Lidhje

Ngjarjet kryesore të vitit - 2003-12-29


Çdo vit në këtë kohë ne u hedhim një vështrim ngjarjeve kryesore që kanë ndodhur në 12 muajt e kaluar. Gjatë vitit 2003, lufta në Irak ishte tema qendrore e lajmeve. Por pati edhe shumë ngjarje të tjera të mëdha të cilat njerëzit do ti mbajnë mend për një kohë të gjatë. Po u hedhim tani një vështrim ngjarjeve kryesore të vitit 2003.

Çdo vit fillon me shpresa për paqe. Por viti 2003 filloi në një atmosferë debatesh për luftën.

Pas një sfide mëse 10 vjeçare ndaj komunitetit ndërkombëtar, regjimi i Saddam Husseinit ishte nën kërcënimin e ndërhyrjes ushtarake.

Inspektorët e OKB-së për armët po e paralajmëronin Irakun se mungesa e bashkëpunimit nga ana e tij në çështjen e armëve të shkatërrimit në masë do të bëhej shkak për ndërhyrje.

Më 5 shkurt, sekretari i shtetit Colin Powell foli përpara Këshillit të Sigurimit, ku parashtroi argumentet kundër regjimit të Saddam Husseinit. “Saddam Husseini dhe regjimi i tij po bëjnë ç’është e mundur që inspektorët të mos gjejnë asgjë”, tha zoti Powell.

E ndërsa shtoheshin shanset për luftë, protestuesit e paqes dolën në rrugë anembanë botës, për të kërkuar që inspektorëve të armëve tu jepej më shumë kohë.

Ndërkohë, disa nga aleatët tradicionalë të Amerikës ishin kundër përdorimit të forcës. Por të tjerë u bashkuan në të ashtuquajturin “koalicion i vullnetit”, dhe Saddami filloi përpjekjet për të fituar kohë.

Në mbrëmjen e 19 marsit, Baghdadi u sulmua fuqishëm nga ajri. Kishte filluar operacioni Liria e Irakut.

“qytetarë të nderuar, në këtë çast, forcat amerikane dhe të koalicionit janë në fazat e para të operacioneve ushtarak për të çarmatosur Irakun, për të çliruar popullin irakian dhe për të mbrojtur botën nga një rrezik i madh”, tha presidenti Bush.

“Shock and Awe, ” Sulmi me raketa të komanduara me rreze lazer i planifikuar për të frikësuar forcat e Sadamit, duket se e bëri efektin. Dëmet indirekte u mbajtën në minimun, ndërsa sulmi nga toka filloi në Jug.

Disa forca irakiane besnike të Sadamit rezistuan dhe koalicioni pësoi disa humbje – por brenda pak javësh Bagdati u morr dhe Sadami u rrëzua nga pushteti.

Më 1 maj, nga bordi i aroplanmbajtëses Abraham Lincoln, Presidenti Bush falenderoi ushtarët për shërbimin e tyre, por paralajmëroi se beteja pas pushtimit do të ishte e gjatë, e vështirë dhe e rrezikshme.

Në Irak, kërkimi për armë të shkatërrimit në masë nuk rezultoi në ndonjë gjë të madhe. Megjithatë, sipas anketave shumica e amerikanëve e mbështesnin luftën në parim.

Në Britani, kryeministri Tony Blair u akuzua se kishte ekzagjeruar kërcënimin nga Iraku, dhe kishte mashtruar vendin. Një shkencëtar i rëndësishëm i përfshirë në këtë çështje vrau veten ndërsa debatet vazhdonin.

Debatet filluan edhe në Amerikë, ndërsa hetuesit kërkonin personin përgjegjës për nxjerrjen e identitetit të një agjenteje të CIAs, bashkëshorti i së cilës kishte kundërshtuar Shtëpinë e Bardhë lidhur me armët e shkatërrimit në masë në Irak.

Ndërkaq forcat e koalicionit filluan rindërtimin e Irakut – por një seri sulmesh sollën dhjetra viktima në rradhët e koalicionit. Më pas mbështetja e popullit amerikan për vazhdimin e angazhimit ushtarak filloi të zbehej. Megjithatë, kongresi miratoi një paketë disa miliarda dollarëshe për të mbështetur punën e koalcionit në Irak dhe Presidenti e ktheu atë në ligj në nëntor. Edhe pse Saddami dhe armët e tij të shkatërrimit në masë ende nuk ishin gjetur, shpresa nuk kishte humbur.

Larg ngjarjeve në Irak, Koreja e Veriut shtoi kritikat kur kërcënoi të zgjeronte programin e saj dikur të fshehtë bërthamor, ndërsa përsa i përket Iranit, lindën shqetësime se projekti i tij bërthamor mund të drejtohej për të prodhuar armë të tilla.

2003 solli gjithashtu njohje ndërkombëtare për aktivisten iraniane të të drejtave të njeriut, Shirin Ebadi.

Në Lindjen e Mesme, Izraeli dhe Autoriteti Palestinez nuk ranë dakort për planin e paqes dhe izraelitët filluan ndërtimin e atij që e quajnë mur mbrojtës në përgjigje të sulmeve vetëvrasëse të terroristëve.

Këta të fundit vazhdojnë të përbëjnë kërcënim kudo. Në muajin maj një bombë shpërtheu në një kompleks banimi në Riyad, dhe një tjetër sulm pasoi në nëntor. Më pas Turqia u bë gjithashtu objektiv i terrorizmit.

Gjatë vitit ndodhën edhe katastrofa natyrore. Përmbytje masive prekën pjesën më të madhe të Azisë...

….dhe vala e të nxehtit la mijëra të vdekur në Evropë.

Në Shtetet e Bashkuara u ndërpre energjia elektrike për miliona njerëz, duke ngritur pikëpyetje ndaj sistemit të vjetëruar të energjisë në vend.

Ndërsa në perëndim të Shteteve të Bashkuara zjarret shkretuan mijëra hektarë tokë dhe kërcënuan lagje të tëra.

Në Romë, Papa festoi 25 vjetorin në krye të kishës në atmosferën e pyetjeve të shumta për shëndetin e tij.

Ndërsa një peshkop homoseksual u mirëprit nga Kisha Episkopale megjithë disa kundërshime.

Në prag të fundvitit erdhi lajmi i mirë… ish presidenti irakian Saddam Hussein u kap i gjallë, në jug jug të qytetit të tij të lindjes Tikrit. Dalja e Saddamit para drejtësisë do të tërheqë vëmendjen e botës për një kohë të gjatë.

Lajmi për kapjen e Sadamit erdhi të njëjtën javë kur orkestra simfonike e Irakut interpretoi në Shtetet e Bashkuara për herë të parë pas shumë vitesh, një shenjë shprese kjo për një të ardhme më të mirë.

//rd//

XS
SM
MD
LG