Lidhje

Iran: Konservatorët marrin masa ndaj ligjvënësve reformistë - 2004-01-11


Deputetë në Iran thonë se Këshilli konservator Revolucionar i vendit i ka mohuar të drejtën një numri të madh anëtarësh të shumicës reformiste të legjislaturës që të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të muajit të ardhshëm.

Të paktën 80 anëtarëve të tanishëm të parlamentit prej 290 vendesh, u është mohuar e drejta të vënë kandidaturën. Ky vendim është marrë nga Këshilli 12 anëatrësh i mbizotëruar nga politikanë të vijës së ashpër, që ka kompetencat të përmbys vendimet e ligjvënësve.

Lajmi për këtë vendim u prit me zemërim në parlament. Shumë anëtarë të organit legjislativ dolën nga salla në shenjë proteste.

Presidenti reformist, Muhamed Khatami, bëri thirrje për përmbajtje, duke thënë se çështja duhet të zgjidhet përmes kanaleve ligjore. Presidenti Khatami, i cili thotë se nuk pajtohet me vendimin e këshillit, pritet ta diskutojë këtë çështje me grupin 12 anëtarësh.

Kryetari i parlamentit, reformisti Mehdi Karrubi, shprehu pakënaqësinë ndaj vendimit për skualifikimin e një numri kaq të madh anëatrësh dhe nuk ka shpresa se bisedimet do të çojnë në përmbysjen e këtij vendimi. Ai parashikon se do të shprehet pakënaqësi në shkallë të gjerë në prag të zgjedhjeve të planifikuara për 20 shkurt.

Reformistët kontrollojnë rreth dy të tretat e vendeve të legjislaturës që nga zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2 mijë. //kk//

XS
SM
MD
LG