Lidhje

Iraku pas rrëzimit të regjimit të Sadam Huseinit - 2003-12-27


Viti 2003 ka shumë të ngjarë të mbahet mend si viti që detyroi përfundimin e diktaturës së Sadam Huseinit në Irak. Pas shumë vite përpjekjesh të komunitetit ndërkombëtar për ta detyruar udhëheqësin irakian që të zbatonte rezolutat e Kombeve të Bashkuara lidhur me sistemet e armëve të Irakut, Shtetet e Bashkuara kryesuan një koalicion për t’i dhënë fund me shpejtësi regjimit irakian.

Udhëheqësit e botës arabe dhe analistët politikë nuk e vunë kurrë në dyshim se ndërhyrja ushtarake e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak do t’i jepte fund regjimit të Sadam Huseinit. E papritura ishte shpejtësia me të cilën forcat e koalicionit ishin në gjendje të mundnin ushtrinë irakiane. Madje irakianët dhe shumë të tjerë në botën arabe u tronditën kur forcat e koalicionit u duk se e morën Bagdadit pa luftime.

Ndërkohë që udhëheqësit irakianë vazhdonin të mburreshin se Iraku do ta fitonte luftën, tanket amerikane hynin në qendër të kryeqytetit. Më 9 prill, bota pa se si irakianët, me ndihmën e marinsave amerikanë rrëzuan një statujë madhështore të Saddam Huseinit në qendër të Bagdadit. Në veri, forcat e koalicionit siguruan qytete kyçe, përfshirë Mosulin dhe Kirkukun. Më 1 maj, më pak se një muaj e gjysëm pas fillimit të luftës, presidenti Bush i deklaroi të përfunduara operacionet kryesore luftarake në Irak.

Një autoritetet i përkohshëm i koalicionit i emëruar nga Shtetet e Bashkuara u krujua për të mbikqyrur riundërtimin dhe sigurinë në Irak. Shumë irakianë u përfshinë nga euforia si rezultat i rënies së regjimit brutal irakian dhe partisë Baath në pushtet.

Në korrik, irakianët filluan të pyesnin se pse forcat e koalicionit nuk kishin qënë në gjendje të gjenin armët e shkatërrimit në masë, të cilat u cituan nga presidenti Bush dhe kryeministri britanik, Tony Blair, si arsyeja e fillimit të luftës në Irak.

Kjo ishte një pyetje që po bëhej në gjithë botën arabe dhe sipas analistit të çështjeve politike dhe profesorit Mohamed al-Musfr në Universitetin e Katarit, mbështetja e botës arabe nuk ekziston më.

“Para luftës, ndërhyrja e forcave të koalicionit u mirëprit nga shumë njerëz nëpër rrugë, por pas ndërhyrjes njerëzit ndryshuan mendim. Madje ata ndryshuan edhe qëndrim ndaj Shteteve të Bashkuara, sepse ata mendonin se ndërhyrja ishte e bazuar në informacione të rreme rreth kërcënimeve ndaj rajonit dhe popullit të Irakut. Mund të them se rreth 80 përqinmd e njerëzve ndryshuan mendim ndaj Shteteve të Bashkuara,” thotë profesori.

Gjatë muajve të verës, ekstremistë dhe besnikë të Sadam Huseinit filluan t’i shtojnë sulmet jo vetëm kundër forcave të koalicionit, por edhe kundër çdokujt që mendohej se bashkëpunonte me koalicionin.

Në fillim të nëntorit, Kombet e Bashkuara i kërkuan Këshillit Qeverisës Irakian që të caktonte një afat për mbajtjen e zgjedhjeve dhe për këtë u caktua qershori i vitit 2004.

Sipas drejtorit të qendrës al-Quds për studimet politike në Jordani, Uraib el-Rantawi, mbajtja e zgjedhjeve në Irak do të jetë kritike në se Shtetet e Bashkuara duan të ndryshojnë ndjenjat anti-amerikane në rritje në gjithë rajonin.

“Kalimi i pushtetit vetë irakianëve; krijimi i kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve në Irak; caktimi i një afati për tërheqjen e forcave amerikane nga Iraku; trajimi i popullit irakian në një mënyrë të përshtatshme dhe jo nga pozitat e një force pushtuese,” thotë zoti Uraib el-Rantawi.

Dhe sipas mendimit të dekanit të fakultetit ekonomik të Universitetit të Kairos, Abdel Khalek Gouda, e ardhmja e ekonomisë së Irakut varet nga krijimi i një sistemi politik pa të çara. Por zoti Gouda thotë se transformimi i ekonomisë së Irakut do të jetë një proces i vështirë dhe i gjatë. Ai shton se për dekada me rradhë populli i Irakut ka ditur vetëm si të funksionojë nën një diktaturë të korruptuar.

Dhe ndërsa shumë irakianëve mund të mos u pëlqejë që forcat amerikane të mbajnë të pushtuar vendin e tyre, viti 2003 përfundoi me festime nëpër rrugë në pjesën më të madhe të Irakut dhe me shprehje të mirënjohjes së madhe për kapjen e njeriut, që fajësohet nga shumë irakikanë për vrasjen brutale të dhjetra mijëra bashkëatdhetarëve të tyre. //ad//

XS
SM
MD
LG