Lidhje

Një aeroplan egjiptian pasagjerësh rrëzohet në Detin e Kuq - 2004-01-03


Familjet e tronditura dhe të dëshpëruara të 148 viktimave nga rrëzimi i një aeroplani egjiptian pasagjerësh në Detin e Kuq janë në pritje të lajmeve rreth gjetjes së të dashurve të tyre.

Aeroplani i shoqërisë egjiptiane Flash Airlines u rrëzua pak çaste pasi u nis sot në mëngjes nga vend-pushimi Sharm el-Sheik plot me turistë francezë për t’u kthyer në Paris.

Zyrtarët thanë se asnjeri nuk ka shpëtuar gjallë nga 135 pasagjerët dhe 13 anëtarët e ekujpazhit egjiptian në bordin e aeroplanit të llojit Boeing 737. Në bord mes viktimave ishin edhe një maroken e një japonez.

Në Paris, miq dhe të afërm të tronditur të viktimave u mblodhën në aeroportin Charles de Gaulle, ku këshilltarë krizash dhe zyrtarë të qeverisë ofruan ndihmë.

Një zyrtar francez tha se në bord kishte edhe shumë fëmijë, që po ktheheshin nga plazhi popullor dhe se familje të tëra mendohet të jenë zhdukur në det.

Ministri i jashtëm egjiptian Ahmed Maher përjashtoi mundësinë e një akti terrorist, ndërkohë që ministria e aviacionit civil tha se me sa duket rrëzimi i aeroplanit ishte shkaktuar nga një defekt teknik. Megjithatë në Paris, ministri francez i drejtësisë, Dominik Perben, tha se u ka kërkuar autoriteteve franceze që të fillojnë hetimet rreth aksidentit.

Ekspertë francezë dhe amerikanë të aviacionit po shkojnë në Egjipt për të ndihmuar autoritetet në hetimin e aksidentit.

Në Egjipt, familjet e anëtarëve të ekujpazhit kërkuan informacion rreth të dashurve të tyre, ndërkohë që helikopterë ushtarakë si dhe ekipe kërkim-shpëtimi vazhdojnë kërkimin në Detin e Kuq. Zyrtarët thanë se janë gjetur disa trupa dhe pjesë të aeroplanit.

//ze//

XS
SM
MD
LG