Lidhje

Shqipëri: buxheti dhe përparësitë e tij - 2003-12-23


Parlamenti në Shqipëri është në valën e debateve për buxhetin e vitit 2004. Deputetët socialistë dhe ministrat e qeverisë po e mbrojnë atë si një buxhet që do të sjellë më shumë zhvillim në vitin e ardhshëm. Ndërsa deputetët e opozitës mendojnë se ai është një buxhet i krizës dhe rëndim i taksave në kurriz të tregtarëve dhe qytetarëve shqiptarë. Për të biseduar mbi buxhetin dhe gjendjen e ekonomisë, Zëri i Amerikës ftoi për një diskutim, ministrin e ekonomisë Arben Malaj dhe sekretarin e përgjithshëm të Partisë Demokratike, ish ministër i financave, Ridvan Bode.

Zëri i Amerikës: Zoti Malaj, le ta fillojmë me ju. Në radhë të parë, a ka kuptim të debatohet për buxhetin kur qeveria i ka ende bosh dy nga postet më të rëndësishme të saj dhe është në prag të një riorganizimi, nëse mund të shprehemi kështu?

Arben Malaj: Unë besoj se qeveria ka bazën kushtetuese për të funksionuar, momenti i parë. Momenti i dytë, qeveria ka obligimin kushtetues për ti paraqitur parlamentit buxhetin dhe çka është më e rëndësishme buxheti i miratuar nga parlamenti si të thuash i jep parlamentit pronësinë për këtë buxhet dhe e bën qeverinë të detyrueshme për të respektuar të gjithë treguesit e këtij buxheti të miratuar në parlamentin e një vendi.

Zëri i Amerikës: Zoti Bode, opozita thotë se projekt-buxheti për vitin 2004 shënon një rritje të mëtejshme të taksave për popullatën. Por qeveria thotë se taksat janë pjesë e reformës dhe se niveli i mbledhjes së taksave në Shqipëri është mjaft i ulët krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Komenti juaj, ju lutem.

Ridvan Bode: Është e vërtetë që një nga çështjet më të debatueshme në pritje të miratimit të buxhetit në parlament ka qënë çështja e nivelit të taksave. Aktualisht qeveria kërkon edhe njëherë të hedhë si të thuash një ngarkesë të re mbi shumë anë të biznesit shqiptar që ende vazhdon të mbetet i paorientuar dhe i pambështetur në kuptimin e politikave të qëndrueshme dhe përkrahëse nga ana e qeverisë. Nga ana tjetër, buxhetet familiare ndodhen tërësisht të ekspozuara përballë lëvizjeve shumë të shpeshta që bën qeveria në fushën e taksave. Janë disa taksa që vendosen për herë të parë ndërkohë që akcizat rriten me rreth 30 përqind të nivelit të tyre aktual të të gjithë karburanteve dhe kjo shoqërohet me një krizë të përgjithshme energjitike, me një rritje të çmimeve të energjisë elektrike, me rritje të telefonisë fikse, sikurse edhe me një rritje të pritshme të gjithë çmimit të mallrave në treg për shkak se transporti, karburanti, energjitika përbën thelbin e kostos së prodhimeve shqiptare. Mendoj që në tërësi lëvizja kaq e papritur dhe kalimi nga një sistem në një sistem tjetër, nga një taksë në një taksë tjetër mendoj që e çorienton më tej biznesin dhe konsumatorin shqiptar dhe e bën tregun shqiptar tërësisht të ekspozuar përballë rritjeve ende të panjohura dhe ende të pa marrë në konsideratë në strategjitë investuese që bëjnë bizneset. Kjo reflekton në një fenomen tjetër negativ. Shqipëria ka të njëjtin nivel taksash që kanë të gjitha vendet e tjera të rajonit, në mos po më të larta. Krahasuar me Maqedoninë është e vërtetë që ka disa taksa dhe në tërësi i ka taksat më të larta. Por në tërësi rendimenti fiskal është më i ulti nga të gjitha vendet në tranzicion. Ne nxjerrim vetëm 19 përqind të prodhimit të brendshëm bruto në formën e të ardhurave fiskale...

Zëri i Amerikës: Le ta lëmë zotin ministër të përgjigjet. Zoti ministër cili është komeni juaj?

Arben Malaj: Sigurisht paraqitja e buxhetit e obligon qeverinë të japë vizionin e saj për zhvillimet e ardhëshme ekonomike të vendit dhe qeveria në këtë buxhet parashikon që rritja ekonomike në vend të jetë 6 përqind, që inflacioni të jetë 2 deri në 4 përqind, që defiçiti buxhetor të jetë 4 presje 6 përqind. Kjo është mbështetja më e madhe që i jepet zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare ku bazohemi realisht në reforma, në investimet e buxhetit dhe në investime në rritje të biznesit privat. Pra zhvillimi i ekonomisë shqiptare nuk mund të realizohet thjesht dhe vetëm nga buxheti por nga një ambjent i ri ekonomik ku hapësirat vijnë në rritje për investimet e buxhetit, për biznesin privat dhe atë të huaj.

Zëri i Amerikës: Zoti Malaj, përse qeveria nuk kujdeset për të përmirësuar mekanizmin e mbledhjes së taksave se sa për të rritur taksat, kur dihet që mangësitë në këtë drejtim janë aq të mëdha?

Arben Malaj: Është e vërtetë që mbledhja e të ardhurave, marrëdhënia midis administratës fiskale dhe biznesit janë një sfidë e qeverisë shqiptare por nuk është e vërtetë që ka një rritje të barrës pasi realisht mbledhja e të ardhurave në buxhet, në total, pa i ndarë thjesht në fiskale dhe jofiskale është vetëm 24 përqind. Qeveria shqiptare realisht është e angazhuar në programe, aq sa kërkesa zyrtare e saj për një studim të plotë për faktorët e rritjes dhe sidomos për ekonominë informale është mbështetur nga OECD dhe nga donatorë të tjerë. Qeveria e mbështet zhvillimin e vendit tek reforma dhe jo thjesht tek iniciativa dhe tek forca shtytëse e administratës fiskale.

Zëri i Amerikës: Zoti Bode, ju keni qenë ministër i financave dhe ndoshta do të ishte me vend t’ju pyesnim se, nëse do të ishit tani ministër, sot, si do ti balanconit ju kërkesat e institucioneve ndërkombëtare për masa të ashpra ekonomike dhe nga ana tjetër kërkesat për të mbajtur një nivel më të ulët taksash, për të dëmshpërblyer ish të përndjekurit dhe për kompensimet e pronave.

Ridvan Bode: Mendoj që politikat qeverisëse nuk synojnë një ambjent bosh, nuk synojnë një ekonomi virtuale që komandohet sipas interesave apo dëshirave të qeveritarëve por vepron mbi një terren konkret. Mendoj se terreni mbi të cilin vepron qeveria aktuale është krejt tjetër nga ai që parandjen dhe paramendon qeveria në masat që propozon dhe që merr. Ne jemi në një ekonomi ku informaliteti është jashtëzakonisht i madh. Rreth një e treta, deklaron kryeministri, është ekonomi informale, të tjera raporte dhe studime rajonale bëjnë të ditur se më shumë se gjysma e ekonomisë shqiptare është një ekonomi që nuk është futur ende nën formalizimin ligjor të pagimit të taksave, të regjistrimit dhe kryerjeve të aktiviteteve të ligjshme. Dhe kjo përbën elementin më të dukshëm dhe në gjithë buxhetin që miratohet qeveria kujdeset vetëm për të përmbushur në mënyrë aritmetike buxhetin e shtetit dhe abstragon nga nevoja për të ulur barrën e taksave dhe për të bërë më atraktiv si të thuash formalizimin e gjithë bizneseve që ekzistojnë në Shqipëri. Në vend që të shkohet drejt zbutjes së nivelit të taksave për të tërhequr në ekonominë formale, legale, një numër gjithnjë e më të madh biznesesh, këtu vazhdojnë të rriten pengesat, rriten barierat për të hyrë në tregun formal. Dhe unë mendoj që kjo përbën një problem shumë të madh. Në atë çka parashikon qeveria aktualisht, synon që në vitin 2004 të ardhurat e buxhetit të shtetit të rriten në krahasim me vitin 2003 me shifra diku tek 9 përqind, ndërkohë që parashikon një rritje të prodhimit të brendshëm të përgjithshëm prej 6 përqind dhe po ashtu një inflacion prej 4 përqind. Taksa të reja janë vendosur dhe janë në shumëfish të taksave ekzistuese të mëparshme me të cilat pretendon qeveria se ka zëvendësuar taksën e rrugës Durrës-Kukës. Dhe në tërë këtë mori lëvizjesh shifrash asgjë nuk parashikon qeveria që të tërheqë në rrugën e formalizimit ligjor të paktën 5 përqind të asaj ekonomie gri që vazhdon të jetë kërcënuese dhe që shkatërron iniciativën private që nuk po mund të mbijetojë në treg pikërisht për shkak të influencës që vjen prej këtyre segmenteve të ekonomisë informale që lidhen me nivele të larta të qeveritarëve, me bizneset e tyre. Pikërisht këtu duhet të jetë edhe interesimi kryesor i qeverisë në situatën aktuale.

Zëri i Amerikës: Zoti Malaj, a ju shqetëson fakti që qeveria ende nuk ka një mekanizëm kontrolli për informalitetin e ekonomisë, qoftë edhe për matjen e tij?

Arben Malaj: Jo vetëm që nga shqetëson por është prioritet, dhe kjo nuk është deklaratë, nuk është perceptim i përgjithshëm. Qeveria shqiptare në mënyrë zyrtare ka paraqitur kërkesën dhe ka gjetur mbështetjen për të bashkëpunuar me organizatat më të specializuara që ky element i ekonomisë shqiptare të vihet në qendër të përmirësimeve të ardhshme. Nuk është se ka pasur kritika por ne nuk jemi të kënaqur me ritmet e reduktimit të ekonomisë informale në ekonominë shqiptare dhe kjo mbetet një sfidë për të ardhmen.

XS
SM
MD
LG