Lidhje

Shtypja e lirisë fetare në Arabinë Saudite - 2004-01-07


E drejta e lirisë fetare mund t’u mohohet njerëzve në mënyra të ndryshme. Një mënyrë është që qeveria të favorizojë një fe mbizotëruese dhe të shtypë besime të tjera fetare. Mes vendeve ku ndodh një gjë e tillë, thotë John Hanford, ambasadori amerikan për lirinë fdetare në botë, janë Arabia Saudite, Sudani dhe Irani.

Sipas raportit të fundit të Departamentit amerikan të Shtetit mbi Lirinë Ndërkombëtare Fetare, Islami është feja zyrtare në Arabinë Saudite dhe ligji kërkon që të gjithë shtetasit të jenë myslimanë. Qeveria ndalon ushtrimin në publik të besimeve fetare jo myslimane. Qeveria saudite njeh të drejtën e jo myslimanëve të praktikojnë fenë e tyre privatisht, por ajo nuk e respekton gjithmonë këtë të drejtë dhe nuk e përkufizon këtë të drejtë në dispozita ligjore.

Siç vë në dukje ambasadori Hanford, “në Arabinë Saudite nuk ndalohet vetëm adhurimi fetar në publik nga të krishterët, hebrenjtë, hindutë, budistët dhe besimtarë të tjerë jo myslimanë, atje diskrimonohen edhe shiitët, pjesëtarët e sektit Ismaili dhe myslimanë të tjerë që nuk i përkasin sektit zyrtar të Islamit që adhurohet nga qeveria.”

Në përputhje me ligjin amerikan, qeveria e Shteteve të Bashkuara ka emruar disa vende që ngjallin shqetësim në mënyrë të veçant për sa i përket mohimit të lirisë fetare. Në listën e vitit të kaluar përfshihen Kina, Birmania, Irani, Koreja e Veriut, Sudani dhe Iraku nën regjimin e Sadam Huseinit. Ambasadori Hanford thotë se zyrtarë amerikanë kanë shqyrtuar mundësinë që në këtë listë të përfshihet edhe Arabia Saudite.

“Arabia Saudite ka qenë shumë afër përfshirjes në këtë listë. Për sa i përket mohimit të lirisë fetare, vetëm një numër i vogël vendesh mund të kenë ligje më shtrënguese. Ka vende që tregohen shumë më të ashpra në mënyrën sesi i zbatojnë ligjet e tyre, për sa u përket arrestimeve, torturimit dhe vrasjes së njerëzve. Qevevria saudite ka filluar të marrë disa masa për zgjidhjen e këtij problemi dhe ne do të jemi në procesin e përpjekjeve për të vlerësuar sesa larg shkojnë ato masa, para se të marrim vendimin përfundmtar”, tha ambasadori Hanford.

Pa dyshim, synimi nuk është thjeshtë përfshirja e vendeve në një listë apo tjetër, por të inkurajohen ato që të respektojnë lirinë fetare. Siç thuhet shprehimisht në Deklaratën e Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut, “Të gjithë njerëzit kanë të drejtën të ushtrojnë besimin e tyre fetare në publik apo privatisht nëpërmjet mësimit, praktikës, adhurimit dhe kremtimit. Edhe qytetarët e Arabisë Saudite, jo më pak se popujt e tjerë, duhet të lejohen të praktikojnë lirisht fenë e tyre. ”//xh//

XS
SM
MD
LG