Lidhje

Masa për parandalimin e përhapjes së lopës së çmendur dhe metoda të reja për kontrollin e nivelit të kolesterinës - 2003-12-30


Në Shtetet e Bashkuara, mostra të lopës së infektuar iu dërguan një laboratori në Britani, i cili vërtetoi dyshimet e agjencisë amerikane të ushqimeve se sëmundja e lopës së çmendur është shfaqur në Shtetet e Bashkuara.

Lopa e infektuar është e racës Holstein që mund ta ketë marrë sëmundjen nëpërmjet ushqimit. Por grup hetuesish thotë se lopa e sëmurë ka ardhur nga Kanadaja dy vjet më parë, ndërsa shtohen shqetësimet se gjatë kësaj periudhe mund të jenë infektuar edhe shumë lopë të tjera.

Mbi 20 thertore të bagëtive kanë kërkuar heqjen nga shitja të mbi 5 ton mish lope. Shtetet e Bashkuara zënë 25 përqind të tregut botëror të mishit. Ndërkohë, çmimi i mishit të lopës në treg ka rënë ndjeshëm dhe mbi 10 vende kanë ndërprerë importin e mishit nga Shtetet e Bashkuara.

Chuk Levit i korporatës së tregtarëve të mishit thotë se këto masa do t’i sjellin industrisë amerikane të misht humbje prej miliarda dollarësh.

Në Teksas, një nga qëndrat kryesore të industrisë së mishit në Shtetet e Bashkuara, fermerët dhe blegtorët po marrin masa të ngutshme për të zbutur pasojat e kësaj humbjeje.

Besimi i konsumatorëve është vendimtar për të kapërcyer këtë problem kaq të madh, thotë afaristi Richard Wortham.

Falë prirjeve për një dietë me proteina të larta e karbohidrate të ulta, konsumimi i mishit të lopës në Shtetet e Bashkuara ka arritur në mesatarisht 35 kilogram në vit për një person. Ky qëndrim, thonë ekspertët mund të ndikojë për pakësimin e humbjeve financiare të industrisë së mishit gjatë kësaj periudhe të pranisë së sëmundjes së lopës së çmendur.

Ecja, sporti, vrapimi janë mënyra argëtuese, por për gratë ato mund të jenë edhe mbrojtëse ndaj kancerit. Një studim i ri tregon se gratë që kryejnë rregullisht ushtrime fizike kanë 35 më pak gjasa që të preken nga kanceri i gjirit.

Nuk është fjala vetëm për të bërë vrap, por edhe ecja mjafton për të pakësuar rrezikun e kancerit në gji, thotë Lesly Bersntein, mjeke dhe një nga autoret e studimit.

Ushtrimet fizike mund të ndihmojnë në kufizimin e prodhimit të estrogjenit, hormon për të cilin shkencëtarët besojnë se nxit zhvillimin e kancerit të gjirit tek disa gra.

Sipas studimit, ushtrimet fizike, qoftë një orë në javë, dhe pavarësisht se në ç’periudhë të jetës, mund të ndihmojnë në pakësimin e rrezikut të kancerit. Por është mirë që ushtrimet të fillojnë që në moshë të re.

Në se ju filloni të merreni me fizkulturë që në moshë të re, atëhere krijohet edukata dhe ka shumë të gjarë që të vazhdoni të merreni me ushtrime fizike gjatë gjithë jetës tuaj, thotë, mjekja Bernstein.

Studimi tregon se ushtrimet fizike duket se nuk e pakësojnë këtë rrezik për gratë me një histori familjare të kancerit të gjirit. Shkencëtarët ende nuk janë në gjendje të thonë se përse ndodh një gjë e tillë.

Në fakt ata nuk nuk dinë asnjë mënyre ose mjet që mund të parandalojë kancerin e gjirit, por janë të sigurt se ushtrimet fizike mund ta pakësojnë rrezikun e prekjes prej tij, dhe kjo në vetvete është një zbulim tepër pozitiv.

Kontrolli i nivelit të kolesterinës është një ndër analizat mjeksore bazë për të gjithë personat në moshë të mesme. Por kur mund të thuhet se niveli i kolesterinës është problematik?

Për personat që rrezikohen nga problemet e zemrës, niveli i pranueshëm i kolesterinës është më i ulët. Por ata që nuk kërcënohen nga probleme të tilla, mund të tolerojnë nivele më të larta kolesterine. Me një fjalë, një nivel që quhet i ulët për një individ, mund të jetë i rrezikshëm për një individ tjetër.

Për shembull një atlete 41-vjeçare nuk ka nevojë të përpiqet ta ulë kolesterinën në nivelet që i kërkohet një personi të rrezikuar nga problemet e zemrës. Për këtë arsye, mjekët në një spital në Karolinën e Veriut kanë filluar ta përshtasin nivelin e këshillueshëm të kolesterinës me individin përkatës, me ndihmën e një llogaritësi të vogël:

“Në vend që të shfletoj gjashtë faqe me udhëzime, ose të bëj llogaritjet, nxjerr nga xhepi këtë aparat dhe për 10-15 sekonda më del përgjigja,” thotë mjeku.

Për të marrë rezultatin e kërkuar, mjeku duhet të fusë në aparaturë nivelet e kolesterinës, moshën dhe gjininë e pacientit si dhe faktorë që ndikojnë tek shëndeti.

Kjo aparaturë, shpjegon mjeku, na lejon të shfrytëzojmë të dhënat më të mira që kemi të arkivuara, në të mirë të pacientit. Megjithatë, edhe kartelat mjeksore do të vazhdojnë të ekzistojnë si masë sigurie. Por aparatura e re do të ndihmojë për të arritur në rezultate të përshtatura për individin. Informacioni nuk do të regjistrohet në aparat, pra askush tjetër nuk mund ta shohë, nëse mjeku e harron aparatin diku dhe e gjen një i panjohur.

Mjekët thonë se niveli i kolesterinës duhet kontrolluar çdo pesë vjet, por në rast problemesh shëndetësore, kontrolli duhet të jetë më i shpeshtë.

Shkencëtarët e këtij observatori përpiqen të kapin ndonjë sinjal nga Sonda e parë evropiane që pritej të ulej në Mars që më 25 dhjetor. Ata qëndrojnë pranë aparateve ditë e natë, por deri tani pa sukses Edhe një përpjekje nga ana e sondës amerikane Odisei e cila ndodhet në orbitë, nuk pati sukses për të kapur ndonjë sinjal të sondës evropiane Beagle 2.

Gjatë historisë së misioneve të shumta për uljen e sondave në planetin Mars, vetëm tre kanë qënë të suksesshme, që të treja të dërguara nga Agjencia amerikane e hapësirës.

Sonda Beagle 2 ishte parashikuar që të hynte në atmosferën e Marsit të enjten e kaluar në orën 3 e 45 minuta sipas grinuiçit dhe të ulej në sipërfaqen e planetit të kuq 7 minuta më vonë. Shkencëtarët shpresonin se sonda do të ulej me pak vonesë, por kur sonda amerikane Odisei nuk mundi të kapte ndonjë sinjal, shpresat sikur u pakësuan.

Zyrtarët thonë se sonda Beagle, e rëndë 67 kilogram dhe me përmasat e një automobili mund të jetë ulur në sipërfaqen e Marsit por me antena të shtrira në drejtim të kundërt me sondën Odisei. Ata gjithashtu thonë në mos marrjen e sinjaleve të sondës Beagle mund të ketë ndikuar edhe klima tepër e ftohtë e planetit Marsit duke bllokuar përhapjen e frequencave të transmetimit nga ana e sondës.

//ad//

XS
SM
MD
LG