Lidhje

Serbi: mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare - 2003-12-28


Mbi 8500 vendvotime, në 180 komuna të Serbisë, janë mbyllur në ora njëzetë, kurse zgjedhjet sipas njoftimeve nga terreni kanë kaluar pa ndonjë parregullësi dhe janë zhvilluar në frymën demokratike dhe fer. Komisioni republikan i zgjedhjeve dhe organizata joqeveritare CESID, kanë kumtuar pak më parë se në votime kanë dalë mbi 55 përqind e zgjedhësve prej 6,5 milion qytetarë me të drejtë vote, dhe zgjedhjet vlerësdohen si shumë të suksesshme.

Rezultatet e para jozyrtare për përqindjen e votave që kanë fituar partitë dhe koalicionet do t’i bëjë të ditura CESID dhe shtabet e partive politike sonte në ora 22, por edhe Komisioni republikan i zgjedhjeve i cili duhet t’i shpallë rezultatet përfundimtare zyrtare 96 orë pas mbylljes së vendvotimeve. Për 250 vende në parlament kanë konkuruar 4 mijë e 245 kandidatë të propozuar në 19 lista të përbëra nga 12 parti, gjashtë koalicione dhe një grup qytetarësh, me gjithshej rreth 70 parti.

Zgjedhjet janë mbjatur edhe në zonat serbe në Kosovë. Kurse shqiptarët e komunave Preshevë, Bujanoc e Medvegjë nga jugu i Serbisë, i kanë bojkotuar edhe këto zgjedhje me arsyetimin se pushteti aktual serb vazhdon të zbatojë ligjet e regjimit të Millosheviqit.

Këto janë zgjedhjet e gjashta në Serbi nga futja e sistemit shumëpartiak në fillim të vitit 1990, dhe të dytat nga përmbysja e regjimit të Millosheviqit para plotë tre vjetesh dhe nga qarqet e këtushme por edhe ato ndërkombëtare konsiderohen si vendimtare për të ardhmen e vendit, sepse zgjedhësit do të deklarohen midis vazhdimit të reformave e integrimeve evropiane dhe kthimit në të kaluarën e errët.

Beteja kryesore në zgjedhjet e sotme është zhvilluar midis partisë ultranacionaliste të Vojisllav Sheshelit, bashkëpunëtor i dikurshem i ngushtë i Millosheviqit e të partive të ashtuquajtura të bllokut patriotik në njërën anë, dhe forcave reformatore e proevropiane të cilat e kanë përmbysur regjimin e Millosheviqit para tre vjetësh, në anën tjetër.

Të gjitha anketat e opinionit kanë treguar se më shumë vota do të fitojë Partia radikale e Vojisllav Sheshelit, prapa të cilës rradhiten Partia Demokratike e Vojisllav Koshtunicës, G-17 plus, e Miroljub Llabusit dhe Partia Demokrate e ish-kryeministrit Gjingjiq.

Mirëpo, shumë analistë parashikojnë të papritura, veçanërisht kur kihet parasysh fakti se mbi 40 përqind të zgjedhësve që janë deklaruar se do t'i bojkotojnë zgjedhjet, me pjesëmarrjen e tyre masive në votimet e sotme e kanë shtuar fitorën e partive proreformiste. Gjithashtu parashikohet se asnjë parti nuk do të jetë në gjendje ta formojë vetëm qeverinë, kurse partitë e koalicionti në pushtet DOS kanë kontradikta mes tyre dhe vështirë të arrijnë marrëveshjen për formimin e qeverisë së koalicionit. Prandaj parashikohet se ka të ngjarë që mos formohet qeveria e re, gjë që do ta fuste Serbinë në një krizë më të thellë qeveritare, dhe do të jenë të domosdoshme zgjedhje të reja të jashtëzakonshme.

//ad//

XS
SM
MD
LG