Lidhje

Konsumi i madh i mallrave në botë dëmton mjedisin - 2004-01-10


Organizata e pavarur për mbrojtjen e mjedisit, Worldwatch Institute, nxorri raportin e saj të përvitshëm “Gjendja e botës-2004”, i cili këtë vit përqendrohet tek pasojat e rënda që rrjedhin nga rritja e konsumit të mallrave dhe shërbimeve në gjithë botën. Në studim thuhet se shkalla aktuale e konsumit dëmton mjedisin dhe është e të papërballueshme:

Duke paraqitur raportin e këtij viti, presidenti i Institutit Worldwatch, Christopher Flavin, citon historianin Gary Cross:

“Më shumë se kapitalizmi ose demokracia, është konsumi ai që fitoi luftrat ideologjike të shekullit të 20-të”, tha ai.

Në raportin e organizatës Worldwatch thuhet se 1.7 miliardë njerëz në gjithë botën janë konsumatorë. Ajo është mbështetur në studime të mëparshme të Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin, sipas të cilave fuqia blerëse mesatare është rreth 7 mijë dollarë për shtëpi

Zoti Flavin thotë se disa nga prirjet që vihen re në botë janë pozitive, si për shembull ulja e varfërisë. Por ai thotë se njëkohësisht, ka patur shumë rezultate negative, si për shembull rritja e nivelit të mbipeshës, zhdukja e disa peshqve, pakësimi i ujrave, madje edhe rritja e nivelit të deteve.

Drejtori i studimeve i organizatës Worldwatch, Gary Gardner thotë se bota e industrializuar, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Kanadanë, Evropën Perëndimore, Australinë dhe Zelandën e Re, është përgjegjëse për fluksin e konsumit global. Ai shton se një zbulim befasues në studimin e këtij viti është se shkalla e konsumit vazhdon të rritet.

Kurse konsumi në Afrikën nënsahariane, i llogaritur sipas shpenzimeve për familje, po bie.

Ndërkohë sipas studimit, Kina ka pothuajse të njëjtin numër konsumatorësh sa edhe Shtetet e Bashkuara, ose afërsisht 240 milionë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Indinë dhe Japoninë, secila me nga rreth 120 milionë konsumatorë.

Mirëpo, zoti Gardner thekson se kjo nuk do të thotë se të gjithë konsumatorët në këto vende po shpenzojnë të njëjtën shumë parash. “Kjo nuk do të thotë se Kina dhe India kanë të njëjtën peshë konsumi si Japonia dhe Shtetet e Bashkuara. Nuk është absolutisht kështu. Nga ana tjetër, është interesante të vihet në pah se Kina dhe India kanë shumë më tepër mundësi për të zgjeruar klasat e konsumatorëve sesa Shtetet e Bashkuara dhe Japonia. Në Kinë për shembull, 19 për qind e popullsisë i takon klasës së konsumatorëve. Ndërsa në Indi është 12 për qind. Kështu, ne mund të shohim sesi po rritet me shpejtësi numri i konsumatorëve në Azi”.

Në raportin e Institutit Worldwatch thuhet se pasojat negative të konsumit për mjedisin global nuk mund të mospërfillen për një kohë të pacaktuar. Studiuesit u kërkuan qeverive në gjithë botën të vihen në krye duke u kërkuar kompanive që të plotësojnë disa standarde të caktuara për mjedisin dhe duke nxitur që konsumatorët të veprojnë duke patur më shumë parasysh problemet e mjedisit, me gjëra të tilla si për shembull transporti publik. //kk//

XS
SM
MD
LG