Lidhje

Zyrtarët francezë anullojnë disa fluturime midis Parisit dhe Los Angjelosit për shqetësime sigurie - 2003-12-25


Zyrtarë francezë thonë se udhëtimet e anulluara ajrore nga Parisi për në Los Angjelos e anasjelltas ishin planifikuar për të mërkurën dhe të enjtën. Zyrtarë të Departamentit amerikan të Sigurisë Kombëtare u takuan kohët e fundit me zyrtarë francezë dhe në një deklaratë të qeverisë franceze thuhet se vendimi për anullimin e fluturimeve u mor duke u mbështetur në informacion të mbledhur në kuadër të luftës kundër terrorit.

As zyrtarët amerikanë dhe as ata francezë nuk kanë folur për natyrën e kërcënimit.

Los Angjelosi ka një ndër aeroportet me trafikun më të dendur në botë. Ai ishte objektivi i një komploti të një shtetasi algjerian për ta hedhur në erë diku rreth vitit të ri 2000. Vendimi për anullimin e fluturimeve u mor thuajse ditën e dy vjetorit të arrestimit të shtetasit britanik, Richard Reid, i cili nuk arriti të aktivizonte lëndët plasëse të fshehura në këpucët e tij për të hedhur në erë avionin me të cilin po udhëtonte nga Parisi për në Miami.

Pas sulmeve terroriste në Nju Jork dhe në afërsi të Uashingtonit, aeroporti i Los Angjelosit u mbyll për dy ditë dhe u ndalua për dy muaj përdorimi nga makina private i një rruge që lidh terminalet e aeroportit.

Këtë javë, Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare e rriti nivelin e rrezikut nga sulmet terroriste nga kërcënim i shtuar në të lartë duke u mbështetur në atë që zyrtarët e cilësojnë si ”shtim i numrit të njoftimeve të zbulimit mbi kërcënimet terroriste”. Si rrjedhim, në aeroportin e Los Angjelosit u vunë përsëri në zbatim masa të rrepta sigurimi, të cilat po shkaktojnë vonesa. Megjithatë një nga udhëtarët nuk mërzitet. “Këto masa janë të domosdoshme në mënyrë që të mbrohen të gjithë udhëtarët. Nuk ka dyshim se ato janë të bezdisshme, sidomos përsa i përket kohës që duhet pritur këtu, por unë mendoj se ato janë masa të duhura”. Pritet që mbi 2 milionë e 500 mijë udhëtarë të kalojnë nëpër aeroportin ndërkombëtar të Los Angjelosit gjatë festave të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri. //az//

XS
SM
MD
LG