Lidhje

Bota e teknologjisë ndryshon vazhdimisht - 2003-12-28


Produkti më i pëlqyer këtu në Shtetet e Bashkuara është diçka e quajtur TIVO që është pjesë e një grupi të tërë produktesh që quhen video regjistratorë personalë. Eksperti i kompjuterave Peter Meyers thotë se ato janë praktikisht është paisje video dixhitale ku mund të regjistrosh emisionet e televizionit dhe t’i shohësh kur të duash. Zoti Meyers thotë se një ndryshim tjetër që solli viti i ri 2003, ishte edhe celulari televizor, si ai që doli në Korenë e Jugut.

“Ky është një drejtim tjetër ndryshimesh, përdorime të reja të celularit. Më parë vetëm mund të bëje një telefonatë dhe për shumë njerëz kjo ishte e mjaftueshme. Ndërsa tani ka celularë që mund të përdoren edhe si ndihmës dixhitalë, për të dëgjuar muzikë dhe si kamera. Sipas një raporti të kohëve të fundit, celularët të pajisur me kamera do të jenë prodhimi i ri më i suksesshëm në treg që nga koha kur doli DVD-ja”.

Por përveç zhvillimeve ka patur edhe aspekte negative në botën e teknologjisë. Eksperti thotë se asnjëherë më parë nuk ka patur në kompjutera më shumë postë elektronike të padëshiruar sesa tani, më shumë reklama të padëshiruara dhe viruse të përhapura. Ai i referohet një statistike, sipas së cilës të paktën një e treta e mesazheve të padëshiruara që qarkullon në internet është dërguar nga kompjutera personalë që janë goditur nga viruse.

“Në shumë vende po merren nisma ligjore në këtë drejtim, por për momentin ligjet nuk janë në gjendje të ndalin postën e padëshiruar dhe ata që i krijojnë viruset. Në fakt gjithçka do të varet nga një zgjidhje teknologjike që nuk është gjendur ende, megjithatë po bëhen përpjekje”, thotë zoti Meyers.

Megjithëse ai nuk pret që kjo zgjidhje të gjendet në vitin 2004, zoti Meyers parashikon lajme pozitive në disa drejtime të tjera për vitin 2004. Ai thotë se në Shtetet e Bashkuara industria teknologjike po rritet. Megjithatë zoti Meyers shton se shumë nga vendet e punës në këtë industri po shkojnë jashtë Amerikës. Kompanitë amerikane po hapin vende pune të shërbimit ndaj klientëve dhe programeve kompjuterike në vendet e botës njerëzit dinë anglisht. India është një nga destinacionet kryesore.

//ze//

XS
SM
MD
LG