Lidhje

Së shpejti në SHBA do të zhvillohen zgjedhjet presidenciale paraprake - 2004-01-08


Në Shtetet e Bashkuara mbetet më pak se një vit nga zgjedhjet presidenciale, por procesi për zgjedhjen e kandidatit demokrat, i cili do të rivalizojë me presidentin Bush për postin e presidentit do të fillojë pas më pak se dy javësh në shtetet Iowa dhe New Hampshire. Procesi i zgjedhjes së një kandidati demokrat është i ndërlikuar. Por përse këto dy shtete luajnë një rol jetik në garën për Shtëpinë e Bardhë?

Nëntë kandidatët demokratë për zgjedhjet presidenciale po konkurrojnë fillimisht në garën brenda partisë së tyre, fituesi i së cilës do të kandidojë me presidentin Bush në zgjedhjet e muajit nëntor. Ende nuk është plotësisht e qartë se cili kandidat e kryeson garën e demokratëve. Profesor Allan Lichtman, ekspert i politikës amerikane, thotë se kjo do të ndryshojë me zgjedhjet paraprake, që do të zhvillohen në Iowa më 19 janar dhe në New Hampshire një javë më pas.

”Iowa dhe New Hampshire janë dy shtete mjaft të rëndësishëm për kandidatët presidencialë. Atje tradicionalisht, zhvillohet gara ku seleksionohen delegatët e parë. Ata nuk janë shtete që përfaqësojnë vendin. për shembull, këto shtete nuk pasqyrojnë shumllojshmërinë e pasur demografike të Amerikës. Kandidatët demokratë janë gjithsej 9. Zgjedhjet në Iowa dhe New Hampshire ndoshta do të ndikojnë në pakësimin e numrit të kandidatëve dhe më pas në evidentimin e një kandidati kryesor, në se një individ i vetëm i fiton të dyja zgjedhjet paraprake.”

Në Iowa, zgjedhjet paraprake drejtohen nga demokratët. Udhëheqësit e partive i grumbullojnë njerëzit në grupe, ku ata shprehin preferencat e tyre për kandidatët e ndryshëm. Në Nju Hampshire, votimi bëhet në mënyra tradicionale. Pjesmarrja është e lartë sepse aty marrin pjesë votues demokratë dhe të pavarur. Në të dyja këto shtete kandidatët e kalojnë një pjesë të madhe të kohës duke mbajtur fjalime për fushatën, duke shtrënguar duart me përkrahësit dhe duke u takuar me popullin. Analisti politik Stuart Rothenberg thotë se kjo lloj fushate në bazë është kyçi i fitores së zgjedhjeve.

”Që këtu dallohen njerëzit, të cilët do të votojnë në zgjedhjet paraprake. Kandidatët kanë rastin të flasin për veten e tyre në këto takime, t’u thonë votuesve çfarë përvoje kanë, cili është qëndrimi i tyre për çështje të ndryshme, për mënyrën e tyre të jetesës dhe historinë e tyre personale; ata sjellin me këtë rast mesazhin e tyre për zgjedhjet,” -thotë analisti.

”Në se një kandidat fiton zgjedhjet paraprake në Iowa, New Hampshire dhe më vonë në Karolinën e Jugut, ai siguron në këtë mënyrë njohjen e njerëzve, vëmendjen e shtypit, paratë e nevojshem për fushatën dhe besueshmërinë që më pas të fitojë zgjedhjet e mëtejshme paraprake në shtete më të mëdha, me një numër më të madh delegatësh, si Teksasi, New Yorku, Kalifornia dhe Florida,” - thotë Lichtman.

Analistët politikë thonë se kandidatët të cilët nuk dalin mirë në zgjedhjet e para e kanë të vështirë të tërheqin vullnetarë për fushatën, të sigurojnë donacione nga populli dhe të tërheqin vëmendjen e shtypit, që i boton emrat e tyre në titujt e gazetave.

”Anëtarët e thjeshtë të partisë duan të grumbullohen rreth një kandidati të vetëm dhe informacionin më të mirë se cili do të jetë fituesi i garës, ata do ta gjejnë në zgjedhjet e hershme paraprake,” - thotë Lichtman.

”Pjesa më e madhe e diskutimeve në procesin e zgjedhjeve të para, është se si kanë dalë kandidatët në to. Ata kandidatë që nuk janë paraqitur mirë në zgjedhje, njerëzit i pyesin vazhdimisht; përse kanë dalë aq dobët dhe si do të mund të arrijnë të fitojnë. Ndërkohë, kandidatët që dalin mirë flasin shpesh me siguri se ata kanë fituar terren, se ata patjetër do të emërohen nga partia. Pra, është tepër e vështirë për një kandidat që humbet, të vazhdojë të tërheqë vëmendjen e publikut dhe në të njëjtën kohë të shihet si një kandidat i rëndësishëm i garës,”- thotë analisti Rothemberg.

”Një kandidati i duhet të fitojë garat e popullaritetit në një numër zgjedhjesh paraprake në nivel shteti, si dhe në disa zgjedhje paraprake të parakohëshme, në mënyrë që ai të mund të sigurojë një numër të mjaftueshëm delegatësh për në Konventën Kombëtare, ku bëhet edhe emërimi i tyre. Gjatë këtyre 50 vjetëve të fundit, për të dyja partitë, zakonisht pas zgjedhjeve paraprake në nivel shteti, një kandidat del nga këto zgjedhje si alternativa më e mirë dhe më e menduar e partisë, i cili shkon në Kuvendin Kombëtar, pasi ka siguruar përkrahjen e shumicës së delegatëve.”

Shumë vëzhgues të politikës thonë se deri në mesin e muajit mars, demokratët duhet ta dinë se cili prej kandidatëve të tyre ka fituar më tepër përkrahjen e zgjedhësve.

XS
SM
MD
LG