Lidhje

Kosovë: Qeveria amerikane do të kompensojë pronat e patundëshme që janë shfrytëzuar nga  ushtria e saj - 2004-01-05


Sot në Ndërtesën e komunës në Ferizaj u hap zyrtarisht një zyrë e KFOR-it amerikan, në bashkëpunim me autoritetet vendore, në të cilën qytetarët mund të paraqesin kërkesat për shpërblimin e përdorimit të pronave të tyre nga ushtria amerikane në Kosovë.

Zyra e shtypit e kampit Bondstill, i tha sot "Zërit të Amerikës", se qeveria amerikane do të shpërblejë të gjitha pronat a patundshme të personave civilë, apo objektet publike që janë shfrytëzuar nga ushtria amerikane. Përgatitja e dokumentacionit për këtë ka filluar në dhjetor të vitit të kaluar dhe pritet të përfundojë në korrik të këtij viti. Në shpërblime hyjnë jo vetëm kampi Bondstill, por të gjitha tokat, apo objektet e shfrytëzuara nga ushtria amerikane.

Pas këtij shpërblimi, ushtria amerikane do të bëjë marrëveshje për pagim qeraje çdo muaj për tokat, apo objektet që do të vazhdojë të shfrytëzojë. KFOR-i amerikan ka ndërmarrë një fushatë informative për t'u bërë të ditur qytetarëve vendimin e qeverisë amerikane për pagesën për pronat e shfrytëzuara. Banorët duhet të paraqesin dëshmi nga kadastra për të vërtetuar pronësinë e pasurisë që do të shpërblehet.

Kampi Bondstill që është ndërtuar në fshatin Sojevë pranë Ferizajt ze një sipërfaqe të madhe toke dhe është ndërtuar pas hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë. Ai konsiderohet si një nga bazat më të rëndësishme të ushtrisë amerikane dhe është strehë për mijëra ushtarë amerikanë. Ushtarakët më të lartë të këtij kampi thonë se nuk është Bondstilli ai që shihet si simbol sigurie, por ushtarët që shërbejnë në Kosovë.

Banorët e zonës përreth kanë kërkuar që të paguhet për përdorimin e pronave të tyre, megjithëse ende nuk dihet se në çfarë vlere monetare do të bëhet kjo. Më pas, arritja e kontratave për pagesë mujore të qerasë për pronat në shfrytëzim, pritet të jetë një precedent për paqeruajtësit ndërkombëtare në Kosovë dhe administratën e Kombeve të Bashkuara sepse një numër pronash të qytetarëve ose janë përdorur ose vazhdojnë të përdoren nga paqeruajtësit apo administrata civile ndërkombëtare. //ss//

XS
SM
MD
LG