Lidhje

Iran: vazhdojnë përpjekjet e shpëtimit pas tërmetit të djeshëm - 2003-12-27


Punonjësit e ekipeve të shpëtimit në qytetin Bam në Iran vazhdojnë përpjekjet për të nxjerrë nga rrënojat viktimat e tërmetit të fuqishëm, i cili, siç thanë zyrtarët, shkaktoi vdekjen e rreth 20 mijë vetëve. Ministria e Brendshme e Iranit tha sot se 30 mijë veta të tjerë u plagosën nga tërmeti që shkatërroi qytetin e lashtë kur pjesa më e madhe e banorëve ishin në gjumë. Pavarësisht nga përpjekjet intensive për shpëtim, temperaturat shumë të ulëta gjatë natës i kanë pakësuar shpresat për të gjetur persona gjallë. Shtetet e Bashkuara, Kombet e Bashkuara dhe shumë vende të tjera dhe organizata ndërkombëtare po i përgjigjen thirjes së presidentit iranian Mohamad Khatami për ndihmë.

Sot në agim ekipet e shpëtimit dhe qytetarë të ndryshëm në qytetin e goditur nga tërmeti vazhdonin të gërmonin me lopata dhe me duar në përpjekje për të gjetur persona të mbetur gjallë.

Rreth 80 mijë vetë jetojnë në qytetin Bam dhe rrethinat e tij dhe zyrtarët iranianë thonë se 70 për qind e komplekseve të banimit në qytet ishin shkatërruar. Zyrtarët iranianë po e përshkruajnë tërmetin e së premtes si një katastrofë e pabesueshme.

Ndërkohë që temperaturat kanë shkuar në afro zero gradë celcius, disa mijëra banorë u detyruan ta kalojnë natën përjashta.

Sot shumë banorë qëndronin pranë kufomave të të afërmve të mbështjella me batanije, kurse të tjerët i sillnin trupat e viktimave në varrezat e qytetit.

Njoftohet se dhjetëra aeroplanë ushtarakë janë mobilizuar për të evakuuar të plagosurit për në qendra mjeksore në Teheran dhe qytete të tjera, kurse Kombet e Bashkuara po organizojnë dërgimin e ndihmave, përfshirë batanije, tenda, ilaçe dhe ushqime.

Presidenti Mohamad Khatami, i cili shpalli tre ditë zie kombëtare për viktimat, tha se kjo është një fatkeqësi tepër e madhe natyrore. Ai shtoi se Irani nuk do të jetë në gjendje të përballojë të gjitha nevojat që do të pasojnë atë që mund të jetë katastrofa më e rëndë që ka goditur ndonjëherë këtë vend. //ad//

XS
SM
MD
LG