Lidhje

Profil i senatorit demokrat Joseph Lieberman - 2004-01-07


Senatori amerikan Joe Lieberman nga Konektikati është një ndër nëntë demokratët që po konkurojnë për emërimin e partisë së tyre si kandidat për në zgjedhjet presidenciale të këtij viti. Ai është i vetmi përkrahës i palëkundur i luftës me Irakun ndër kandidatët e Partisë Demokrate për president.

“Ne vepruam drejt kur ndërhymë për të çliruar popullin irakian nga Sadam Huseini dhe për të mbrojtur Amerikën dhe pjesën tjetër të botës nga agresioni i tij,” tha zoti Lieberman.

Senatori Lieberman sulmon rivalët e tij, të cilët nuk mbështetën luftën, duke thënë se ata e vënë Partinë Demokrate në një pozitë të dobët kur është fjala për sigurimin kombëtar:

“Siç shprehen edhe vetë, disa anëtarë të partisë sime po përhapin mesazhin se nuk dinë të dallojnë cila është luftë e drejtë, se nuk janë të përgatitur të përdorin forcën ushtarake të Shteteve të Bashkuara për të mbrojur sigurinë në kauzën e lirisë,” thotë zoti Lieberman.

Senatori përqëndrohet në veçanti tek ish guvernatori i shtetit Vermont Howard Dean, i cili me pikëpamjet e tij të forta kundër luftës ka arritur të kryesojë në anketat e opinionit publik.

Zoti Lieberman vuri në pikëpyetje gjykimin e zotit Dean pasi ish guvernatori tha se kapja e ish udhëheqësit irakian Sadam Husein nga forcat amerikane nuk e ka bërë botën më të sigurtë:

“Më duket se pavarësisht nga pozita e mëparshme e çdokujt lidhur me luftën në Irak, për të cilën unë kam dëgjuar pikëpamjet nga të dyja kahet, të cilat i respektoj, nuk e kuptoj sesi ndokush mund të thotë se nuk jemi më të sigurt pas burgosjes së Sadam Huseinit,” thotë senatori.

Ai vë në dukje edhe një tjetër dallim të madh ndërmjet tij dhe zotit Dean. Ai thekson se idetë e tij të qendrës ofrojnë shpresën më të mirë për të mundur presidentin Bush në nëntor. Por ai renditet i treti apo i katërti ndër kandidatët demokratë në anketat e opinionit publik në shtetet Iowa dhe New Hampshire ku do të zhvillohen garat e para për të zgjedhur kandidatin e Partisë Demokrate për president.

Kritikët e zotit Lieberman thonë se ai është tepër konservator në një numër çështjesh, përfshirë Irakun, gjë që e pengon në përpjekjet për të siguruar mbështetjen e bazës liberale të partisë. Për shembull, ata vënë në dukje se ai ka kritikuar tema kulturore dhe seksuale në filma dhe në këngë të suksesshme, duke krijuar kontradikta me industrinë e argëtimit dhe veprimtarët për liri civile, të cilët mbështesin Partinë Demokrate.

Por përkrahësit e tij thonë se nuk duhet harruar që ai është i angazhuar në mbrojtje të të drejtës për abort, të drejtave të homoseksualëve, të drejtave të pakicave dhe mjedisit.

Senatori Lieberman thotë se mbeti i habitur kur ish nën-presidenti Al Gore shprehu përkrahjen e tij për kandidatin Howard Dean. Por ai shtoi se do t’i jetë gjithmonë mirënjohës zotit Gore që e zgjodhi atë si kandidat për nën-president në zgjedhjet e vitit 2000.

Zoti Lieberman ka qenë anëtar i senatit që nga viti 1989. Ai ishte ndër demokratët e parë që kritikoi presidentin Klinton për marrëdhëniet e tij jashtë-martesore me praktikanten e Shtëpisë së Bardhë Monika Luinski, të cilat çuan në fillimin e procesit për shkarkimin e presidentit nga detyra.

Senatori është një besimtar i devotshëm i një sekti konservator të fese hebraike dhe një përkrahës i fortë i Izraelit. Por ai përpiqet të tregohet i balancuar në diskutimet për procesin e paqes në Lindjen e Mesme, duke theksuar përkrahjen e tij për një shtet palestinez:

“E vetmja zgjidhje e pranueshme është krejt e qartë: ekzistenca e dy shteteve- një Izrael i lirë dhe në paqe, të ekzistojë përkrah një shteti palestinez të lirë, të pavarur dhe në paqe. Kjo zgjidhje do të bëhet e mundur vetëm nëse Shtetet e Bashkuara angazhohen në proces dhe hapi i parë duhet të jetë ndalja e terrorizmit,” thotë zoti Lieberman.

Senatori 60-vjeçar është i martuar me Hadasah Lieberman, vajza e një ish-të burgosuri çek në kampet e përqëndrimit.

//ad//

XS
SM
MD
LG