Lidhje

Presidenti Bush kërkon të ndryshojë ligjet e imigracionit - 2004-01-08


Presidenti Bush kërkon të ndryshojë ligjet e imigracionit me qëllim që t’u japë status ligjorë miliona personave, të cilët punojnë në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara. Mirëpo, pritet që plani i presidentit të përballet me opozitë të fortë nga anëtarë të partisë së tij në Kongres.

Presidenti Bush thotë se programi i ri për punëtorë të përkohshëm do ta bëjë politikën amerikane të imigrimit më të mëshirëshme. “Nga pikëpamja praktike si edhe ajo e drejtësia, ligjet tona duhet të lejojnë njerëzit qëduan të punojnë, të hyjnë në vendin tonë dhe të zënë vendet e punës që nuk preferohen nga amerikanët, tha Presidenti Bush.

Plani parashikon legalizimin e të paktën 8 milionë punëtorëve pa dokumenta, me qëllim që personat, të cilët kulifikohen për këtë program të mos ndëshkohen për shkak se kanë hyrë dhe punojnë në Amerikë në mënyrë të paligjshme.

Ata do të ishin të lirë të udhëtonin midis Amerikës dhe vendeve të tyre pa frikën e ndëshkimit dhe do të merrnin të gjitha përfitimet e punëtorëve amerikanë, përfshirë pagën minimale, sigurinë në vendin e punës dhe mbrojtjen ligjore. Ata do të paguanin taksa, do të kualifikoheshin për kursime federale për pension dhe në shumicën e shteteve do t’u jepej e drejta të merrnin lejen për të ngarë makinën.

Leja e punës do të jetë e vlefshme për tre vjet dhe mund t’i zgjatet afati disa herë. Programi do të përfundojë dhe Presidenti Bush thotë se personat e regjistruar në të, pritet të kthehen në vendet e tyre nëse nuk kualifikohen për të marrë shtetësinë. “Pjesëmarrësit që nuk punojnë, nuk zbatojnë rregullat e programit apo shkelin ligjet, do të detyrohen të kthehen në vendet e tyre, thekson Presidenti Bush.

Plani i presidenntit duhet të miratohet nga Kongresi, ku pritet të përballet me kritika të ashpra nga republikanë konservatorë, të cilët thonë se nuk dëshirojnë të shpërblejnë njerëzit që kanë shkelur ligjet, duke hyrë në këtë vend në mënyrë të paligjshme dhe punojnë pa leje.

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë e kanë bërë të qartë në mënyrë të përsëritur se kjo nuk përbën amnesti për imigrantë të paligjshëm dhe se nuk ka asnjë lidhje midis lejes së përkohshme për të punuar në këtë vend dhe shtetësisë amerikane.

Plani është kritikuar edhe nga sindikatat, të cilat thonë se ai çon në pakësimin e vendeve të punës për amerikanët. Presidenti Bush thekson se plani kërkon që punëdhënësit të bëjnë ç’është e mundur që së pari të marrin në punë shtetas amerikanë dhe vetëm atëherë do të lejohen të punësojnë imigrantë.

Reforma në shërbimin e imigracionit ishte një aspekt i rëndësishëm i fushatës së presidentit në zgjedhjet e vitit 2000. Por, vëmendja më e madhe që iu kushtua sigurisë kombëtare, pas sulmeve terroriste të shtatorit 2001, i ngadalësoi ato reforma. Shtëpia e Bardhë thotë tani se ajo ka një plan që plotëson nevojat ekonomike e të sigurimit, duke shtuar të ardhurat federale nëpërmjet rritjes së numrit të taksapaguesve të ligjshëm dhe duke ditur më mirë se kush jeton në këtë vend.

Duket që propozimi i parë legjislativ i presidentit në këtë vit zgjedhjesh ka për synim edhe të fitojë mbështetjen e afro 40 milionë votuesve hispanikë, të cilët përbëjnë grupin më të madh etnik të Amerikës.//xh//

XS
SM
MD
LG