Lidhje

Viti i Ri në Shqipëri dhe në Kosovë - 2003-12-31


Në Tiranë pati përgatitje të shumta për të festuar sa më mirë vitin e Ri. Tregu gjatë gjithë ditës ishte i mbingarkuar nga kërkesa të shumta për fruta dhe lodra për fëmijë, ndërsa një numër i madh forcash policore u angazhuan për të ruajtur mbarë-vajtjen e festimeve. Me këtë rast edhe Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu në një mesazh për publikun i bëri thirrje popullit për më shumë falje dhe dashuri midis njerzëve, duke përkujtuar figuren e Nënë Terezës.

Në diten e fundit të vitit në qytetin e Shkodrës u zhvilluan një numër veprimtarish bamirëse në ndihmë të fëmijve jetimë mes të cilëve ka edhe mjaft fëmijë të cilëve u janë vrarë baballarët për shkak të fenomenit të gjakmarrjes. Ndërkohë qyteti i Shkodrës edhe në fund të këtij viti po përballet me mjaft vështërsi ekonomike për shkak të nivelit të lartë të papunësisë si dhe të të ardhurave të pakta.

Bashkitë e qyteteve në jug të Shqipërisë mbajtën peshen kryesore në ceremonitë festive të vitit të ri. Në Gjirokastër dhe në rrethet fqinje disa mijëra veta u mblodhën në sheshet kryesore të qyteteve për të festuar së bashku. Nga Greqia vazhdon kthimi i mijëra emigratëve, ndërsa ndryshe nga vitet e tjera disa qindra qytetarë të Kosovës mbërritur në jug të Shqipërisë për të festuar vitin e ri.

Në një mesazh me rastin e Vitit të Ri, zëvëndëskryeadministratori i Kosovës Charles Brayshaw, tha se mundësia që fqinjët evropianë të Kosovës ta shohin atë si partner që ndan me ta vlerat thelbësore, varet mbi të gjitha nga angazhimi i udhëheqësve të Kosovës dhe njerëzve të thjeshtë, për ta bërë Kosovën një shoqëri ku të gjithë anëtarët e saj do të jetojnë në siguri dhe me dinjitet.//ii

XS
SM
MD
LG