Lidhje

Në Irak po identifikohen eshtrat e personave të vrarë nga regjimi i Sadam Huseinit - 2003-12-30


Autoriteti i Përkohshëm i Koalicionit dhe ministria e përkohshme irakiane e të drejtave të njeriut janë tani në proces e sipër për të identifikuar eshtrat e personave të vrarë nga regjimi i Sadam Huseinit. Prova të mizorive po mblidhen për t’u përdorur në ndjekje penale në të ardhmen.

Mendohet se mbi 1 milion irakianë janë vrarë nga regjimi i Sadam Huseinit. Është njoftuar për më shumë se 250 varre masive. Në këto varre mund të ndodhen deri në 180 mijë irakianë të vrarë nga regjimi gjatë fushatës Anfal të vitit 1988 kundër kurdëve të Irakut. Mijëra irakianë të tjerë, përfshirë arabë marsh, myslimanë shia si dhe studentë të angazhuar në kryengritje kundër regjimit, mund të dergjen në varret masive të Irakut.

Por kapja e Sadam Huseinit i ka dhënë shpresë popullit irakian për një të ardhme më të ndritur dhe ata po e shprehin gëzimin e tyre. Shaima Qasim i tha një gazetari: “Në të kalaurën vishja vetëm rroba të zeza, tani dua të vesh roba me ngjyra.” Issan Fadil, pronar i një restoranti në Bagdad, tha: “Ne jemi të gëzuar që shtypësi nuk është më i lirë.” Dhe Ali Mohamedi nga Kirkuku tha: “Drejtësia e mrekullueshme ka triumfuar.”

Siç tha edhe presidenti George W. Bush, kapja e Sadam Huseinit shënon fundin e të gjithë atyre që tiranizuan dhe vranë në emër të tij. “Për pjesën më të madhe të qytetarëve irakianë, që dëshirojnë të jetojnë si burra dhe gra të lirë, kapja e Sadam Huseinit krijon edhe më shumë siguri se dhomat e torturës dhe policia sekrete kanë marrë fund përgjithmonë.”

Irakianët po punojnë për të mbledhur informacionin lidhur me personat, të cilëve nuk u dihet fati, dhe mbi mënyrat se si do t’i ndjekin penalisht autorët e krimeve kundër njerzimit.

//ze//

XS
SM
MD
LG