Lidhje

SHBA: fillon zbatimi i masave të reja për kontrollin e vizitorëve të huaj - 2004-01-05


Autoritetet në 115 aeroporte dhe 14 porte kryesore amerikane filluan marrjen e shenjave të gishtrinjve dhe fotografive të vizitorëve të huaj, në kuadrin e një programi të ri që administrata e presidentit Bush thotë se do të ndihmojë për të mbajtur terroristët larg kufijve të Shteteve të Bashkuara.

Programi i ri i quajtur US VISIT prek gati 23 milion vizitorë të huaj që hyjnë në Shtetet e Bashkuara.

Sekretari i Sigurimit Kombëtar Tom Ridge thotë se kjo është pjesë e një programi më të plotë për të siguruar që kufijtë amerikanë të jenë të hapur për vizitorët por të mbyllur për terroristët.

”Punonjësit e doganave dhe të kufijve do të marrin shenjat e gishtrinjve dhe fotografi me mjete dixhitale, për ti verifikuar me informacionet e marra nga konsullatat që japin vizat jashtë vendit,” tha zoti Ridge.

Sekretari i sigurimit kombëtar i bëri komentet në aeroportin ndërkombëtar të Atlantës, në shtetin Georgia. Pikërisht në këtë aeroport u vu në provë për herë të parë sistemi i ri.

“Siç e pamë nga demonstrimi, sistemi është i lehtë për tu përdorur nga ne, por i vështirë për tu mënjanuar nga terroristët. Për ta zbatuar atë duhen vetëm disa sekonda, në fakt gjatë provës këtu në Atlanta, kohës së kontrollit iu shtuan 15 sekonda duke e çuar atë në pak më shumë se 1 minutë”.

Zoti Ridge tha se gjatë zbatimit të programit, autoritetet zbuluan 21 persona që janë në listën e FBIsë për krime si kontrabandë droge, përdhunime dhe fallsifikim vizash.

Sekretari Ridge shtoi se vetëm zyrtarët e autorizuar do të kenë të drejtë të shikojnë informacionet e grumbulluara nga programi dhe këtë mund ta bëjnë vetëm kur kjo të jetë e nevojshme, por jo ta përdorin informacionin për qëllime të tjera.

Shtetasit e 28 vendeve, shumica evropiane, do të përjashtohen nga programi pasi atyre nuk u kërkohet vizë për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.

Kritikët thonë se programi mund të shkaktojë vonesa në udhëtime dhe mund të jetë jo i efektshëm në se një terrorist i mundshëm nuk është fotografuar apo nuk i janë marrë më parë shenjat e gishtave.

Vizitorët e huaj do të kontrollohen edhe kur të jenë duke u larguar nga Shtetet e Bashkuara, një masë shtesë kjo për të siguruar se nuk e kanë kaluar afatin e qëndrimit.

Masat për të fotografuar dhe për tu marrë shenjat e gishtërinjëve vizitorëve që largohen nga Shtetet e Bashkuara mund të hyjë në zbatim nga fundi i vitit.//ii

XS
SM
MD
LG