Lidhje

Cila është e ardhmja e Maqedonisë? - 2004-01-10


Në të kaluarën, Maqedonia quhej oaz i paqes sepse ajo kishte arritur të shmangte gjakderdhjen, e cila shkatërroi Jugosllavinë. Por në vitin 2001, vendi u përfshi nga të njëjtat përleshje etnike që i janë bërë si mëkat Ballkanit.

Luftimet u ndërprenë brenda pak muajsh, megjithatë tensionet vazhdojnë, duke krijuar një mjedis të paqëndrueshëm për investimet dhe zhvillimin ekonomik. Udhëheqja politike e Maqedonisë përballet me shumë sfida në përpjekje për të ruajtur paqen dhe për të bërë përparim.

Kryqi i Mijëvjeçarit i ndërtuar kohët e fundit duket qartë në majë të kodrës Vodno në Shkup të Maqedonisë. Ky kryq ndodhet karshi xhamisë në anën tjetër të lumit Vardar, i cili thuajse e ndan qytetit përgjysëm. Këto struktura të kundërta simbolizojnë përçarjen dhe luftën ngandonjëherë të hapur midis të krishterëve ortodoksë, të cilët përbëjnë shumicën e popullsisë së vendit, dhe pakicës myslimane, që janë shqiptarët.

Luftimet në Kosovë në vitin 1999 shkaktuan një krizë refugjatësh në Maqedoni, e cila çoi në një konflikt të armatosur në vitin 2001. Brenda disa muajsh, në gusht të po atij viti, u arrit marrëveshja e Ohrit. Në fund të vitit 2001, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, lordi George Robertson, tha se Maqedonia kishte përjetuar trazirat më të vështira dhe se ishte një prej sukseseve të Ballkanit.

Por Daniel Serwer, drejtor i Nismës Ballkanike në Institutin Amerikan të Paqes këtu në Washington, thotë se është tepër herët të bëhet një deklaratë e tillë.

“Ata janë dakord mbi disa gjëra bazë. Ata janë dakord, për shembull, që emri i vendit duhet të jetë Maqedoni. Kjo është e rëndësishme, por ata duhet të bien dakord, ose të paktën ta kuptojnë njeri tjetrin, në shumë fusha të tjera. Sot në Maqedoni ekziston opozita, një pjese të së cilës, e përbërë si nga shqiptarët edhe nga maqedonët, i përqen me sa duket të përçajë vendin. Mendoj se kjo është një teoremë e rrezikshme.”

Zoti Serwer thotë se duket që qeveria është e angazhuar ta mbajë vendin të bashkuar. Ndërkohë, Maqedonia shpreson që tërheqja e forcave të huaja, të cilat qëndruan për 10 vjet në kufirin me Kosovën, do të përmirësojë shanset e saj për t’u anëtarësuar në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Sot një mision i Bashkimit Evropian prej rreth 200 policësh garanton të vetmin sigurim për Maqedoninë nga forca të huaja.

Martin Sletzinger, drejtor i studimeve evropiano-lindore në qendrën Woodrow Wilson këtu në Washington, nuk mendon që Maqedonia mund të garantojë vetë sigurinë.

“Mendoj se do të ishte shumë më mirë për Maqedoninë që në atë vend të qëndronte një forcë për të treguar jo vetëm shqetësimin e komunitetit ndërkombëtar që marrëdhëniet e brëndshme në Maqedoni vazhdojnë në mënyrë paqësore, por edhe si një forcë shkurajuese ndaj kujtdo që mund të ketë ndonjë ide për të krijuar probleme të ngjashme me ato që u përballua Maqedonia. Ne kemi të bëjmë me trashëgiminë e këtyre problemeve, të cilat, për mendimin tim, mund të shpërthejnë në çdo moment, sapo komuniteti ndërkombëtar të fillojë të diskutojë seriozisht rreth statusit të Kosovës.”

Tensionet etnike po acarohen nga ekonomia, që nuk ecën. Shenjat më të qarta janë rrugët e këqija dhe ndërtesat e shkatërruara, ndërkohë që maqedonët janë të pakënaqur me shërbimet e dobëta dhe mungesën e vendeve të punës. Ata po humbasin shpresat.

Anëtari i parlamentit të Maqedonisë, Slobodan Casule, ish ministër i jashtëm, mendoj se çështja kyçe për zgjidhjen e konfliktit etnik është zhdukja e varfërisë.

“Mungesa e qëndrueshmërisë politike dhe sigurisë parandalojnë investimet e huaja në masë. Mungesa e investimeve e shton varfërinë. Varfëria krijon papunësi dhe njerzit e papunë mund të manipulohen me lehtësi dhe mund të mobilizohen në mbështetje të ideve të paarsyeshme për shekullin e 21. Në se njerzit janë në gjendje të mbajnë vendin e punës, e cila u bën të mundur një jetë më të mirë, atë here ata nuk do të marrin kurrë armët.”

Shkalla e papunësisë në Maqedoni është gati 40 përqind dhe statistikat zyrtare tregojnë se mes 25 dhe 30 përqind e njerzve janë të varfër. Për veç kësaj, korrupsioni është shumë i përhapur. Një organizatë e Bashkimit Evropian kundër korrupsionit deklaroi vitin e kaluar se rushfetet janë një mënyrë jetese në Maqedoni. Një komision i sapo krijuar për të luftuar korrupsionin nuk ka bërë shumë përparim ende. Organizata ndërkombëtare, Transparency International, e cila i është përkushtuar ndalimit të korrupsionit në botë, e kategorizon Maqedoninë gati në fund të listës, në vendin e 106 mes 133 vendeve.//kk//

XS
SM
MD
LG