Lidhje

Partitë parlamentare të Serbisë i kanë filluar bisedimet rreth formimit të qeverisë së re - 2004-01-06


Negociatat e partive parlamentare për formimin e Qeverisë së re të Serbisë kanë filluar dje në Beograd, dhjetë ditë pas zgjedhjeve paralmentare, por qysh në fillim ato janë përshkuar me mospajtime të theksuara për shkak të propozimeve të zgjidhjeve të ndryshme.

Kryetari i Partisë Demokratike të Serbisë, më e madhja e bllokut demokratik, Vojisllav Koshtunica nuk është përgjigjur në ofertën e Partisë ultranacionaliste radikale për formimin e qeverisë së përbashkët, por ka propozuar formimin e qeverisë teknike, respektivisht të konsensusit kombëtar të përbërë nga përfaqëseusit e të gjitha partive parlamentare. Sipas tij prioriteti i saj do të ishte arritja e konsensusit për hartimin e kushtetutës së re, miratimin e ligjeve zgjedhore e të disa ligjeve tjera sistemore dhe mandati i saj do të kufizohej në një vjet.

Këtë ide e kanë hedhur poshtë radikalët serb që kanë më shumë mandate në parlament, të cilët po kërkojnë vetëm formimin e qeverisë me demokratët e Koshtunicës që e pasqyron vullnetin e popullit.

Nëse kjo nuk ndodh atëherë së shpejti do të ketë zgjedhje të reja, ka thënë zv/kryetari i radikalëve Tomisllav Nikoliq. Partia Socialiste e ish presidentit Millosheviqit gjithashtu e kundërshtojnë idenë e qeverisë teknike duke e quajtur këtë si jo-reale me që qeveritë e tilla formohen në situata të jashtëzakonshme, sikurse është shprehur Ivica Daçiq.

Lëvizja e Ripërtritjes serbe e Vuk Drashkoviq dhe Nova Serbia, e Velimir Iiliqit që janë në koalicion, thonë se ideja për qeverinë teknike është e papranueshme sepse nënkutpon kthimin e radikalëve e të socialistëve në pushtet. Drashkoviq e kundërshton edhe formimin e qeverisë së pakicës dhe angazhohet për qeverinë e koalicionit të katër partive të bllokut demokratik. E këtij mendimi është edhe Partia "G 17 plus" e Miroljub Llabusit.

Drejtuesit e Partisë Demokratike të ish kryeministrit të vrarë Zoran Gjingjiq e kanë hedhur poshtë mundësinë e hyrjes në qeverinë teknike dhe kanë shprehur gadishmërinë për ta mbështetur qeverinë e bllokut demokratik, me kusht që ajo ta vazhdojë procesin e reformave të filluara. Ata kanë propozuar që kritiku i tyre më i ashpër Koshtuncia të jetë mandatar për kryeministër.

Rreth idesë për formimin e qeverisë teknike janë të ndryshme edhe qëndrimet e analistëve politik. Disa e mbëshetsin këtë ide me arysetimin se në situatën në të cilën gjendet Serbia sot një zgjidhje e tillë është e logjikshme, por disa tjerë thonë se propozimi për qeverinë teknike është ikje nga përgjegjësia nëse dështon formimi i qeverisë së re për shkak të mospajtimeve të mëdha midis drejtuesve politik. Mirëpo këta të fundit mendojnë megjithatë se qeverinë do ta formojnë partitë e bllokut demokratik edhe për shkak të trysnisë së madhe të faktorit ndërkombëtar. //ss//

XS
SM
MD
LG