Lidhje

Rripi i Gazës: vriten tetë palestinezë - 2003-12-23


Zyrtarë palestinezë thanë se të paktën 8 palestinezë u vranë dhe më tepër se 30 të tjerë u plagosën, midis të cilëve edhe disa fëmijë, gjatë një inkursioni izarelit në pjesën jugore të Rripit të Gazës.

Trupa izraelite me tanke dhe autoblinda kryen sot një sulm në kampin e refugjatëve Rafah, në atë që ushtria izraelite e cilësoi si pjesë të përpjekjeve të vazhdueshme për gjetjen dhe shkatërrimin e tuneleve nëpër të cilët kalojnë armë kontrabandë nga Egjipti në Gaza.

Numri i djeshëm i të vrarëve ishte më i larti që nga koha kur forcat izarelite kryen një sulm në një kamp refugjatësh në muajin tetor, ku gjetën vdekjen 14 palestinezë. Të hënën vonë, nga aktet e dhunshme u vranë gjithashtu 2 ushtarë izraelitë dhe një ekstremist palestinez në Gaza.

Kryenegociatori palestinez Saeb Erekat e dënoi sulmin e djeshëm, i cili u krye ndërsa bëheshin përpjekje për rifillimin e bisedimeve të paqes. Edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Annan bëri një deklaratë në të cilën dënoi me fjalë të ashpra inkursionin izraelit, duke thënë se Izraeli, si një fuqi pushtuese, duhet të mbrojë civilët.

Policia izraelite njoftoi për arrestimin e disa palestinezëve në lidhje me sulmin e së hënës kundër ministrit të jashtëm egjiptian, Ahmed Maher në xhaminë Al-Aksa të Jeruzalemit. Zyrtari palestinez Faruk Kadomi ndodhet në Kairo për të kërkuar falje për incidentin, gjatë të cilit palestinezë të zemëruar për shkak të takimit të zotit Maher me kryeministrin izraelit Ariel Sharon shtynë dhe sulmuan diplomatin egjiptian.

Në akte të tjera dhune, trupat izraelite hapën zjarr dhe vranë një palestinez në Bregun Perëndimor. Ushtria izraelite tha se trupat u sulmuan dhe u përgjegjën duke hapur zjarr.

//ze//

XS
SM
MD
LG