Lidhje

Shqipëri: rriten tarifat e energjisë elektrike - 2004-01-04


Tregu i energjisë në Shqipëri pësoi ndryshime të ndjeshme me fillimin e vitit 2004. Enti Rregullator i Energjisë sapo miratoi një rritje të çmimit të energjisë elektrike prej 10 përqindësh, sipas një studimi që synon rivlerësimin e këtij produkti mbi bazën e kostos së prodhimit.

Bashkë me çmimin e ri të energjisë është miratuar edhe një subvencion për klientët më të varfër të Korporatës Elektro-energjitike Shqiptare (KESH), të cilët arrijnë në afro 10% të numrit të përgjithshëm të konsumatorëve. KESH propozoi edhe uljen e kufirit minimal mbi të cilin do të zbatohen çmimet e rritura: nga 300 kwh ajo ka zbritur në 220 kwh.

Studimi i KESH-it është kundërshtuar ashpër nga shoqata dhe ekspertë të njohur. Specialistë të energjitikës, projektues dhe ndërtues të hidrocentraleve shqiptare, sindikata dhe shoqata që mbrojnë të drejtat e qytetarëve, protestuan ndaj rritjes së re të çmimit të energjisë dhe e quajtën këtë hap si ”diskriminim ndaj qytetarëve”.

Specialistët kërkuan që KESH-i të mbledhë më shumë fitime nga klientët që nuk paguajnë energjinë, dhe jo të rëndojë me çmime më të larta qytetarët e rregullt që e paguajnë atë.

Institucionet financiare ndërkombëtare i kanë kritikuar autoritetet për një keqadministrim të KESH-it, si nga ana financiare, ashtu edhe për humbjet e mëdha në rrjet.

Korporata po zbaton ndërprerje të konsiderueshme të energjisë në të gjithë territorin e vendit gjatë gjithë ditës, sidomos në qytetet që kanë nivelin më të ulët të pagesave për energjinë e konsumuar.

Sistemi energjitik i Shqipërisë po kalon në pesë vjetët e fundit një krizë të rëndë të shoqëruar me mungesa të rezervave ujore në hidrocentrale, dëmtime të rrjetit elektrik, humbje e vjedhje të mëdha të energjisë, të cilat shpesh mbulohen me importin e korrentit nga jashtë. //az//

XS
SM
MD
LG