Lidhje

Marrëdhëniet ndëratlantike gjate vitit 2003 - 2004-01-01


Viti 2003 ishte një periudhë e vështirë në marrëdhëniet ndër atlantike. Lufta në Irak u bë shkas për disa nga protestat më të mëdha në historinë evropiane dhe në planin diplomatik u ndezën mosmarrëveshje të ashpra, ndërsa Franca dhe Gjermania u vunë në krye të kundërshtimit ndaj luftës së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër Sadam Huseinit. Korrespondenti ynë Douglas Bakshian u hedh një vështrim këtyre zhvillimeve të vitit që sapo kaloi.

Lufta në Irak ishte zhvillimi më përcaktues i lidhjeve amerikano-evropiane në vitin 2003. Diplomatët evropianë thonë se qëndrimi i prerë amerikan, me moton “me ne ose kundër nesh” krijoi trysni të pashembullt. Madje në një rat, sekretari amerikan i Mbrojtjes Rumsfeld përdori shprehjen Evropa e vjetër, për të veçuar Francën dhe Gjermaninë nga vendet e Evropës lindore, si Polonia, të cilat mbështetën luftën.

Më 1 maj, presidenti Bush shpalli përfundimin e luftimeve në shkallë të gjerë në Irak, por shpërthimi i bombave, pritat dhe sulmet me raketa vazhdojnë të shkaktojnë dëme e viktima në radhët e civilëve, ushtarëve amerikanë dhe ndaj objekteve të rëndësishme siç janë zyrat qëndrore të Kombeve të Bashkuara në Bagdad.

Drejtori i qëndrës për studime të politikës evropiane me seli në Bruksel, Daniel Gross thotë se gabime u bënë nga të dyja anët e Atlantikut.

”Të dyja palët pretenduan se kishin të drejtë. Fillimisht amerikanët u thanë evropianëve ”shikoni, populli irakian po na pret si çlirimtarë, Sadam Huseini ishte mizor, prandaj lufta jonë ishte e drejtë dhe ndryshimi i regjimit ishte i nevojshëm. Disa muaj më vonë, evropianët përdorën të njëtën taktikë duke u thënë amerikanëve ”shikoni ju nuk jeni më çlirimtarë. Pra si do ta fitoni paqen pasi e fituat luftën kaq shpejt. Dhe replika të tilla mund të vazhdojnë për një kohë të gjatë,” thotë analisti Gross.

Analistët politikë thonë se viti 2003 ishjte një periudhë plot trysni diplomatike. Evropianët kritikuan atë që ata e panë si arrogancë politike të Amerikës, fuqinë e saj mbizotëruese ushtarake dhe ekonomike dhe atë që disa e quajnë njanshmëri të administratës së presidnetit Bush.

Ministri i jashtëm holandez Bernard Rudolf Bot i përmbledh me këto fjalë marrëdhëniet ndër atlantike.

”Marrëdhëniet ishin më të mira, por ato nuk ishin edhe aq keq sa ç’mendojnë të tjerët. Mendoj se Shtetet e Bashkuara nxorrën një mësim se kjo nuk është një botë në të cilën një vend mund të luajë rolin e superpolicit dhe se të tjerët do të ndjehen pak a shumë të kënaqur që kjo superfuqi po i zgjidh problemet. Mendoj se Shtetet e Bashkuara nxorrën mësimin se kjo është një botë globale ku problemet mund të zgjidhen vetëm në se fuqitë e mëdha bashkëpunojnë me njëra tjetrën,” thotë ministri i Jashtëm holandez.

Hendeku diplomatik u ngushtua më pas gjatë të vitit kur me përkrahjen e Francës dhe Gjermanisë, këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një rezolutë në tetor për autorizmin e një force shumëkombëshe në Irak nën komandën e Shteteve të Bashkuara dhe për caktimin e një afati për marrjen e një vendimi për datën e zgjedhjeve nga ana e këshillit qeverisës irakian.

Por megjithatë, analistët thonë se Eropa dhe Amerika mbeten të lidhura ngushte përsa u përket vlerave kulturore e demokratike.

Richard Pells është profesor historie në universitetin e Teksasit.

”Në rastin e Shteteve të Bashkuar dhe Evropës, mosmarrëveshjet u ngjajnë grindjeve brenda një familjeje. Pra njëra palë i kërkon përkrahjen e palës tjetër duke thënë se po na lini vetëm, nuk po tregoheni mirënjohës për ato që kemi bërë për ju. Ose pala tjetrë thotë se ju po përpiqeni të na jepni urdhëra. Ju pohoni se qëndroni në mbështetje të lirisë dhe arsyes, tani po veproni në kundërshtim me ato që thoni.”

Si një shenjë tjetër se Evropa dhe Shtetet e Bashkuara po i zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre familjare, Franca dhe Gjermania ranë dakord në fillim të dhjetorit për të mbështetur një fushatë të Shteteve të Bashkuara për faljen e një pjese të borxhit të madh që Iraku u ka atyre.//ii

XS
SM
MD
LG