Lidhje

Presidenti Bush shpall një program të ri për imigracionin - 2004-01-07


Presidenti Bush njoftoi programin e ri të punësimit të përkohshëm. Synimi është kombinimi i aftësive dhe i dëshirës së individëve nga vende të tjera për të punuar në kompanitë amerikane, me nevojat e këtyre të fundit në rastet kur ato nuk mund të gjejnë amerikanë për të plotësuar vendet e punës.

Miliona imigrantë të paligjshëm, që ndodhen tani në Shtetet e Bashkuara do të kenë të drejtën të përfshihen në program. Por zyrtarë të lartë të administratës theksojnë se presidenti nuk po propozon një amnesti për ata që kanë hyrë në Amerikë me rrugë të paligjshme.

Këta zyrtarë thonë se ata që përfshihen në programin e punësimit të përkohshëm, nuk përfitojnë automatikisht të drejtën e qendrimit të përhershëm në Shtetet e Bashkuara. Ata thjesht do të mund të punojnë në Shtetet e Bashkuara për një kohë të caktuar përpara se të kthehen në vendet e tyre.

Shumë hollësi të këtij projekt-ligji mbeten të diskutohen me kongresin amerikan, ku çdo përpjekje që duket se shpërblen imigrantët e paligjshëm, has në kundërshtime të konsiderueshme.

Duke parashikuar një betejë të vështirë për miratimin e këtij propozimi, Shtëpia e Bardhë po e përshkruan nismën e Presidentit Bush si një masë ekonomike, e cila do të ndihmojë kompanitë të gjejnë njerëz për të plotësuar vende pune me pagesë të ulët. Zyrtarët vënë gjithashtu në dukje se imigrantët e paligjshëm, të cilët përfitojnë të drejtën e punësimit të përkohshëm, do të paguajnë taksa dhe do të kontribuojnë në rritjen ekonomike të vendit.

Askush nuk e di me siguri se sa imigrantë ndodhen në Shtetet e Bashkuara , por vlerësohet se numri i tyre shkon nga tetë deri në dhjetë milion. Zyrtarët që merren me përgatitjen e propozimit të presidentit Bush, thonë se, nëse ka vende të mjaftueshme pune, në program mund të përfshihen të gjithë imigrantët e paligjshëm.

Ata shtojnë se punonjësit që marrin pjesë në të, nuk përjashtohen nga e drejta për të kërkuar kartën e gjelbër, ose banimin e përhershëm në Shtetet e Bashkuara. Por zyrtarët e bëjnë të qartë se pjesëmarrësit në këtë program nuk do të kenë përparësi ndaj atyre imigrantëve që do të kërkonin punë në Shtetet e Bashkuara nga jashtë.

Meksika ka ushtruar trysni të madhe ndaj Shteteve të Bashkuara që këto të fundit të miratojnë një lloj programi për punësim të përkohshëm dhe njoftimi i Shtëpisë së Bardhë bëhet vetëm disa ditë para se Presidenti Bush të takohet me presidentin meksikan, Vicente Fox. Ata do të takohen kokë më kokë në mjediset e mbledhjes rajonale të nivelit të lartë javën e ardhshme në qytetin Monterrey të Meksikës.

Njoftimi mendohet se do të ndihmojë në përmirësimin e marrëdhënieve me Meksikën, të cilat u tendosën për shkak të luftës në Irak dhe çështjeve të tjera. Programi i punësimit të përkohshëm me siguri që do të mirëpritet nga votuesit hispanikë, të cilët mund të luajnë një rol të rëndësishëm këtë vit zgjedhjesh presidenciale në Shtetet e Bashkuara.// lk //

XS
SM
MD
LG