Lidhje

Rezultati i zgjedhjeve në Serbi dhe e ardhmja e saj - 2004-01-02


Megjithëse udhëheqësi i saj është i akuzuar për krime lufte dhe i burgosur në Hagë, Partia Radikale e Serbisë fitoi numrin më të madh të votave, 27 presje 5 përqind, në zgjedhjet e fundit parlamentare të vendit. Kjo do t’ua bëjë më të vështirë partive prodemokratike të formojnë një qeveri që mund të përballet vendosmërisht me problemet e Serbisë. Ato janë aktualisht të angazhuara në negociata për krijimin e një koalicioni të qendrueshëm.

Nga qelia e tij në Hagë, ku pret të gjykohet nën akuza për krime lufte, Vojisllav Shesheli e drejtoi fushatën e Partisë së tij Radikale me anë të telefonit. Partia ultranacionaliste trefishoi numrin e vendeve të saj në parlament dhe vetë zoti Sheshel fitoi një vend në mungesë.

Është e vërtetë se radikalët fituan numrin më të madh të votave, thotë Charles Ingrao, profesor i Universitetit Purdue, por kjo ndodhi kryesisht për shkak se ata merren më shumë me ankesat e serbëve dhe nuk përqendrohen tek politikat bindëse.

“Për sa i përket Sheshelit, mendoj se vota e tij do të jetë gjithmonë votë proteste. Ekonomia serbe vazhdon të jetë në amulli dhe serbët e shikojnë si poshtërim faktin se ata janë të detyruar të dorëzojnë personat e akuzuar për krime lufte, gjë që vazhdon të dobësojë mbështetjen për partitë pro demokratike dhe pro perëndimore. Por, nuk mendoj se Shesheli do të arrijë ndonjëherë të fitojë shumicën në zgjedhje të lira”, thotë profesor Ingrao.

Me kalimin e kohës, thekson ai, ankesat fashiten. Por serbët ende nuk kanë arritur në atë pikë. Shumë prej tyre vazhdojnë të ushqejnë ndjenja etnike dhe të mos u kushtojnë rëndësinë e duhur çështjeve më të gjera si shteti juridik dhe të drejtat e pakicave.

Gjyqet e Hagës për krime lufte zunë vend të rëndësishëm në fushatën e zgjedhjeve për shkak se me sa duket, ato u shprehin serbëve përbuzjen e botës ndaj tyre. Radikalët dhe partitë e tjera u shprehën gjatë fushatës se nuk do të dërgojnë më serbë në Hagë.

Profesor Ingrao thotë se ata kërkojnë të përqendrohen tek vuajtjet e tyre dhe kjo do t’i bëjë ata të vuajnë edhe më shumë për shkak se komuniteti botëror nuk ka të njëjta përparësi me ato të një grupi të caktuar ballkanik. Bota kërkon të shohë njerëz me qendrim më të hapur përsa u përket të drejtave të njeriut.

Partia Radikale kërkon krijimin e një Serbie të madhe. Për këtë dhe arsye të tjera, partitë demokratike nuk duan të formojnë një qeveri ku të përfshihen radikalët. Por, fitorja e radikalëve në zgjedhje, do ta bëjë më të vështirë krijimin e një koalicioni nga parti që ushqejnë pikpamje mjaft të ndryshme për shumë çështje.

Profesor Ingrao thotë se koalicioni qeveritar i Opozitës Demokratike të Serbisë nuk arriti të bashkohej dhe të zbatonte ndryshimet e nevojshme:

“Ne do të shohim një riorganizim të këtij koalicioni të vjetër partish thuajse të pavarura dhe me qendrime dyshuese ndaj njëra-tjetrës. Ato do të përballen me të njëjtat probleme. Por, këtu vlen të shtrohet pyetja nëse do të marrin apo jo ato vendime të rrepta ekonomike dhe nëse do të flasin hapur rreth ngjarjeve të viteve 90. Nëse kundërshtojnë, atëherë, atje do të vazhdojë kjo lojë e pafund, ku nuk do të ndodhë shumë dhe Serbia nuk do të bëjë përparim.”

Edhe eksperti i Institutit Amerikan të Paqes, Daniel Serwer, mendon se fitorja me rezultat të ngushtë dhe e fragmentizuar e partive reformiste të marra së bashku nuk është garanci për ndryshime:

Me një grup kaq të fortë radikal në parlament, do të jetë e vështirë të realizohen disa gjëra të nevojshme. Por shumë do të varet nga mënyra se sa të bashkuara do të jenë fraksionet reformiste. Problemi është se disa nga këta reformistë, sidomos Partia Demokratike e Serbisë e zotit Koshtunica, është për një ritëm më të ngadaltë në procesin e reformave”, thekson zoti Serwer.

Megjithatë, thotë ai, reformat thelbësore janë të domosdoshme. Mbi të gjitha, është e nevojshme që forcat e sigurimit, ushtria dhe policia të pastrohen nga elementë ende besnikë të ish presidentit Millosheviç.

Vitin e kaluar, prodhimi industrial ra 3 përqind ndërsa papunësia arriti në 30 prëqind. Monopolet shetërore pengojnë hapjen e bizneseve të vogla, të cilat janë vendimtare për përparimin ekonomik. Mungesa e transparencës dhe e hapjes në qeveri e keqëson edhe më tej pasigurinë ekonomike. Zoti Serwer thotë se zgjedhjet e fundit nuk ndihmuan në këtë drejtim:

“Një Serbi, në të cilën 35 përqind e popullsisë voton për parti, në postet kryesore të të cilave janë njerëz të akuzuar për krime lufte, nuk është një Serbi, në të cilën një perëndimor i matur është i interesuar të investojë”, thotë zoti Serwer.

Ish i dërguari i lartë amerikan në Ballkan, James O’Brian, thotë se radikalët do ta shfrytëzojnë grupin e tyre të madh në parlament për të bllokuar reformat. Problemi është se as vetë reformistët nuk janë aq entuziastë rreth reformave. Ai shpreh edhe shqetësimin se udhëheqësit politikë i përqendrojnë fushatat e zgjedhjeve tek e kaluara e tyre gjatë viteve 90 dhe jo tek e ardhmja e tyre. Megjithatë, zoti O’Brian mendon se atje ka arsye për optimizëm:

“Është diçka e mrekullueshme dhe shpresëdhënëse që afro 60 përqind e zgjedhësve votuan për partitë që mbështesin reformat dhe integrimin me Perëndimin. Dhe kjo, thekson zoti O’Brian, ndodh pas tre vjet ngadalësimi ekonomik në shkallë botërore, largimit të vëmendjes botërore nga Ballkani dhe vrasjes së një udhëheqësi në mes të një seri skandalesh politike që e vunë para një sfide të madhe opozitën demokratike.”

Zoti O’Brian thotë se në krye do të dalin ata që përballen me çështjet e ditës. Atëherë ata do të ecin përkrah udhëheqësve të vendeve përreth, që vazhdojnë t’i afrohen stilit evropian të veprimit.

“Shpresoj që pjekuria politike të arrihet atje brenda pak vitesh në mënyrë që njerëzit të mendojnë se duhet të votojnë për një parti të qendrës së djathtë apo të qendrës së majtë dhe një numër gjithnjë e më i vogël për ekstremet e spektrit politik.

Ekstremi në Serbi ekziston në formën e Partisë Radikale. Tejkalimi i kësaj pengese, thekson zoti O’Brian, do të jetë prova më e vështirë për forcat demokratike. Kjo është jetike jo vetëm për Serbinë, por edhe për të gjithë rajonin./ii

XS
SM
MD
LG