Lidhje

Papa Gjon Pali dhe kandidatët e tij pasardhës - 2003-12-25


Fizikisht i dobësuar, sivjet Papa Gjon Pali i dytë festoi 25 vjetorin në krye të Kishës Katolike. Festimet arritën kulmin me një ceremoni madhështore në sheshin e Shën Pjetrit, përfshi emërimin e 31 kardinalëve të rinj të cilët do të zgjedhin pasardhësin e Papës.

Gjon Pali i Dytë njihet si një nga papët më të shquar të kohëve moderne, që ka demonstruar forcën e tij përmes besimit dhe vendosmërisë morale. At Thomas Reese është redaktor i revistës së përjavshme katolike, America. Ai thotë se papa do të kujtohet si një udhëheqës i madh dhe figurë morale e shquar.

"Mendoj se ai do të mbetet në histori si një nga udhëheqësit më të rëndësishëm botërorë në gjysmën e dytë të shekullit të 21-të", thotë at Reese.

Papa Gjon Pali i Dytë është njeriu që ka qendruar më gjatë në krye të Kishës katolike. Ai ka prekur disa nga çështjet më të komplikuara morale dhe sociale të çerek shekullit të fundit. Në arenën botërore Papa Gjon Pali shihet si një figurë e madhe bashkimi. At Reese thotë se papa ka dhënë kontribute të shquara, përfshi rolin në shpërbërjen e bllokut sovjetik përmes mbështetjes së tij ndaj lëvizjes polake Solidarnost.

John Allen është komentator i gazetës National Catholic në Vatikan. Ai thotë se Papa Gjon Pali ka bërë të mundur arritjen e përparimeve të mëdha përmes diplomacisë ndër-fetare. “Ai ka ftuar tre herë udhëheqësit fetar të botës për tu bashkuar me të në një lutje të përbashkët për paqe. Qasja e tij ndaj botës islame, hebraike dhe ortodokse ka qënë historike” thotë gazetari.

Por ndësa shihet si një forcë bashkuese në arenën ndërkombëtare, Papa Gjon Pali konsiderohet edhe si një forcë përçarëse brenda kishës së tij. Disa e shohin atë si një konservator të papendueshëm.

John Allen thotë se kjo është paradoksale. “Ai ka mbajtur qëndrime të prera për çështje si shugurimi i grave si priftëresha, kontrolli artificial i lindjeve, të drejtat e homoseksualëve, ekuilibrit të forcës midis Romës dhe kishave lokale, ka emëruar peshkopë konservatorë në shumë vende” thotë zoti Allen.

Papa Gjon Pali i Dytë ka emëruar shumicën e 135 kardinalëve që janë tani nën moshën 80 vjeçare dhe që do të votojnë për zgjedhjen e papës pasardhës me votim të fshehtë. Papa 83 vjeçar vazhdon të dobësohet fizikisht nga sëmundja e Parkinsonit dhe të tjera por megjithatë ai vazhdon ta ketë kishën nën kontroll.

Shëndeti i tij jo i mirë ka rritur spekulimet se cili do të jetë pasuesi i tij. Disa emra janë përmendur përfshi disa latinoamerikanë, thotë John Allen:

“Jorje Mario Bergolio nga Buenos Aires, kardinali Oscar Rodrigez Maradiaga nga Hondurasi dhe i treti kardinali Godfrey Doneilles nga Brukseli. Dy nga këta të tre janë latinoamerikanë dhe ekziston mendimi se nëse të gjitha cilësitë e tjera janë të barabarta, kardinalët do të zgjidhnin një udhëheqës nga bota e tretë.

Por cili do të jetë ai, nuk mund të dihet me siguri. John Allen i gazetës Nationals Catholic Reporter thotë se kjo detyrë kërkon shumë cilësi dhe se asnjë kandidat nuk i plotëson të gjitha kushtet. Dhe zakoni e ndalon lobizmin për këtë post.

Në Vatikan ka një thënie sa herë që vjen fjala për zgjedhjen e pasardhësit: “ata që flasin nuk dinë gjë dhe ata që dinë nuk flasin.”

XS
SM
MD
LG