipeshkvinë me rastin e Krishtlindjeve - 2003-12-23


Autoritetet më të larta vendore të Kosovës dhe udhëheqësit e partive kryesore politike në vend uruan qytetarët e Kosovës dhe besimtarët e krishterë në veçanti për festën e Krishtlindjeve, duke theksuar dëshirën për paqe dhe zhvillim.

Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova tha në urimin e tij se kjo është një ditë e bardhë e lindjes së Krishtit, ditë e paqes, e mirëkuptimit dhe e dashurisë për njëri-tjetrin. “Kjo është festë e frymëzimit për vepra të mira e për njerëzi,” tha presidenti Rugova, i cili uroi gjithashtu papën Gjon Pali i Dytë dhe imzot Mark Sopin, ipeshkv i Ipeshkvisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, uroi qytetarët e Kosovës me rastin e Krishtlindjeve duke theksuar rëndësinë e kësaj dite. "Është kjo ditë dhe festë e ringjalljes, hapjes së zemrës, dhënjes së ndihmës dhe shtrirjes së dorës vëllazërore ndaj njëri-tjetrit", thuhet në mesazhin e kryeministrit Bajram Rexhepi për festën e Krishtlindjeve.

Kryetari i parlamentit të Kosovës, Nexhat Daci, uroi gjithashtu të gjithë qytetarët e Kosovës për festën e krishtlindjeve, duke uruar mirëqenie, shëndet e mirëkuptim, harmoni e paqë shpirtërore. "Krishtlindjet në Kosovë ka kohë që janë festë tradicionale, festë e tubimit familjar”, thotë kryetari i parlamentit të Kosovës duke shtuar se Kosova dhe qytetarët e saj Krishtëlindjet i presin me një vargë suksesesh në rrugën e vet të zhvillimit dhe emancipimit, si shoqni dhe civilizim evropian si qytetarë të lirë e të dinjiteshëm".

Muftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i uroi Krishtlindjet Ipeshkvit Mark Sopi dhe të gjithë besimtarëve katolikë të Kosovës duke theksuar dëshirën për shëndet, lumturi dhe mirëqenie. “Populli shqiptar i Kosovës, historikisht, edhe në të kaluarën po edhe sot, ka ditur t’i çmojë vlerat humane dhe vazhdimisht ka çmuar tolerancën e mirëkuptimin e ndërsjellë. Edhe ne, duke u bazuar në këto vlera, kemi zhvilluar një bashkëpunim solid, i cili në të ardhmën shpresojmë të jetë edhe më i lartë dhe i frytshëm”, thuhet në urimin e muftiut të Kosovës Naim tërnava.

Udhëheqësit e partive kryesore politike të Kosovës uruan gjithashtu qytetarët e Kosovës dhe imzot Mark Sopin për festën e Krishtlindjeve, duke theksuar dëshirën për paqe dhe përparim.

//ze//

XS
SM
MD
LG