Lidhje

Imigracioni përdor teknologjinë elektronike për të vëzhguar lëvizjet e imigrantëve - 2003-12-30


Përdorimi i prangave elektronike për të vëzhguar ata që kanë kryer krime po bëhet një element gjithnjë e më i përhapur në sistemin penal të drejtësisë amerikane. Por tani, për herë të parë, prangat elektronike po përdoren nga zyrtarët e emigracionit. Përkrahësit e tyre thonë se ato janë një mjet shumë i efektshëm dhe një alternativë shumë më humane se sa burgosja e emigrantëve të paligjshën. Kundërshtarët shprehin shqetësim për mënyrën e përdorimit të tyre dhe për ata që janë të detyruar t’i përdorin.

Zyrtarët e imigracionit thonë se përdorimi i prangave elektronike synon të vëzhgojë më mirë lëvizjet e imigrantëve të paligjshëm.

Vitin e kaluar qeveria amerikane lëshoi 500 mijë urdhëra dëbimi për imigrantët. Por sipas Roy Baileyt, të degës së imigracionit për Detroitin, shumica tyre ndodhen ende diku në Amerikë.

“Në të kaluarën vetëm 14 përqind e individëve që marrin njoftimin përfundimar të dëbimit, largohen nga Amerika. Prandaj sistemi i ri na krijon mundësi të dimë se ku janë imigrantët e paligjshëm dhe në se na duhet t’i gjejmë që t’i largojmë nga vendi,” thotë zoti Bailey.

Autoritetet thonë se përdorimi i prangave elektronike është i nevojshëm për shkak të vendeve të pamjaftueshme në mjediset e paraburgimit. Në Shtetet e Bashkuara, në çdo moment të caktuar, ka rreth 20 mijë emigrantë të paligjshëm në qendrat e paraburgimit. Por shumica lihen të lirë me kusht. Në rajonin e Mishiganit për shembull, ka vetëm 300 vende për të mbajtur të ndaluar imigrantët e paligjshëm. Prandaj, zoti Bailey i sheh prangat elektronike si një zgjidhje e mirë.

“Duke i përdorur ato imigrantët mund të jetojnë me familjet e tyre dhe të kenë një jetë gjysmë-normale, derisa të përfundojë rasti i tyre në gjyq. Pra është më mirë për të dyja palët se sa të mbahen në gjendje paraburgimi,” tha zoti Bailey.

Deri tani në rajonin e Detroitit, ku ka filluar të përdoret ky program - pilot, 45 imigrantë të paligjshëm mbajnë pranga elektronike në kyçin e këmbës. Gamil Al-Najari nga Jemeni, është njeri prej tyre.

Sot në shtëpinë e tij, një apartament i vogël ku ai jeton së bashku me dy vajzat e tij që kanë lindur në Amerikë, i kanë ardhur disa miq të familjes. Al-Najari është praktikisht nën arrest shtëpiak, me prangën elektronike në këmbë, e cila në mënyrë elektronike i lajmëron autoritetet kudo ku ai shkon.

“Kjo jetë mund të quhet gjithshka, vetëm normale jo”, thotë ai.

Kushëriri i tij, Zayad Muhamed shpjegon më tej:

“Ai thotë se i është dëmtuar krenaria, pasi ai nuk ka bërë ndonjë krim dhe ndihet si në burg. Megjithëse jeton në shtëpinë e tij, ai ndihet si i burgosur” thotë zoti Muhamed.

Gamil Al-Najari është i pajisur me green-card-ën, siç quhet dokumenti i banorit të përhershëm, por ai u arrestua në korrik kur shkoi për intervistën e fundit për shtetësinë, ose të paktën ashtu mendonte ai. Autoritetet e arrestuan për një shkelje të vjetër. Ai është dënuar vite më parë për drogë, pasi iu gjet në zotërim stimulanti Khat. Khati prodhohet nga një bimë dhe përdoret gjerësisht në vendin e tij Jemen dhe në një sërë vendesh të tjera, por këtu në Shtetet e Bashkuara është e ndaluar. Avokati i tij pranoi që Al-Najari të bëhej pjesë e programit të prangave elektronike. Ashtu si shumica e avokatëve të tjerë mbrojtës, edhe ai e përshëndeti këtë program të ri, por shumë prej tyre tani thonë se prangat elektronike po përdoren edhe në rastet kur nuk duhet, siç është rasti i atyre që kërkojnë strehim politik. Jeanne Butterfield kryeson shoqatën e Avokatëve të Imigraconit.

“Programi po zgjerohet edhe aty ku nuk duhet. Këta janë njerëz në procedura civile dhe jo kriminale dhe mendoj se sistemi ynë i drejtësisë duhet ta pasqyrojë këtë ndryshim,” thotë zonja Butterfield.

Por zyrtarë të imigracionit thonë se programi i përdorimit të prangave elektronike shënon një përmirësim të ndjeshëm nga i mëparshmi. Nga rreth 200 imigrantë që mbajnë tani pranga elektronike në mbarë vendin, asnjë prej tyre nuk ka arritur të zhduket diku në Amerikë, larg syrit të autoriteteve.

//ad//

XS
SM
MD
LG