Lidhje

Profil i kandidatit për president, Wesley Clark - 2004-01-11


Fushata e gjeneralit në pension Wesley Clark për të fituar emërimin e partisë demokrate për president pati një fillim të vonuar, por një grup në rritje simpatizantësh është i bindur se ai ka shanset më të mëdha mes kandidatëve të kësaj partie për të mundur presidentin Bush në nëntor të këtij viti.

Përvoja e gjatë ushtarake e gjeneralit Clark ngre peshë në një fushatë që pritet të mbizotërohet nga çështje që kanë lidhje me sigurinë, si konflikti në Irak dhe lufta kundër terrorizmit.

Në librarinë e një lagjeje të bukur të Washingtonit, qindra burra dhe gra presin në radhë për t’u takuar me njeriun që shpalli i fundit kandidaturën për të siguruar emërimin demokrat për president.

Gjenerali në pension jep autografë për librin e tij të fundit “Si mund të fitosh në luftrat moderne: Iraku, Terrorizmi dhe Perandoria amerikane” dhe në raste të tilla nuk bëhet fjalë për mungesë simpatizantësh.

Gjenerali Clark e shpalli kandidaturën në shtator, shumë muaj pasi kandidatët e tjerë kishin hyrë në garë.

Megjithatë ai ka mbledhur shumë fonde dhe anketat e opinionit e radhisin atë vazhdimisht mes kandidatëve kryesorë. “Unë hyra vonë në garë. Nuk jam politikan profesionist, por hyra në garë sepse jam shumë i shqetësuar për drejtimin që ka marrë vendi. Unë mendoj se ne po vuajmë nga një mungesë udhëheqjeje në politikën e jashtme dhe mungesë udhëheqjeje brenda vendit”.

59 vjeçari Clark nga shteti Arkansas e paraqet veten si një Dwight Eisenhower i kohëve moderne. Eisenhower është amerikani i fundit me një karrierë ushtarake që u zgjodh president.

Gjatë 34 vjetëve në ushtri, gjenerali Clark u plagos rëndë në luftën e Vietnamit dhe ngjiti shkallët e karrierës duke u bërë Komandant suprem i NATO-s.

Ai ndihmoi në negociatat për marrëveshjen e Paqes së Daytonit, që i dha fund konflitkit në Bosnje dhe ishte komandant i forcave që përzunë nga Kosova Sllbodan Millosheviçin dhe forcat e tij.

Për shkak të mosmarrëveshjeve që kishin të bënin me stilin e gjeneralit Clark, ish Sekretari i Mbrojtjes William Cohen e largoi atë nga komanda e NATO-s. Pasi doli nga shërbimi aktiv në vitin 2000, gjenerali Clark tha se në gjithë karrierën e tij ushtarake kishte patur vetëm dy ditë të këqia: atë kur ishte goditur katër herë në Vietnam dhe ditën kur i thanë se duhet të linte punën si komandant i NATO-s dhe të dilte në pension para kohe.

Këshilltarët e gjeneralit shpresojnë që sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 dhe lufta në Irak do t’i japin aq rëndësi sigurisë kombëtare saqë votuesit do të duan një udhëheqës ushtarak në Shtëpinë e Bardhë.

Ata shpresojnë të paktën se gjenerali Clark do të mund të neutralizojë avantazhin e presidentit Bush për çështjet e sigurisë.

Gjatë fushatës gjenerali në pension e ka kritikuar me forcë vendimin e administratës së presidentit Bush për luftën në Irak, sepse ai beson se kjo e ka zhvendosur vëmendjen dhe thithur burimet nga lufta kundër terrorizmit. “Unë vura re se kësaj administrate i pëlqen më shumë të hapë luftë kundër shteteve, sesa të sulmojë terroristët. Është një politikë krejtësisht e gabuar. Nëse duam të jemi të sigurt, duhet të ndjekim terroristët, të përpiqemi të gjejmë Osama bin Ladenin. Duhet të merremi me qendrën e luftës kundër terrorizmit dhe jo me shtetet”, u shpreh ai.

Daniel Atkins, 59 vjeç, përkrahës i gjeneralit Clark nga Washingtoni thotë se angazhimi i kandidatit për krijimin e aleancave ndërkombëtare ka fituar votën e tij. “Mendoj se Amerika është e fuqishme kur punon me miq dhe aleatë dhe vepron në bazë të vlerave të saj. Kjo është ajo që më frymëzon tek gjenerali Clark. Unë vërtet kam dëshirë që të punojmë me pjesën tjetër të botës dhe mendoj se ai do të na udhëheqë në këtë drejtim”, thotë Atkins.

Meqenëse e filloi fushatën vonë, gjenerali Clark vendosi të mos e zhvillojë garën e parë zgjedhore në shtetin Iowa më 19 janar dhe t’i përqendrojë përpjekjet në zgjedhjet paraprake brenda partisë më 27 janar ku shpreson që të paraqitet mirë kundër kandidatit që udhëheq aktualisht, ish-Guvernatorit të Vermontit Howard Dean.

Disa analistë politikë parashikojnë që gjenerali Clark të shfaqet si një kandidat alternativ ndaj zotit Dean. Simpatizantët e tij shpresojnë se një gjë e tillë do ta ndihmojë atë të përmirësojë paraqitjen e tij në zgjedhjet paraprake që do të mbahen në fillim të shkurtit.//kk//

XS
SM
MD
LG