Lidhje

A ka shpresa për Çeçeninë? - 2004-01-04


Nga mesi i dhjetorit 2003, një grup kryengritës çeçen hyri në Degastanin fqinj dhe vrau 9 roje kufitare ruse. Incidenti ishte një shenjë tjetër se dhuna dhe paqendrueshmëria vazhdojnë të mbizotërojnë në këtë rajon separatist të Kaukazit.

Vuajtjet e popullit çeçen gjatë shekullit 20 krahasohen me gjenocidin kundër hebrenjëve dhe romëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kështu mendon ish këshilltari presidencial amerikan për sigurinë kombëtare, Zbignju Bërzhinski. Ai thotë se thuajse gjysma e kombit çeçen është zhdukur gjatë dëbimit brutal të urdhëruar nga Stalini në vitin 1944 dhe kjo çfarosje vazhdon edhe sot.

“Sa të tjerë kanë humbur jetën që nga vitet 1990, pyet zoti Bërzhinski? Ne dëgjojmë parashikime të ndryshme. Por, mendoj se përgjithësisht pranohet që rreth 25 përqind e tyre nuk kanë vdekur nga tërmetet, nga uria e shkaktuar prej klimës apo aksidentalisht, por nga duart e të tjerëve.”

Ai u shpreh kështu në një konferencë mbi Çeçeninë, që u organizua në Washington nga Instituti American Enterprise dhe disa organizata të tjera. Në konferencë mori pjesë edhe kirurgu çeçen, Khasan Baiev, i cili tha se Çeçnia është sot një zonë katastrofe. Konflikti në Çeçeni ka shpërthyer në fillim të viteve 1990, kur separatistët çeçenë shpallën pavarësinë nga Federata Ruse.

Në vitin 1994, Rusia dërgoi atje forca për të filluar një fushatë kundër çeçenëve. Ato u tërhoqën në vitin 1966, por u kthyen tre vjet më pas, pas një seri incidentesh kufitare dhe sulmesh terroriste, për të cilat u fajësuan radikalët çeçenë.

Shumë analistë mendojnë se qendrimi i ashpër ndaj Çeçenisë e ndihmoi presidentin rus, Vladimir Putin, të forcojë pushtetin e tij. Por, Zoti Bërzhinski thotë se lufta po e korrupton sistemin politik rus. Shumë analistë pajtohen se lufta në Çeçeni po minon mundësitë e Rusisë për t’u bërë një shoqëri e hapur dhe e lirë, si edhe një forcë konstruktive në arenën ndërkombëtare.

Mbi të gjitha, thonë ata, lufta kërcënon brezin e ri çeçen, i cili nuk njeh gjë tjetër veç dhunës e dëshprimit. Gazetari rus Andrei Babitski, i cili mbulon konfliktin çeçen për radion Evropa e Lirë, thotë se përpjekjet e kohëve të fundit për të përcaktuar të ardhmen e Çeçenisë kanë dështuar:

“Janë bërë dy përpjekje për krijimin e një shteti të pavarur çeçen. E para, një shtet laik nën Xhokar Dudajevin dhe tjetra një shtet islamik nën Asllan Maskhadovin. E ardhmja që Moska po përpiqet të caktojë për Çeçeninë është e shoqëruar me ankthin e spastrimit, kampeve të përqendrimit dhe të vrasjes masive të civilëve” thekson gazetari Babitski, i cili shton se shumë çeçenë po përpiqen të ikin, kurse ata që mbesin bëhen gjithnjë e më radikalë dhe të izoluar nga pjesa tjetër e botës.

Zyrtarët rusë pretendojnë se lufta në Çeçeni është pjesë e luftës globale kundër terrorizmit dhe se luftëtarët çeçenë kanë lidhje me al-Kaidën dhe organizata radikale islamike. Aleksandër Lukasheviç i ambasadës ruse në Washington thotë se vendi i tij është aleat i Amerikës dhe nuk do të hyjë kurrë në negociate me terroristë.

Qeveria amerikane pranon se në Çeçeni ka elementë terroristë, por nuk i sheh të gjithë luftëtarët çeçenë si të tillë. Ajo u bën thirrje të dyja palëve për gjetjen e një zgjidhejeje politike që do të çonte drejt pajtimit në Çeçeni, si dhe pramimit të një forme kontrolli rus mbi të.

Frank Xhad i Dhomës britanike të Lordëve ka zhvilluar hetime mbi konfliktin çeçen për llogari të Këshillit të Evropës. Ai paralajmëron se aktualisht kjo luftë rrit kërcënimin nga terrorizmi global. Zoti Xhad thekson se është me rëndësi që, në luftën me Islamin ekstremist, të tregohet se zgjidhjet politike janë të mundshme.

Ai mendon se kjo forcon pozitën e udhëheqësve të moderuar myslimanë në të gjithë botën. Por, shumë analistë thonë se duket që të dyja palët kanë hyrë në një rrugë pa krye dhe secila mendon që pala tjetër nuk është një partner i vërtetë për negociata.

Asnjëra palë nuk duket se është e aftë të arrijë një fitore vendimtare në terren dhe as të sigurojë mbështetje pa kushte nga jashtë. Qeveria çeçene e udhëheqësit Asllan Maskhadov nuk është njohur në arenën ndërkombëtare. Ministri i jashtëm i kësaj qeverisë, Ilias Ahmedov, thotë se zgjedhjet e fundit në Çeçeni kanë krijuar mundësi të pakta për përparim, por edhe ato u eleminuan kur Moska emëroi kandidatin e saj, Ahmed Khadirov, i cili nuk gëzon mbështetjen e çeçenëve. Si rezultat, Çeçenia mbeti pa ndonjë mekanizëm për rrugëdale.

Duket se Presidenti Putin do të fitojë të thellë në zgjedhjet presidenciale të majit dhe shumë analistë mendojnë që mandati i dytë do t’i japë rastin të arrijë një zgjidhje përmes bisedimesh.

Drejtori i Qendrës për Studime Stategjike në Moskë, Andrei Pointkovski, thotë se Presidenti Putin ka forcuar pushtetin dhe se tani mund të përqendrohet në përpjekjet për arritjen e paqes. Ai i paralajmëron amerikanët kundër përpjekjeve për të ushtruar trysni ndaj udhëheqësit rus dhe thonë se atij duhet t’i jepet mundësia që të përcaktojë vetë ritmin e këtyre përpjekjeve. Por, analistë të tjerë mendojnë se paqja ndërmjet çeçenëve dhe Rusisë nuk mund të arrihet pa një pjesëmarrje më të gjerë amerikane dhe ndërkombëtare.//xh//

XS
SM
MD
LG