Lidhje

Ambasador Xhefri: Marrëdhëniet me Shqipërinë nuk kanë qënë kurrë më të mira - 2004-01-09


Zëri i Amerikës: Zoti Ambasador, si i cilësoni marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe çfarë rëndësie kanë këto marrëdhënie në kuadër të objektivave kryesore të politikës së jashtme amerikane në Ballkan?

Ambasador Xhejms Xhefri: Marrëdhëniet nuk kanë qënë kurrë më të mira. Viti që kaloi ishte shumë, shumë i mirë me zhvillime të tilla si nënshkrimi i Kartës së Adriatikut për anëtarësim në Nato, mbështetja e Shqipërisë për luftën tonë globale kundër terrorizmit, veçanërisht dërgimi i trupave nga Shqipëria në Irak dhe në Afganistan. Nënshkruam marrëveshjen për Gjykatën Ndërkombëtare Penale, patëm vizitat e Sekretarit të Mbrojtjes Donald Rumsfeld dhe të Sekretarit të Shtetit Colin Powell, të administratorit të Agjencisë për Zhvillimin Ndërkombëtar Andrew Natsios dhe mund të vazhdojmë me të tjera. Ka qënë një vit jashtëzakonisht i mirë. Dhe shpresojmë që 2004 të jetë edhe më i mirë.

Zëri i Amerikës: Gjatë vitit 2003, në Shqipëri ndodhën zhvillime të rëndësishme. Por a ka bërë përparim ky vend për të zgjidhur sfidat kryesore me të cilat ballafaqohet, si respekti për shtetin ligjor, lufta kundër krimit, kundër trafikut njerëzor dhe kundër korrupsionit.

Ambasador Xhejms Xhefri: Janë vënë re, sinqerisht, edhe zhvillime pozitive, por edhe negative. Kemi parë disa hapa të rëndësishëm përpara gjatë 12 ose 18 muajve të kaluar. Trafikimi i qënieve njerëzore, ky krim i shëmtuar, është ulur ndjeshëm. Qeveria shqiptare ka ngritur një grup pune që bashkërendon veprimtaritë e disa agjencive në këtë drejtim. Ne dhe Bashkimi Evropian bashkëpunojmë nga afër me të dhe jemi shumë të kënaqur me përparimin që kemi parë në punën e tij, gjë që është pasqyruar edhe në raportin tonë për trafikimin e qënieve njerëzore. Në Shqipëri u zhvilluan zgjedhje dhe megjithë problemet që u vunë re, përgjithësisht ato përfaqësojnë një hap të madh përpara, siç u vu në dukje në vlerësimin e OSBE-së dhe siç e theksuam edhe ne dhe kjo është e rëndësishme dhe njerëzit nuk duhet ta harrojnë. Megjithatë, siç e kemi thënë edhe më parë, ka ende probleme serioze me krimin, me korrupsionin, një sërë vrasjesh, disa prej të cilave janë sqaruar dhe janë bërë arrestime, por në këtë fushë duhet bërë më shumë dhe kjo do të jetë ndër përparësitë kryesore të qeverisë amerikane, shpresojmë edhe të qeverisë shqiptare në muajt e ardhshëm.

Zëri i Amerikës: Klima politike në Shqipëri gjatë vitit që kaloi u karakterizua nga tensionet midis partisë në pushtet dhe partisë kryesore të opozitës, si dhe nga tensionet brenda vetë Partisë Socialiste. Çfarë ndikimi ka patur kjo paqëndrueshmëri politike për zhvillimin e Shqipërisë në përgjithësi dhe për synimin e saj për t’u integruar në institucionet Euro-Atlantike?

Ambasador Xhejms Xhefri: Kjo është një pyetje e vështirë që nuk mund të jap një përgjigje të thjeshtë, por do të përpiqem. Tensionet, lufta politike, problemet midis partisë në pushtet dhe opozitës, apo brenda partisë në pushtet, apo brenda çdo partie politike, janë pjesë e demokracisë. Demokracia nuk është e lehtë. Në fakt Sekretari Powell foli pikërisht për këtë para disa ditësh, kur tha se njerëzit mendojnë se demokracia është si një anije e madhe, e fuqishme që lundron me besim, në vijë të drejtë, drejt destinacionit të saj. Në fakt, demokracia është si një varkë shpëtimi, që përplaset sa andej - këtej nga ujrat dhe që përpiqet të çajë përpara. E vetmja gjë e sigurtë është se nuk do të fundoset. Mendoj se ky është një përshkrim i mirë i demokracisë në vendin tim, ose në çdo vend tjetër. Dhe shfaqje të kësaj kemi parë këtë vit në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Në Kongresin e fundit të Partisë Socialiste, kryeministri Fatos Nano, arriti që të spastrojë shumë nga kundërshtarët e tij. Disa analistë u shprehën se ky kongres i Partisë Socialiste u kujton atyre Kongreset e Partisë Komuniste. A shikoni ju ndonjë rrezik për demokracinë në Shqipëri nga konsolidimi i madh i pushtetit në duart e kryeministrit Nano dhe nga eleminimi prej tij i figurave kundërshtare në radhët e partisë?

Ambasador Xhejms Xhefri: Le t’i qëndrojmë besnikë analogjisë me varkën e shpëtimit. Disa herë në të hyn ujë, disa herë përplaset, por e rëndësishme është që të mos fundoset. Ne si të jashtëm, përpiqemi sa të mundemi, të mos përfshihemi në problemet, debatet, mosmarrëveshjet e brendshme të partive. E vetmja që kërkojmë ne janë dy gjera: së pari që rregullat bazë të partisë, të kushtetutës të respektohen. Dhe së dyti dhe kjo është shumë e rëndësishme, në fund të fundit, duhet të vendosin njerëzit. Në fund të fundit, me votim të fshehtë, anëtarët e Partisë Socialiste zgjodhën udhëheqësit e tyre. Por ajo që është edhe më e rëndësishme, bazuar në veprimet e Partisë Socialiste, bazuar në planet e saj, është populli shqiptar ai që do të vendosë, në zgjedhjet e ardhëshme, se ç’mendon për Partinë Socialiste, ashtu siç do të shprehet edhe për Partinë Demokratike, apo për çdo parti tjetër.

Zëri i Amerikës: Shqiperia e ka mbeshtetur me forcë koalicionin e udhehequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak. A do të thotë kjo, siç kane lënë të kuptohet disa analistë, se Shtetet e Bashkuara do të jenë më pak kritike ndaj ritmit të ulët të reformave dhe demokratizimit në Shqipëri dhe se nuk do ta venë qeverinë shqiptare përpara përgjegjësisë për dështimin e saj në goditjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar?

Ambasador Xhejms Xhefri: Faleminderit shumë. Kjo është një pyetje e rëndësishme, që do t’i përgjigjesha me kënaqësi. Përgjigja është, absolutisht jo. Së pari, duke iu referuar përsëri Sekretarit Powell ne besojmë se duhet të jemi në gjendje të bëjmë më shumë se një gjë në të njejtën kohë, pra të zhvillojmë luftën kundër terrorizmit dhe në të njejtën kohë të çojmë përpara procesin e reformave. Ne besojmë dhe presidenti Bush është shprehur shumë qartë në këtë drejtim, se këto dy çështje janë të lidhura ngushtë me njera tjetrën. Në se ekziston shteti ligjor, demekracia, ekonomia e tregut të lirë, atëhere terrorizmit i priten rrënjët nga të cilat ushqehet. Pra, në se ne po punojmë intensivisht me miqtë tanë shqiptarë, apo në Afganistan e Irak, apo në Ballkan, në të njejtën kohë, ne po punojmë paralelisht dhe kemi shpenzuar dhjetra miliona dollarë vetëm në Shqipëri, apo qindra milionë vetëm në Ballkan, për të thelluar reformat, për ndërtimin e institucioneve demokratike, për një shtyp të lirë e kështu me radhë. Lufta kundër terrorizmit dhe reformat janë të lidhura. Përpjekjet për të punuar në të dyja drejtimet, janë si të thuash një përpjekje e vetme, për të ndërtuar një botë të lirë e në paqe.

Zëri i Amerikës: Dhe së fundi, cilat janë shpresat tuaja për Shqipërinë gjatë këtij viti?

Ambasador Xhejms Xhefri: Së pari ne shpresojmë që të vazhdojë të forcohet qëndrueshmëria dhe shteti ligjor dhe ekonomia të zhvillohet. Nuk ka dyshim për ekonominë. Po të shihen gjithë treguesit ekonomikë, eksportet, ritmet e zhvillimit, inflacioni, etj. statistikat janë të mira. Shumë vende në Evropë do të ishin të lumtura në se statistikat e tyre bazë do të ishin si ato të Shqipërisë. Por kjo duhet të vazhdojë. Duhen nxitur më tej investimet e huaja, që janë shumë të rëndësishme dhe të stabilizohet sistemi politik që të mos ketë shmangie nga programi i reformave për t’u anëtarësuar në Nato apo në Bashkimin Evropian si rezultat i konflikteve të brendshme. Shpesh këto konflikte janë normale dhe ndonjëherë edhe të nevojshme, por ato ndikojnë në largimin e vëmendjes. Pra le të shpresojmë që përpjekjet do të vazhdojnë të jenë të përqëndruara në këtë drejtim.

XS
SM
MD
LG