Lidhje

Liritë civile dhe lufta kundër terrorizmit - 2004-01-08


Një grup ekspertësh diskutoi kohët e fundit në Washington mbi mënyrën sesi qeveria e Shteteve të Bashkuara mund të gjejë një të mesme të artë ndërmjet respektimit të lirive civile të përfshira në Kushtetutën amerikane e në Kartën e të Drejtave dhe nevojës për të mbrojtur qyetarët amerikanë nga sulmet terroriste.

Benjamin Franklini, një nga themeluesit e Shteteve të Bashkuara, i pat këshilluar bashkëatdhetarët e tij të çmonin lart dhe të mbronin liritë e tyre të garantuara nga kushtetuta dhe Karta e të Drejtave duke thënë se ata që mund të heqin dorë nga liritë civile bazë për të fituar një siguri të vogël e të përkohshme, nuk meritojnë as lirinë dhe as sigurinë. Por, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara po zhvillojnë një luftë të pafund kundër një armiku të mugët që nuk i detyrohet asnjë shteti, shumë juristë thonë se disa shkelje të këtyre lirive të çmueshme amerikane janë të domosdoshme në mënyrë që të parandalohen sulmet terroriste. Profesori i drejtësisë David Cole pranë Universitetit Georgetown nuk pajtohet me këtë pikëpamje:

”Unë këmbëngul që të drejtat bazë të njeriut nuk duhet t’i mohohen askuj. Dhe ato që identifikohen në Kartën e të Drejtave janë të drejta të natyrshme të dhuruara nga Zoti, jo vetëm për njerëz me nështetësi amerikane apo për të bardhët, por për të gjithë njerëzit”, thotë profesori Cole.

Zoti Cole thotë se qytetarët amerikanë, që nga 11 shtatori 2001, nuk e kanë patur për detyrë të zgjedhin se cilat liri të sakrifikojnë për hir të sigurisë. Qeveria amerikane ka vënë në shënjestër qytetarë të huaj nga vende arabe e myslimane, të cilët nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe politike. Por, profesori i drejtësisë paralajmëron se qyetarët amerikanë duhet të jenë të kujdesshëm, pasi historia tregon se masat që qeveria merr sot kundër shtetasve të huaj, nesër mund t’i marrë kundër qytetarëve të vet.

Realiteti është se terroristët po përpiqen të na shkatërrojnë, thotë anëtari i gjykatës amerikane të apelit, Majkëll Çerttof.

“Dhe kjo bëhet edhe më e vështirë kur dikush si profesori Cole thotë se vetëm një person në një mijë përbën kërcënim. Problemi është, thotë gjykatësi Çertof, se një person në një mijë mund të vrasë një milion njerëz duke përdorur teknologjinë e duhur.”

Gjykatësi Çertof mbron praktikën e ndalimit nga qeveria të shtetasve të huaj dhe mbajtjen e tyre nëse ata kanë kryer krime apo kanë hyrë në Shtetet e Bashkuara përmes rrugësh të paligjshme.

Ai dhe shumë juristë të tjerë mbështesin argumentet se hapja tradicionale e qeverisë amerikane dhe e drejta e publikut për të marrë informacion mund të kufizohen në klimën e tanishme politike, nëse është e domosdoshme për të mbrojtur qyetarët amerikanë.

Një shembull është rasti i Zakaria Musavit, simpatizues i al-Kaidës, i cili është në gjyq në lidhje me sulmet e 11 shtatorit. Musavi kërkon të kontaktojë tre terroristë të al-Kaidës, të cilët, thotë ai, mund të provojnë se nuk ka qenë i përzier në sulmet terroriste. Deri tani, qeveria e ka mohuar kërkesën e tij duke thënë se një gjë e tillë do të pengonte një proces të rëndësishëm hetimor.

Ruth Wedgwood, ish prokurore federale dhe profesoreshë e së drejtës ndërkombëtare, argumenton se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre mbështeten në informacion njerëzor në luftën kundër al-Kaidës. Nëse personave të dyshuar si terroristë u jepet e drejta të kenë avokatë mbrojtës, ata mund të mos japin kurrë ndonjë informacion.

Por, drejtoresha e zyrës së Komitetit të Avokatëve për të Drejtat e Njeriut në Washington, Elisa Massimino, ngul këmbë se duke mos respektuar shtetin ligjor në Shtetet e Bashkuara, administrata e Presidentit Bush saboton respektin për shtetin ligjor në vende të tjera.

“Ne, thotë zonja Massimino, jemi në rrezik të humbasim cilësitë tona më të forta në luftën kundër terrorizmit në shkallë botërore, pra, aftësinë për të projektuar vlerat amerikane, vlerat demokratike dhe të drejtat e njeriut në shkallë botërore.”

Vëzhguesit ligjorë parashikojnë që shumica e rasteve që lidhen me të drejtat civile dhe luftën kundër terrorit, të përfundojnë në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara. Në nëntor, gjykata më e lartë e vendit tha se do të vendosë në vitin 2004 nëse shtetasit jo amerikanë që mbahen në bazën detare amerikane në Gjirin Guatanamo të Kubës, kanë të drejtë të nxirren para gjykatave amerikane.

XS
SM
MD
LG