Lidhje

“Shpresa vdes e fundit” -libër i ri mbi vlerën e shpresës në kohë vështirësish - 2004-01-03


Studs Terkel ka një karrierë të gjatë si prezantues radioje në Çikago, dhe gjatë viteve ka pasur rastin të bisedojë me shumë njerëz për përvojën e tyre në jetën profesionale, në vitet e luftës, në kohë krizash ekonomike si dhe shpresat për të ardhmen. Në librin e tij “Shpresa vdes e fundit: Ruajtja e besimit në kohë të vështira” ai diskuton me shumë njerëz për rolin që luan shpresa në jetët e tyre. Autori Studs Terkel thotë se tani që ka mbushur 91 vjeç vendosi që të përqëndrohej tek vlera e shpresës.

Autori thotë se në kohët aktuale të pasigurisë dhe frikës shumë njerëz humbin shpresën tek vetja. Por gjatë viteve ka pasur gjithmonë një numër njerëzish, të cilët kanë bërë diçka që ka mishëruar shpresën. Ata kanë paguar shpesh edhe me jetën e tyre, prandaj autori i quan “pakica profetike.”

Në librin e tij “Shpresa vdes e fundit,” autori përfshin fragmente të bisedave me shumë veprimtarë nga aspekte të ndryshme të jetës dhe shpjegon se të gjithë këta njerëz kanë një karakteristikë të përbashkët:

“Emëruesi i përbashkët i të gjithë atyre është shpresa. Kur njerëz të tillë formojnë një lloj komuniteti, një problem shndërrohet në një çështje lokale, qoftë për shembull veprimtaria pro paqes apo në mbrojtje të mjedisit dhe vetë individët ndjehen më të rëndësishëm. Shpesh njerëzit kujtojnë se po u bënë pjesë e një komuniteti humbasin individualitetin, por kjo s’është e vërtetë. Ainshtajni ka thënë se kur individi bëhet pjesë e komunitetit, ai bëhet individ edhe më i fuqishëm sesa kur është vetëm, pasi pjesëmarrja në një komunitet e thekson individualitetin e secilit,” thotë zoti Terkel.

Autori shpjegon në libër se një ndër ndikimet më të mëdha në jetën e tij ishin debatet që dëgjonte ndërmjet punëtorëve që ishin qeraxhinj në shtëpinë e tij. Ata diskutonin për sindikatat, për grevë thyesit, për lëvizjen punëtore.

Autori është bërë i njohur si rrëfyes i historive të të tjerëve, veçanërisht për teknikën e tij të të shruarit të historive gojore, pra të të shkruarit në stilin e folur. Kjo ndodh pasi autori e shikon veten si njeri të thjeshtë dhe intervistat me personat e ndryshëm janë biseda të thjeshta që ai i inçizon dhe i përdor si material për librat e tij. Ai sjell si shembull një grua që jetonte në një kompleks banimi për të varfrit në Çikago:

“Ajo kishte tre fëmijë që silleshin rrotull pa pushim. Karakteristika kryesore e atmosferës ishte varfëria. U premtova fëmijëve se po të rrinin qetë, do t’u vija të dëgjonin zërin e nënën në magnetofon. Vetë nëna nuk e kishte dëgjuar ndonjëherë zërin e saj të inçizuar. Kur dëgjoi kasetën u çudit pa masë me idetë që kishte shprehur vetë. Ky ishte një moment shumë i pazakontë si për të ashtu edhe për mua. Pikërisht momente të tilla më bëjnë të besoj se këto regjistrime kanë vlerë,” thotë autori.

//ad//

XS
SM
MD
LG