Lidhje

Presidenti Rugova: Standartet duhet të plotësohen edhe nga UNMIK-u - 2004-01-06


Presidenti Ibrahim Rugova thotë se Kosova do t’i përmbushë me sukses standartet që do t’i hapin rrugën përcaktimit të statusit të saj përfundimtar. Në një intervistë me Zërin e Amerikës Presidenti Rugova thekson se standardet e përcaktuara nga bashkësia ndërkombëtare janë një detyrë e dyfishtë, që duhet të përmbushen si nga udhëheqësit shqiptarë, ashtu edhe nga Misioni i Kombeve të Bashkuara, që është pushtet në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti President si e vlerësoni pozitën aktuale politike të Kosovës dhe çfarë domethënie kishte viti 2003 për Kosovën?

President Rugova: Viti i kaluar kishte një domethënie pozitive, sepse në Kosovë ka vazhduar përparimi. Pastaj ishte një vit i konsolidimit të institucioneve të Kosovës. Ju e dini se ka më shumë se një vit e gjysmë që funksionojnë institucionet e Kosovës dhe në të njëjtën kohë mund të them se ajo ka një pozitë të mirë në shikimin ndërkombëtar, sepse përparimin që këmi bërë, të gjithë e vlerësojnë si hap të rëndësishëm dhe gjithsesi, unë po them se Kosova ka një pozitë të mirë.

Zëri i Amerikës: Pak para fundit të vitit u bë edhe publikimi i dokumentit të “standardeve për Kosovën” të përcaktuara nga bashkësia ndërkombëtare. Sa besoni ju në gadishmërinë e institucioneve të Kosovës për përmbushjen e këtyre satndardeve?

President Rugova: Unë e kamë thënë se ne e kemi plotësuar një pjesë të këtyre standardeve, ndërsa tani është çështja e vlerësimit të tyre, sepse deri tani ka munguar vlerësimi i tyre. Siç e dini, asnjëherë nuk është vlerësuar fakti që kemi pasur zgjedhje të suksesshme, tri palë zgjedhje: dy palë vendore dhe një palë kombëtare, pastaj zhvillimi ekonomik, rindërtimi që kemi bërë në Kosovë dhe shumë pika të tjera. Bashkësia ndërkombëtare mendon se këto standarte duhet të aktualizohen dhe ajo që është pozitive, pra do të jetë vlerësimi i tyre. Natyrisht, ne si institucione i përkrahim, do t’i përmbushim. Gjithsesi edhe UNMIK-u duhet t’i përmbushë këto standarde, sepse ai është pjesë e pushtetit këtu në Kosovë. Nuk mundet vetëm njëra palë. Por, gjithsesi do të përmbushen dhe një pjesë janë përmbushur, pra tash është çështja e vlerësimit.

Zëri i Amerikës: Zoti President, një pjesë e këtyre standarteve ndërlidhet me gjendjen e pakicave kombëtare. Si e vlerësoni ju pozitën e tyre sot?

President Rugova: Mund të them se është një pozitë më e mirë e pakicave kombëtare. Siç e dini, në planin administrativ janë integruar të gjitha pakicat kombëtare. Marrin pjesë në parlament, në qeveri kanë dy ministri, tre ministra. Në pushtetin vendor po ashtu marrin pjesë dhe atje ku janë shumicë, udhëheqin pushtetin vendor, ndërsa shumica shqiptare nuk krijon probleme. Gjithsesi edhe lëvizja është më e lirë në tërë territorin e Kosovës. Ka filluar edhe në Mitrovicë një lëvizje. Ende është në hapat e parë, por është pozitive. Dhe gjithsesi edhe pakicat duhet të tregojnë një vullnet që të integrohen në shoqërinë dhe në shtetin e Kosovës. Kemi gjithnjë e më shumë tendenca nga ana e tyre, që e shprehin këtë, që të jenë të integruar dhe të gëzojnë të gjitha të drejtat që i garantojnë dokumentet dhe autoritetet e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti President, Ju vazhdimisht këmbëngulni për njohjen “formale” të pavarësisë së Kosovës, duke nënvizuar se ajo është “de facto” e tillë? Në të njëjtën kohë, bashkësia ndërkombëtare mendon se statusi i saj do të debatohet pas përmbushjes së standardeve. A besoni ju se njohja e pavarësisë mund të ndodhë me herët?

President Rugova: Gjithsesi, unë insistoj që njohja duhet të ndodhë më shpejt dhe unë besoj në këtë. Janë pra dy rrugë: bashkësia ndërkombëtare kërkon që së pari të krijohen kushtet, pra Kosova të jetë e konsoliduar si një vend demokratik, një vend me të drejta për të gjithë, që tash po ju themi standarte, që ato të kryhen, pastaj të bisedohet për atë, që për ne është pavarësia, në bazë të vullnetit politik të popullit të Kosovës. Dhe rruga tjetër, në të cilën unë insistoj, është njohja e drejtëpërdrejt e Kosovës, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Bashkimi Evropian, pastaj do ta njihnin edhe fqinjët tanë, sepse është mentalitet i tillë i fqinjëve tanë, i shumicës së fqinjëve tanë, që ata do pranonin më lehtë këtë. Pra, ne nuk e pengojmë rrugën ndërkombëtare, por insistojmë që sa më shpejt të njihet pavarësia sepse kjo do t’i shpejtonte proceset e brendshme demokratike dhe ekonomike të Kosovës dhe do ta qetësonte rajonin tonë, pra Evropën juglindore, këtë pjesë të Evropës dhe të botës.

Zëri i Amerikës: Ju përmendët fqinjët. Në këtë kuadër një nga standartet është edhe dialogu me Beogradin. Pas takimit në Vjenë të Austrisë, nuk ka pasur ndonjë lëvizje në këtë çështje. Si e shihni ju vazhdimin e mundshëm të këtyre bisedimeve?

President Rugova: Politika kombëtare e Kosovës, është të kemi marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët. Natyrisht, ne do të provojmë edhe me Beogradin, që është më vështirë. Takimi i Vjenës ishte një sukses dhe natyrisht tash shihen vështirësitë për të filluar bisedimet rreth çështjeve praktike. Pra Beogradi edhe në këto çështje është mjaft i ngarkuar. Por, ne do të provojmë së bashku me bashkësinë ndërkombëtare që është këtu në Kosovë, që çka mund të bëjmë në atë plan. Ne do të ndërtojmë marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët tanë. Me Shqipërinë i kemi të mira. Me Malin e Zi në përgjithësi janë të mira. Po ashtu edhe me Maqedoninë ka shenja pozitive se do t’i përmirësojmë në kohët që vijnë.

Zëri i Amerikës: T’u kthehemi marrëdhënieve ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe administratës së UNMIK-ut të cilat disa herë kanë shënuar përplasje për shkak të përgjegjësive. Çfarë po ndodh me procesin e kalimit të tyre tek institucionet vendore dhe çfarë po e pengon këtë proces?

President Rugova: Prej themelimit të institucioneve, pra gati dy vjet, kemi pasur një zbrazëtirë ndërmjet UNMIK-ut dhe institucioneve të Kosovës. Ishte faza e konsolidimit të tyre dhe gjithsesi përgjegjësitë duhet të barten. Unë e kam thënë gjithmonë, kam qenë i matur, gradualisht. Por, në fushën e ekonomisë dhe fushat e tjera duhet të kemi më shumë përgjegjësi. Ndërsa në çështjet e sigurisë do të shkojmë gradualisht. Policia e Kosovës është forcuar dhe tash duhet të profilizohet e specializohet për detyra të ndryshme e të mos mbetet një kontigjent i përgjithshëm. Natyrisht, është raporti i përgjegjësive që varet shumë edhe prej UNMIK-ut dhe prej selisë së OKB-së. Por ne kemi dëshmuar se dimë të drejtojmë, të udhëheqim. Prandaj unë pres në vitin 2004, që këto përgjegjësi të barten sa më shumë tek institucionet e Kosovës dhe të njëjtën kohë të kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë me UNMIK-un, sepse ai është këtu për të mirën tonë. Dhe duhet edhe nga ana e UNMIK-ut të tregohet ky vullnet i bashkëpunimit dhe mirëkuptimit, sepse interesat i kemi të përbashkëta, prandaj, ata janë këtu për të mirën e Kosovës dhe ne si institucione duhet t’i tregojmë më shumë aftësitë tona të udhëheqjes së vendit.

Zëri i Amerikës: Zoti President, tashmë dy vjet me radhë që Kosova qeveriset nga një koalicion i gjerë që ka kushtëzuar mungesën e një opozite të mirëfilltë. Sa është dëshmuar një formë e tillë e qeverisjes dhe a do ta ndryshonit atë?

President Rugova: Prandaj është jeta demokratike, rendi demokratik. Gjithsesi, më mirë do të ishte që një parti të kishte shumicën, të udhëhiqte edhe qeverinë. Pra, te qeveria është çështja e koalicionit, sepse parlamenti funksionon në bazë të shumicës që është aty dhe të grupeve të tjera politike. Por, ky ishte rezultati i zgjedhjeve dhe bëmë një kompromis, që të kemi një qeveri koalicionit dhe natyrisht të funksionojnë institucionet e tjera si parlamenti dhe presidenti. Pra, gjithsesi më mirë do të ishte të kemi edhe opozitë, por siç e dini, sistemi proporcional është i përgjithshëm në Kosovë dhe vështirë është të sigurohet një shumicë absolute që do të udhëhiqte vendin dhe shumë gjëra do të shkonin më shpejtë. Edhe ne duhet të mësohemi si kosovarë, si shqiptarë, si shumicë që jemi këtu, por edhe të gjithë qytetarët e Kosovës, se duhet të kemi institucione të qëndrueshme, me një shumicë absolute, një sistem zgjedhjesh funksional dhe natyrisht edhe opozita e bënë të veten, sepse ajo edhe korrekton institucionet e ministritë e ndryshme në të gjitha nivelet dhe kjo do të ishte më pozitive.

Zëri i Amerikës: Zoti President, mbase një pyetje e zakonshme për raste të tilla, çfarë prisni nga viti 2004?

President Rugova: Unë pres njohjen formale të pavarësisë së Kosovës dhe punoj për këtë. Në të njëjtën kohë pres një zhvillim ekonomik më të shpejtuar, një përparim të Kosovës, pra ta shtojmë përparimin që kemi arritur deri tash. Dhe gjithsesi në planin e shoqërisë, të shtetit të Kosovës, një mirëkuptim, një bashkëpunim më të madh dhe një respekt për njëri tjetrin në jetën e përditshme, në punë dhe veprime të tjera. Pra, këto janë ato që unë pres dhe dëshiroj t’i realizojmë në vitin 2004.

XS
SM
MD
LG