Lidhje

Shkodër:Sot filloi nga puna këshilli i ri bashkiak i qytetit - 2004-01-08


Me gati 3 muaj vonesë sot filloi nga puna këshilli i ri bashkiak i qytetit të Shkodrës dhe kryetari i ri i kësaj bashkie Artan Haxhi.

Në procesin e konstituimit të këshillit bashkiak të qytetit të Shkodrës mori pjesë edhe nënkryetarja e parlamentit shqiptar,njëherazi nënkryetare e Partisë demokratike, zonja Jozefina Topalli, tha se janë të qëllimshme vonesat e shkaktuara në disa qytete dhe komuna te vendit për fillimin e veprimtarisë së të zgjedhurve të rinj vendor, të dalë nga zgjedhjet e 12 tetorit. Vonesa prej gati tre muajsh,tha zonja Topalli,ka synuar të pengojë edhe ato pak mundësi administruese që kanë të gjedhurit vendor në qytete te tilla si Shkodra apo Vau i Dejës.

Pjesa më e madhe e rretheve veriore,sipas saj,po vuajnë nivelin e lartë të papunësisë,varfërinë e skajshme,mungesën e energjisë elektrike dhe mbështetjen e shtetit.

Megjithëse qeveria shqiptare është zotuar për të zbutur nivelin e varfërisë,zonja Topalli tha se për vitin 2004,për zonat veriore qeveria ka parashikuar vetëm 30% të vlerës së investimeve në shkallë vendi.Në këtë situatë,tha ajo,të zgjedhurit vendor duhet të kërkojnë mundësi të tjera për të nxitur zhvillimin në zonat e tyre.

Unë mendoj që detyrë e tyre parësore është të tërheqin njerëz profesionalisht të zotë,të bëjnë një reformë të thellë në administratën e bashkisë dhe, nëqoftëse do të vazhdojnë të gjejnë pengesa,siç kam shumë frikë se do të ndodh,për të realizu këto projekte, me fondet që vijnë përmes Bankës Boterore apo nga instrumente te tjera ndërkombëtare,por që kalojnë nga qeveria,të zgjedhurit vendor duhet të bëjnë përpjekje që të shfrytëzojnë antarësinë tonë në Kongresion e autoriteteve lokale në Strasburg, për të punuar përmes projekteve te regjionalizimit.

Po sot,nënkryetarja e parlamentit shqiptar,zonja Topalli shprehu mosbesim të thellë ndaj deklaratave të fundit të qeveritarëve shqiptarë për fillimin e procesit të kompesimit të ish pronarëve dhe të përndjekurve politikë.Ajo tha se opozita ka këmbëngulur që ky proces të pasqyrohej në një zë të veçantë në buxhetin e shtetit për vitin 2004 gjë që ,sipas saj, nuk u pranua nga deputetët e majtë.

Dhe pasi u mbydh buxheti dhe ju tha shqiptarëve se nuk ka më asnjë para për të përndjekurit politikë dhe se nuk do të ketë asnjë para për një fond të veçantë për kthimin e pronave ish pronarëve,me vitin e ri ato dalin dhe thonë se kanë ndër mend të rishikojnë qendrimin e tyre.Në fakt,në sytë e të gjithë shqiptarëve kjo është një demagogji.

Për nënkryetaren e parlamentit,zonjën Topalli,realiteti i sotëm shqiptar,më shumë se luftën politike mes të djathtës dhe të majtës, ofron nevojën e luftës kundër mafias dhe krimit të organizuar i cili, sipas saj, po merr në dorë drejtimin e vendit. //ss//

XS
SM
MD
LG