Lidhje

Khmerët e Kuq duhet të dalin para drejtësisë - 2004-01-08


Më shumë se 25 vjet më parë, rreth 3 milionë kamboxhianë u vranë ose gjetën vdekjen nga uria, burgosjet, torturat dhe puna e detyruar. Pol Poti, udhëheqësi i grupit Khmerët e Kuq, përgjegjësi kryesor për shumicën e këtyre masakrave, sot ka vdekur. Por disa prej ndihmësve të tij të lartë, ende nuk kanë dalë para gjyqit.

Zyrtarët kamboxhianë nënshkruan një marrëveshje me Kombet e Bashkuara në qershor të vitit 2003 për t’i nxjerrë para drejtësisë drejtuesit e grupit Khmerët e Kuq. Por Asambleja Kombëtare e Kamboxhias, nuk e ka ratifikuar ende traktatin, për shkak të negociatave të vazhdueshme, që nga zgjedhjet e muajit korrik, për të formuar një qeveri të re.

Khmerët e Kuq erdhën në pushtet në prill të vitit 1975. Për 4 vjet, duke ushtruar terror të vazhdueshëm, ata vranë intelektualët dhe e skllavëruan popullsinë, duke e detyruar të futej në kooperativa bujqësore. Krimet kundër njerëzimit të Khmerëve të Kuq nuk kundërshtohen as vetë nga disa prej drejtuesve të këtij grupi. Një prej tyre, Khieu Samphan, kohët e fundit e pranoi në një letër të hapur se Kamboxhia “duhet të përballet me një të kaluar të dhimbshme të shkaktuar nga urrejtja dhe terrori”.

Gjenocidi në Kamboxhia shërben si paralajmërim për atë që mund të ndodhë kur nuk respektohen të drejtat e njeriut dhe kur institucionet demokratike janë të dobëta, ose nuk ekzistojnë. Presidenti Bush ka theksuar se shoqëritë e suksesshme, të cilado kulture qofshin, kanë disa parime të përbashkëta.

“Shoqëritë e suksesshme i vënë kufi autoritetit të shtetit dhe pushtetit të ushtrisë, në mënyrë që qeveria të respektojë vullnetin e popullit dhe jo vullnetin e një klike. Shoqëritë e suksesshme mbrojnë lirinë, duke respektuar vazhdimisht dhe në mënyrë të paanshme ligjin. Dhe në vend që ta drejtojnë urrejtjen dhe pakënaqësinë ndaj të tjerëve, shoqëritë e sukesshme punojnë për të realizuar shpresat e popullit të tyre”, tha presidenti Bush.

Khmerët e Kuq sunduan përmes frikës dhe urrejtjes. Para se të bëhet tepër vonë, ata duhet të dalin para drejtësisë, që ua mohuan kaq shumë të tjerëve.

XS
SM
MD
LG